
(Pjesa I).
NISMAT LEGJISLATIVE PËR LUSTRACIONIN
NË KONTEKSTIN E MBROJTJES NDËRKOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT (Pjesa I).
Bujar Abedinaj
Shënimi autorit
Ky material është përgatitur nga ana ime në kuadrin e një nisme individuale gjatë muajit dhjetor 2008, lidhur me të ashtuquajturin ligj për hapjen e dosjeve dhe është shpërndarë në atë kohë (nën titullin “Në vend të mbrojtjes…”) në drejtim të Kabineteve të Presidentit të Republikës dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, si dhe në adresë të Avokatit të Popullit, te disa OJF, te disa deputetë (diku te rreth 20 të tillë, duke përfshirë të dy palët), si dhe te ndonjë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Qëllimi i shpërndarjes ishte sensibilizimi i ndonjë institucioni të mundshëm, që ligji ia njeh të drejtën e ankimimit të cështjeve të tilla në Gjykatën Kushtetuese. Ky qëllim deri tash do mund të konsiderohej i përmbushur, (ndoshta pa përjashtuar edhe kontributin e kësaj nisme individuale), pas qëndrimeve nga Faktori Ndërkombëtar, shprehjes nga Komisioni i Venecies, dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin dhe më pas rrëzimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëvetë lartë të administratës dhe të zgjedhurve.”
Mirëpo, mesa duket, në Shqipëri nuk duhet të kalojnë me shumë se 5 – 6 vjet, (ndoshta në traditën e dikurshme të planeve 5 vjecare), në mënyrë që cdo gjë të kthehet atje ku ishte. Ka ca kohë që flitet për disa nisma të reja, ku nuk dihet pse ngatërrohet një ligj i mundshëm për hapjen e dosjeve me një tjetër ligj të mundshëm për kryerjen e lustracionit.
Tërheq vëmëndjen fakti, se të paktën në projektin e afishuar së fundmi në Veb-sajtin e Kuvendit të Shqipërisë, duket sikur autorët nuk kanë dashur të njihen fare me argumentet e Komisionit të Venecias dhe ato që e çuan Gjykatën Kushtetuese në vendimin e saj kategorik për rrëzimin e ligjit të mëparshëm lidhur me hapjen e dosjeve. Po përse vallë gjithë kjo ngatërresë?
Hë për hë unë nuk do doja të kuptoja asgjë, por më mirë le të marrim ca kohë me shpalosjen dhe rifreskimin e këtyre argumenteve, duke kërkuar ndjesë për këtë material voluminoz (rreth 35 faqe format A4, me gjithë pjesën e dytë) dhe madje duke rekomanduar, që, më mirë, mos vazhdoni ta lexoni më tej, përveçse kur dëshira e lexuesit do të ishte e pandalshme.
Tiranë, më 12.12.2014
Bujar Abedinaj
NË VEND TË MBROJTJES…
(…Nga sanksionet, kufizimet dhe kushtëzimet sipasLigjit lidhur me pastërtinë e figurave apo hapjen e dosjeve.)
Kërkesë: Për shqyrtimin e ligjit nr. 10.034, datë 22.12.2008, “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve.”
Drejtuar: (menduar dhe destinuar, veçanërisht, në adresë të Kabinetit të Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese të RSH.)
Kërkuesi: (kushdo nga subjektet e interesuar, ose që u njihet kjo e drejtë.)
I interesuar: (çdokush i prekur si punonjës i SHISH, ose vetë Institucioni)
O B J E K T I i kërkesës: Respektivisht, Prapsimi ose Pezullimi apo Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Ligjit nr. 10.034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” në tërësi, dhe veçanërisht: neni 2, shkronja ‘ g ’ e nenit 3, shkronja‘ ç ’ dhe shkronja ‘ d ’ e nenit 4, pika 1 e nenit 18, shkronja ‘ b ’ e pikës 1 të nenit 20, pika 1 e nenit 22, pika 5 e nenit 24 dhe pika 1 e nenit 26.
Përmbajtja e kërkesës dhe parashtrimi i shkaqeve:
I.- Nëvend të hyrjes.
