
Histori – Shkaku i vdekjes së kompozitorit polak, Frederik Shopen, në vitin 1849, u mendua se ishte një sëmundje për kohën klasike e romantike, tuberkulozi. Por shpejt u ngritën dyshime rreth diagnozës dhe një ekzaminim shkencor në fillim të këtij viti, u duk se konfirmonte teorinë e tuberkulozit, duke e lënë misterin sërish të pazgjidhur
Në prill të këtij viti u analizua zemra e zhytur në alkool, e kompozitorit dhe pianistit më të njohur të Polonisë, Frederik Shopen, e ruajtur prej 160 vitesh. Shkencëtarët donin të kontrollonin nëse ishte në gjendje të mirë dhe kështu t’i përgjigjeshin pyetjes, ‘çfarë e vrau polakun?’.
Shopeni vdiq në një apartament në Paris, më 17 tetor 1849, në moshën 39-vjeçare. Autoriteti më i lartë i Francës për tuberkulozin e diagnostikoi atë me sëmundjen në fjalë disa muaj më herët dhe kjo u shkrua në certifikatën e tij të vdekjes.
Por gjërat më pas u bënë më pak të qarta. I njëjti doktor, Jean Cruveilhier, ia hoqi zemrën Shopenit dhe bëri një autopsi. Shënimet e tij kanë humbur, por raportet tregojnë se ai kishte diçka tjetër nga tuberkulozi, një “sëmundje të pahasur më parë”.
Me kalimin e kohës, teori të reja filluan të dilnin në pah. Një gazetë mjekësore sugjeroi fibrozën cistike të panjohur në 1849, si shkaktare të vrasjes. Një tjetër mendonte se Shopeni kishte trashëguar një formë të emfizemës.
Më pas, në shtator, debati duket se mori fund. Shkencëtarët mjekoligjorë dhe gjenetistë që u mblodhën për të ekzaminuar zemrën e Shopenit organizuan një konferencë. Zemra e Shopenit ishte ruajtur mirë dhe kishte probleme të tuberkulozit. “Gjithashtu, ishte zmadhuar shumë, duke na bërë të mendojmë për probleme me frymëmarrjen dhe sëmundje mushkërish”. Dukej si tuberkuloz.
Por ekzaminimi kishte qenë vetëm pamor. Asnjë ind nuk ishte marrë për testim. Kavanozi me zemrën e Shopenit nuk ishte hapur dhe nuk ishte larguar kurrë nga kisha në Varshavë.
Shkencëtarët kishin dashur ta hapnin kavanozin, por ishin përballur me kundërshtimin e çdokujt, që nga stër-stërmbesa e një prej motrave të Shopenit, përfshirë edhe drejtorin e institutit “Shopen” në Varshavë.
Për të kuptuar këtë kundërshtim, duhet marrë parasysh vlera që ka Shopeni për Poloninë. Kompozitori u largua nga Varshava në moshën 20-vjeçare dhe nuk u kthye më. Gjatë gjithë jetës, Polonia nuk ekzistoi, sepse ishte aneksuar nga Rusia, Prusia dhe Austria në 1795 dhe u rimaterializua në një shtet të unifikuar, vetëm 123 vite më vonë.
Patriotizmi i tij u shpreh në muzikën që bënte. Dëshira e tij e fundit ishte që zemra t’i hiqej, ndaj motra ia kaloi kontrabandë për në Poloni.
Shumë vite më vonë, në shtator 1939, pianisti Vladyslav Szpilman, ishte në mes të një interpretimi live të një vepre të Shopenit, kur bombat gjermane ranë mbi stacionin e radios dhe ai u detyrua ta ndërpriste. Në kthimin e tij në “Radio Varshava” në 1945, pasi i mbijetoi shkatërrimit të qytetit dhe Holokaustit, ai filloi të luante të njëjtën pjesë – një histori e përjetësuar në filmin “The Pianist” të Roman Polanskit.
“Nëse zemra do të hapej për të bërë analizat e ADN-së, ajo do ta humbiste shenjtërinë e saj që e ka fituar gjatë gjithë këtyre viteve”, shpjegon Rose Cholmondeley, nga Shoqëria Shopen me bazë në Londër.
Por Cholmondeley mendon gjithashtu se testi i ADN-së po shmanget edhe për një arsye tjetër. “Nuk është 100 për qind e sigurt se është zemra e Shopenit”, thotë ajo.
Legjenda thotë se një ushtar gjerman e largoi nga kisha gjatë luftës përpara se ajo të rrafshohej. Mendohet se më pas ka kaluar në një shumëllojshmëri duarsh, përpara se t’i kthehej kishës polake. Legjenda vazhdon duke pretenduar se i njëjti njeri që e shpëtoi, është ai që e shkatërroi zemrën në fund.
Por profesor Dobosz nuk është dakord. Nga analizat rezulton se kavanozi është i së njëjtës periudhë. Kavanozi u vu sërish në qilarin e kishës me një rekomandim që të mos prekej më deri në vitin 2064.
Diagnoza mund të jetë me shumë gjasa tuberkulozi, por kjo nuk mund të thuhet me siguri. Duke marrë parasysh natyrën e dobët, të vogël, të zbehur të Shopenit, tuberkulozi ishte një stereotip romantik i kohës.
“Tuberkulozi ishte një nga shkaqet më të përhapura të vdekjes në atë kohë në Europë dhe Amerikën e Veriut. Ishte një vrasës në masë. Duke folur me statistika, Shopeni ka më shumë gjasa të ketë vdekur nga tuberkulozi, sesa nga fibroza cistike”, thotë profesor Lucas.
I.D
*Burimi: Marek Pruszewicz/BBC.
Gazeta Shqip


Leave a Reply