Feçor Shehu ka përdorur postin zyrtar për favore seksuale”. Përtej kësaj akuze për të cilën u dënua, ndër të tjera ish-ministri i Brendshëm i regjimit komunist, Rukie Rama, tropojania që kaloi rininë në ferrin e burgjeve të diktaturës, rrëfen një ngjarje tronditëse që hedh dritë mbi këtë ves bastard të ish-kreut të policisë sekrete. “Ishte ora dy pasmesnate e 22 gushtit 1974, – tregon ajo – kur më morën nga qelia dhe më çuan në një dhomë tjetër. Aty bashkë me operativin e zonës u shfaq Feçor Shehu, i cili sa më pa, më urdhëroi të hiqja kapësen e flokëve. Sakaq u çua nga vendi ku ishte dhe mu vërsul si qen i tërbuar. Nuk e di ku i gjeta forcat dhe ia hoqa krahët gjithë urrejtje. Tjetri që rrinte në këmbë, kur e pa se përpjekja e shefit nuk pati sukses, u mundua të ftohë gjakrat.
“Bushtër e poshtër, keq e më keq do vejë puna jote”, mërmëriti nëpër dhëmbë Feçori dhe hapi derën e u zhduk si hije”. Në vijim të intervistës për gazetën nga dje, , Rukie Rama tregon rrethanat si është arrestuar, rolin e ish-kreut të sigurimit të shtetit në prangosjen e saj, profilin e 43 dëshmitarëve dhe dhjetëra bashkëpunëtorëve të fshehtë të policisë sekrete me të cilët është përballur drejtpërdrejt, por jo vetëm gjatë procesit, përjetimet nga përballja me ta pas daljes nga burgu dhe brengat e shumta për rininë e humbur në qelitë e errëta…
Zonja Rukie, në çfarë rrethanash jeni arrestuar dhe cila ka qenë akuza që ju kanë komunikuar në momentin që u kanë hedhur prangat?
Kjo është një ndër pyetjet më të vështira që mund t’i përgjigjem, pasi rrethanat janë sa komplekse aq dhe të mistershme. Dy javë përpara se të arrestohesha, më thirrën zyrtarisht për të më komunikuar emërimin si drejtoreshë arsimi në zonë. Ishte koha kur po bëhej një riorganizim i arsimit dhe mua kjo detyrë më dukej e vështirë, ngaqë shkollat në zonën e Bytyçit ishin të shpërndara në terren, mjetet e qarkullimit ishin të pakta dhe për një vajzë të re nuk ishte e lehtë të lëvizte në këmbë, pasi shkolla nga shkolla ishte dy orë larg duke filluar nga Paci, Kami, Berisha e deri në Zogaj. Për këtë arsye e refuzova detyrën e re, pa ditur çdo të ndodhte më tej. Atyre që ma ofruan iu përgjigja se dëshiroja të shërbeja në shkollën e fshatit tim, edhe për një arsye personale, pasi nënën e kisha me probleme shëndetësore. Vetëm pak ditë më vonë ndodhi ajo që nuk e prisja, arrestimi…
Kush ua komunikoi urdhrin e arrestit dhe a e prisnit, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë u kishin propozuar një detyrë me përgjegjësi?
Këtë çast nuk kam për ta harruar deri sa të vdes. Ishte 17 gushti i vitit 1974. Bashkë me time motër marrim rrugën për t’u bashkuar me familjen që ishte në bjeshkë. Sikur Zoti ta kishte bërë me plan atë takim, ishte ky rasti i vetëm që grumbullohej e gjithë familja në Sulbicë. Lokja (nëna ime) na shtroi një darkë me gjithë të mirat. E sikur ta dinim që do ishte takimi i fundit që rrinim së bashku, atë natë të ulur…
albnews.al
Leave a Reply