Në fakt,siç del nga dy Rezolutat e Asamblesë Parlamentare (AP) të Këshillit të Evropës (KE) nr. 1096 (1996) dhe nr. 1481 (2006), masat administrative të lustracionit nuk kanë qenë asnjëherë ndonjë rekomandim i drejtpërdrejtë nga Asambleja Parlamentare e KE, por nisiativa individuale nga disa vënde ish komuniste të Europës Lindore, si proçes vetë-pastrimi apo për t’u shkarkuar nga kriza e mosbesimit në Perëndim, ndoshta edhe për shkak të përfoljes së projektit të ashtuquajtur të Katovicës, në lidhje me transformimin e strukturave të dirigjuara nga nomenklatura e vjetër e regjimeve komuniste të këtyre vëndeve.
Përgjatë periudhës 1990 – 1995, nga disa vënde të Lindjes janë aplikuar ligje të tilla tëveçanta të lustracionit, derisa vijmë te ligji shqiptar i lustracionit, nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, i ndryshuar (dhe që ka pushuar së vepruari), i cili bazohej te modeli i ligjit çek për lustracionin.
Ndërsa ndërhyrja e Asamblesë Parlamentare të KE përmes Rezolutës 1096 (1996) ka ardhur vetëm pas dhe si rezultat i konstatimeve të rasteve të veçanta të shkeljes së rregullave demokratike, (që duhet të ketë një shtet ligjor që synon të hyjë në Europën e Bashkuar), gjatë zbatimit të ligjeve të lustracionit nga disa vënde, duke përfshirë edhe rastin shqiptar.
Rezoluta1096 (1996) së bashku me rekomandimet e specialistëve të KE, që kanë mbështetur draftin e kësaj Rezolute, fokusin kryesor e kanë pasur tjetërkund – te personat që kishin kryer krime. Ndërsa përcaktimi dhe aplikimi i masave administrative të lustracionit nga vëndet e interesuara lidhej me personat që nuk vërtetohej të kishin kryer krime, ndaj rekomandimet vendosnin disa standarte që duheshin respektuar, konformë normave ligjore të një shteti demokratik.
Këto standarte përgjithësisht kufizonin dhe kushtëzonin aplikimin e masave administrative të lustracionit me kah zbutjen dhe moderimin e tyre, duke sugjeruar ndërmarjen e nismave ligjore për ndryshimin e normave të caktuara në ligjet respektive, duke mbajtur parasysh se aplikoheshin ndaj personave që nuk vërtetohej të kishin kryer veprimtari kriminale gjatë sundimit të regjimeve totalitare komuniste.
Në këtë sens, Asambleja Parlamentare e KE ka adresuar vërejtje të veçanta edhe për spektrin e gjerë të veprimit që kishte ligji i shqiptar i lustracionit i vitit 1995, vërejtje të cilat janë mbajtur parasysh vetëm pjesërisht, përmes amendimeve të ndryshme që i janë bërë këtij ligji, derisa pushoi së vepruari në 31 dhjetor 2001.
Pra në raport me standartet e përcaktuara nga KE pas hyrjes në fuqi të ligjit shqiptar të lustracionit më 1995, nuk shkon më fjala për mos-zbatimin e tij por për zbatimin e tij deri në fund, biles në disa drejtime duke u rezistuar (ose duke mos i marë parasysh) disa prej kufizimeve të vendosura nga KE. Ndërsa për raste liberalizimi poshtë këtyre standarteve, as që mund të flitet.
Referenca për herë të dytë e politikës shqiptare të ligji çek, mesa duket, ka të bëjë jo aq për shkak të ngjashmërisë së Çekisë me Shqipërinë (që ka mundësi të mos kenë të krahasuar), se sa te rrezja e gjerë e veprimit që mund të sigurohej nga një ligj i tillë. (Në të kundërt, nëse diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë vërtetë më gjakatarja, sikurse pretendohet nga shumë shqiptarë, politikanë apo të persekutuar qofshin, atëhere masat administrative ndaj personave që nuk kanë kryer krime, nuk mund t’i kompesojnë (apo shpërblejnë) krimet e kryera nga personat në veçanti, apo diktatura komuniste në përgjithësi.)
Si konkluzion i kësaj hyrjeje, mund të themi se ndërtimi i ligjit të dytë shqiptar të lustracionit në 2008-ën, duke u mbështetur te pararendësi i vet i vitit 1995, duket se nuk mban parasysh asnjë nga standartet e rekomanduara (më pas) nga Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KE, nr. 1096 (1996), ndërkohë që eviton t’i përgjigjet qëllimit kryesor të Rezolutës më të fundit të kësaj Asambleje, nr. 1481 (2006), dhe devijon edhe nga vetë qëllimi kryesor i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, nr.11, datë30.10.2006, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri.”
II.- Përsai përket kërkesës për prapsimin ose pezullimin apo shfuqizimin në tërësi të ligjit të lartpërmendur, si i papajtueshëm me Kushtetutën, shkaqet mund të lidhenme sa vijon:
1. Ky ligj del në kushtet kur një ligj tjetër me të njejtën përmbajtje (1) është zbatuar në vendin tonë, pa zbutje dhe me afat të plotë, gjatë periudhës 1995 – 2001.
Në nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (KEDNJ) dhe nenin 15 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile e Politike (PNDCP), konfirmohet parimi i ndalimit të fuqisë prapavepruese të ligjit dhe parimi i ndalimit të dënimit që nuk është i parashikuar nga ligji. Këto dy parime, sigurojnë të drejtën që askush të mos mund të dënohet me një dënim dhe për një veprim që nuk parashikohet nga ligji, si dhe askush nuk mund të dënohet me një dënim më të rëndë se ai që ishte i zbatueshëm, në çastin kur vepra ka qenë kryer. Këto dy parime sanksionohen edhe nga Kushtetuta e RSH në nenin 29, pika1 dhe 2, duke përjashtuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ndërsa në nenin 34, Kushtetuta e RSH parashikon që “askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatëmë e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.” Sigurisht që këto përcaktime cilësohen në lidhje me veprat penale, por aq më tepër parime të tilla ka logjikë të qëndrojnë edhe për aktet dhe normat me karkater civil.
Përsa i përket fuqisë prapavepruese të normave apo akteve me karakter civil, Konventa Evropiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, por edhe aktet e tjera ndërkombëtare apo kombëtare, nuk parashikojnë një rregullim të saktë të këtij problemi. Megjithatë, gjykatat kushtetuese të disa vëndeve, përfshi Gjykatën Kushtetuese të RSH (Vendimi iGj.K. nr. 48, dt. 14.10.1998) i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi duke arsyetuar, që ligji i ri nuk mund të cënojë të drejta dhe interesa të fituara në rrugë ligjore para hyrjes në fuqi të tij. Kjo mbështetet në logjikën, se norma juridike nuk mund të rregullojë një marrëdhënie shoqërore ose juridike të lindur më parë se ajo. (2)
Konkretisht, rikthimi në detyrë i disa punonjësve pas mbarimit të veprimit sipas ligjit të 1995-ës, dhe për më tepër me qëndrim korrekt disavjeçar në krye të detyrës, presupozon se ata kanë rifituar një të drejtë, duke krijuar një mardhënie të re shoqërore, që e bën të pakuptimtë ripërsëritjen e masave që janë zbatuar njëherë ndaj tyre.
Përsa u përket justifikimeve të pretenduara për parregullsi zbatimi të ligjit në rastin e parë (ligji nr. 8043, datë 30.11.1995), sjellim në vëmëndje se të gjitha amendimet që kanë pasuar këtë ligj kanë bërë disa nga korigjimet e nevojshme sipas përcaktimeve në Udhëzimin e ekspertëve të Asamblesë Parlamentare të KE, ku trajtohet posaçërisht edhe rasti shqiptar (Doc. 7568, 3 June 1996), (3) duke përfshirë kufizimin e shtrirjes së ligjit vetëm ndaj ish funksionarëve të lartë të regjimit totalitar komunist. Në këtë kuadër përfshihet edhe amendimi përmes ligjit nr. 8280, datë 15.01.1998 (4) që, lidhur me funksionarët e ish sigurimit të shtetit, ruante kufizimet vetëm për funksionet e kryetarit të degës së punëve të brendshme, e sipër (sikurse parashikohej edhe nëprojekt-ligjin e PD të 2006-ës.)
Gjithashtu, nga i njëjti Udhëzim i ekspertëve të KE, të lartpërmendur, citojmë: “g) Skualifikimi për një pozicion zyrtar bazuar mbi lustracionin nuk mund të zgjasë më shumë se 5 vjet, meqë aftësitë për ndryshim pozitiv tek sjellja dhe zakonet e një individi nuk duhen nënvlerësuar; masat e lustracionit preferencialisht do të duhet të përfundojnë jo më vonë se 31 dhjetori 1999, pasi që sistemi i ri demokratik deri në atë moment do të jetë konsoliduar në të gjitha vëndet ish-komuniste totalitare.” Ndërsa ligji shqiptar i lustracionit i ka shtrirë efektet e veta deri në 31 dhjetor 2001 (pra duke kaluar mbi 6 vjet nga dalja e këtij ligji dhe 2 vjet pas afatit kufi të rekomanduar nga ekspertët e KE.)
Këtu vlen të theksohet, se Udhëzimi i lartpërmendur (Doc.7568, 3 qershor 1996), (5) është paraqitur si dokument në mbështetje të Rezolutës nr. 1096 (27 qershor 1996), “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve ish-komuniste totalitare” (6) dhe së bashku kanë dalë pas aprovimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetitdemokratik”, të ndryshuar.
Ky i fundit i ka pranuar me shumë vështirësi dhe vetëm pjesërisht vërejtjet dhe ndryshimet e rekomanduara sipas Udhëzimit dhe Rezolutës, deri sa pushoi së vepruari më 31 dhjetor 2001. Ndërsa ligji i tanishëm, nr. 10.034, datë22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, jo vetëm që nuk ka të bëjë me rekomandimet e Rezolutës 1481 (2006) por rithyen sërish edhe ato të Rezolutës 1096 (1996) megjithë Udhëzimin që e shoqëron (dhe ç’i kapërcen pragu.)
Domethënë, argumentet për moszbatimin e ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995,të ndryshuar, nuk qëndrojnë edhe sepse ai praktikisht do duhej të ishte rrëzuar ose ndryshuar menjëherë pas daljes së Rezolutës 1096 (1996), nëse do t’irespektonte rekomandimet e kësaj Rezolute, ose së paku qysh në momentin e aprovimit të Kushtetutës së RSH, pra gati 3 vjet më parë se të pushonte së vepruari. Ndërsa amendimet kanë qenë vetëm një reflektim i pjesshëm. Për pasojë nuk mund të flitet për zbutje, as në raport me kërkesat e Rezolutës 1096 (1996) dhe as në raport me frymën e kushtetutës së RSH.
Megjithatë, mund të pranohet se ka pasur një lloj zbutjeje në raport me të menduarit tradicional shqiptar, që arriti t’i rivendosë pozitat e veta, në një mënyrë akoma më të konsoliduar, me anë të ligjit nr. 10.034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve.”
Por nëse do të donim që të menduarit tonë tradicional t’ia nënështrojmë vizionit perëndimor të Europës së Bashkuar, do na duhet të respektojmë Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, neni 5, pika 2, sipas të cilit “…Nuk mund të pranohet asnjë kufizim apo anulim i të drejtave themelore të njeriut, që janë të njohura ose janë në fuqi në çdo vend në bazë të ligjeve, konventave, rregulloreve ose zakoneve, me pretekstin se ky pakt nuk i njeh ato ose i njeh në një shkallë më të vogël.” Kjo do të thotë se disa të drejta e liri njerëzore, që janë arritur të fitohen njëherë, nuk mund të kufizohen më pas.
2.- Ky ligj del në kushtet kur Shqipëria ka nënshkruar dhe është bërë palë në një numër paktesh e konventash të reja ndërkombëtare pas 1995, në krahasim me periudhën kur ishte në veprim ligji i parë; për më tepër, kemi miratimin me referendum të Kushtetutës së Shqipërisë.
Pas pranimit të Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës, më 13 korrik të vitit 1995, në kuadrin e KE vëndi ynë ka ratifikuar një numër të madh dokumentesh të hartuara dhe miratuara nga KE, ndër të cilat mund të përmendim: Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, 1951, (ratifikuar me ligjin 8137, datë 31.07.1996); Protokollet 1, 2, 4, 6, 7, 11, 12 dhe 14 dhe ka nënëshkruar Protokollin Nr. 13 të kësaj Konvente; Marrëveshjen Evropiane për Personat që marrin Pjesë në Proçedurat para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; Konventën Evropiane për Ndalimin e Torturës; Kartën Sociale Evropiane të Ndryshuar; etj. etj. Por, mbi të gjitha, ndërhyn mbrojtja e të drejtave nga Kushtetuta e RSH.
Konkretisht, referuar nenit 26 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, nenit 14 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (Amenduar sipas Protokollit nr. 11, shoqëruar nga Protokolli shtojcë dhe protokollet nr. 1, 4, 6, 7, 12, 13 dhe 14.) dhe nenit 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, mund të perifrazojmë:
…Tëgjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe kanë të drejtë për një mbrojtje të barabartë të ligjit pa asnjë dallim. Gëzimi i çdo të drejte të sanksionuar me ligj sigurohet pa bërë dallim për ndonjë shkak të caktuar, si …origjina …shoqërore (etj, etj.), …pasuri, prejardhje ose ndonjë status tjetër dhe askush nuk diskriminohet nga ndonjë autoritet publik për ndonjë nga shkaqet e përmendura.
E njëjta frymë reflektohet edhe nga Kushtetuta e RSH, ku sanksionohet: Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore… etj, janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. (neni 3.) E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. (neni 4, pika 1.) Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. (neni 15, pika 1). Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. (neni 18, pika 1.)
Debatet dhe keqkuptimet fillojnë të çfaqen kur vjen fjala te kufizimi i këtyre të drejtave. Kushtetuta e RSH lejon kufizimin e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut të sanksionuara në të, me kusht që ato të bëhen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe ky kufizim duhet të jetë në përpjestim me gjëndjen që e ka shkaktuar atë. (neni 17, pika 1) “Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e të drejtave dhe lirive dhe, në asnjë rast, nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ”, sanksionohet në Kushtetutë. (neni 17, pika 2.) Ky nen thërret në mënyrë të drejtpërdrejtë KEDNJ, duke e bërë atë pjesë të Kushtetutës si dhe duke i garantuar asaj statusin më të lartë në hierarkinë e normave juridike në RSH. (7)
Mirëpo në nenet 170-176, Kushtetuta e RSH përcakton rastet që lejojnë kufizimin ose ndalimin e kufizimit në lidhje me disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, duke mos përjashtuar kufizimin e të drejtave dhe lirive të tjera në plotësim të kushteve të përcaktuara nga neni 17 i saj. Nga ana tjetër, duke sanksionuar që, “askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht” për shkaqe të tilla si gjinia, rraca, feja…, gjendja …sociale, …etj, etj, (neni 18, pika 2), Kushtetuta ka përfshirë konceptin e drejtësisë për rastet e tjera të arsyetimit të këtyre kufizimeve, me argumentin e një “përligjjeje të arsyeshme dhe objektive” (neni 18, pika 3.)
Por pavarësisht nga ky artific (apo synim i përgjithshëm), përveç pohimit kategorik të nenit 17, pika 1, se në asnjë rast nuk mund të tejkalohen kufizimet e parashikuara në KEDNJ, Kushtetuta e RSH sanksionon gjithashtu, që “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të” (neni 5) dhe se “çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik… Ajo zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur nuk është e vetëzbatueshme dhe zbatimi i saj kërkon nxjerrjen e një ligji….Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të.” (neni 122.)
Në këto kushte nuk mbetet rrugë tjetër, veçse t’u referohemi kufizimeve të përcaktuara sipas konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Për këtë qëllim mund të shërbejnë referencat nga neni 29, i Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut (1948), neni 25 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, si dhe nenet 4 e 5 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.
Një kuptim i përgjithshëm lidhur me kufizimet sipas 4 neneve të lartpërmendura, mund të nxiret duke cituar : …Në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të veta, gjithkush do t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të cilat janë parashikuarme ligj… Këto të drejta dhe liri nuk mund të zbatohen në asnjë rast kundër qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara. …Çdo qytetar ka të drejtën dhe mundësinë, pa asnjë dallim …për shkak të …origjinës …shoqërore (etj.,) dhe pa kufizime të paarsyeshme: …(c) të pranohet, në kushte të përgjithshme barazie, të kryejë funksione publike në vendin e tij. …Shtetet palë në këtë pakt pranojnë se, …shteti mund t’ua nënshtrojë këto të drejta vetëm kufizimeve të parashikuara me ligj, në atë masë që pajtohet me natyrën e këtyre të drejtave dhe vetëm për të favorizuar mirëqenien e përgjithshme në një shoqëri demokratike. …Nuk mund të pranohet asnjë kufizim apo anulim i të drejtave themelore të njeriut, që janë të njohura ose janë në fuqi në çdo vend në bazë të ligjeve, konventave, rregulloreve ose zakoneve, me pretekstin se ky pakt nuk i njeh ato ose i njeh në një shkallë më të vogël.” (Referencat e plota ndodhen te materiali bashkëlidhur.)
Ndërsa përcaktimin më konkret dhe të drejtpërdrejtë të këtyre kufizimeve, mund ta gjejmë te neni 15 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (PNDCP) dhe neni 7 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (KMDNJ), me ndryshimet.
Konkretisht, nga PNDCP (1966), (aderuar nga RSH më 1991), citojmë: Askush nuk do të dënohet për veprime ose mosveprime të cilat nuk përbëjnë shkelje sipas së drejtës kombëtare ose ndërkombëtare në kohën kur janë kryer…. (neni 15, pika 1.) …Asgjë në këtë nen nuk duhet interpretuar sikur është kundër gjykimit ose ndëshkimit të çdo njeriu për veprime ose mosveprime të cilat, në kohën që janë kryer, janë cilësuar si kriminale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga të gjithë kombet (bashkësia ndërkombëtare). (neni 15, pika 2.)
Ndërsa nga KMDNJ (1951) me ndryshimet e mëvonshme, (ratifikuar nga RSH me ligjin 8137, datë 31.07.1996) citojmë: …Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që në çastin kur është kryer nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës kombëtare ose ndërkombëtare… (neni 7, pika 1.) Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi fajtor për një veprim ose një mosveprim, i cili në çastin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e qytetëruara.” (neni 7, pika 2.)
Pra me kalimin nga PNDCP te KMDNJ kemi dy saktësime: nga ‘shkelje sipas së drejtës kombëtare ose ndërkombëtare’ në ‘vepër penale sipas të drejtës kombëtare osen dërkombëtare’; nga ‘sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga të gjithë kombet (bashkësia ndërkombëtare)’ në ‘sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga kombet e qytetëruara’.
Në këtë mënyrë, duket se kufizimet lidhen jo me çfarëdolloj veprimi ose mosveprimi kriminal, që në vëndin e dhënë dhe çastin e kryerjes nuk janë konsideruar si kriminale, por vetëm me proçedimin për ato lloj veprash penale që, megjithëse në çastin e kryerjes nuk klasifikoheshin si vepra penale, ato konsideroheshin të tilla ‘sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara’. Sipas Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ose siç quhet ndryshe – Statuti i Romës, këto vepra penale janë: a) krimi i genocidit, b) krimet kundër njerëzimit, c) krimet e luftës, dhe d) krimi i agresionit. Ndërsa sipas Kushtetutës së RSH parashikohen vetëm krimi i genocidit dhe krimet kundër njerëzimit, (neni 29, pika 2) duke mos përmendur krimet e luftës dhe krimin e agresionit, meqë Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në veprime të tilla, si këto dy të fundit.
Kjo është edhe logjika e Rezolutës 1481 (2006) për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste, ku një ndëshkim i tillë penal mund të jepet nga kjo Gjykatë Ndërkombëtare dhe vetëm për katër llojet e krimeve që mbulon sipas Statutit të Romës. Është tjetër gjë pastaj ndëshkimi nga gjykatat vëndase përmes proçedimit penal, në rastet e veprave penale të kryera në shkelje ose kapërcim të ligjeve të kohës, në se nuk janë parashkruar.
Përndryshe, nuk mund të ketë penalizime jashtë të drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare, pavarësisht perceptimeve për çështjet e tjera të diskutueshme, për rastet që nuk klasifikoheshin si vepra penale nga pikëpamja e legjislacionit vëndas. Sepse nuk lejojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e tjera të sanksionuara për mbrojtjen e personit, që janë cituar pak më sipër. Mjafton të rikujtojmë detyrimin nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, neni 5, pika 2, sipas të cilit “…Nuk mund të pranohet asnjë kufizim apo anulim i të drejtave themelore të njeriut që janë të njohura ose janë në fuqi në çdo vend në bazë të ligjeve, konventave, rregulloreve ose zakoneve, me pretekstin se ky pakt nuk i njeh ato ose i njeh në një shkallë më të vogël.”
Përsa u përket kufizimeve me anë të masave administrative të lustracionit apo dekomunistizimit ato nuk kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme të së drejtës apo me konventat dhe marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare dhe nuk kanë qenë pjesë e rekomandimeve të drejtpërdrejta nga KE, por thjesht janë produkt i disa masave të vetë vëndeve ish komuniste të Lindjes, që KE është kujdesur t’i korrektojë sipas parimeve të veta, duke i kushtëzuar me plotësimin e disa standarteve, që kufizonin zbatimin e masave të tilla vetëm për funksionet e larta drejtuese, sikurse konstatohet te pika në vijim.
3.- Ky ligj nuk iu përgjigjet synimeve të asnjërës prej Rezolutave nr. 1096 (1996) dhe nr. 1481 (2006) të Asamblesë Parlamentare të KE lidhur me masat për çrrënjsojen e trashëgimisë komuniste dhe me nevojën për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste. Përkundrazi, sidomos Rezoluta 1481 (2006) kërkon tjetër gjë.
Një nga qëllimet kryesore të Rezolutës nr. 1096 (viti 1996), “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve ish-komuniste totalitare”, (8) ka qenë ndëshkimi në nivel kombëtar i krimeve të kryera gjatë regjimeve totalitare komuniste në lidhje me dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Sipas pikës 7 të Rezolutës, Asambleja rekomandon:
– Proçedimin penal të akteve kriminale të realizuara nga indivdë të veçantë gjatë regjimeve komuniste totalitare dhe ndëshkimin e tyre sipas Kodit Penal në fuqi të shtetit përkatës, por duke kujtuar se “nuk është e lejueshme që të dekretohen dhe aplikohen ligje penale me prapaveprim.”
– Proçedimin dhe ndëshkimin e ndonjë personi për ndonjë veprim apo mosveprim, që megjithëse në kohën e kryerjes nuk ka përbërë ndonjë vepër penale sipas ligjit kombëtar, në fakt “ka qenë konsideruar e penalizueshme sipas parimeve të përgjithshme ligjore të miratuara nga kombet e qytetëruara.” (Sipas Kushtetutës së RSH, këtu fjala shkon vetëm për krimin e genocidit dhe krimet kundër njerëzimit.)
– Shqyrtimin e paligjshmërisë dhe të ‘fajësisë individuale’ edhe në rastet, kur ‘një person ka vepruar qartësisht duke dhunuar të drejtat e njeriut’, pavarësisht pretendimeve nëse veprimet kanë qenë në zbatim të urdhërave nga instancat eprore.
Në pikën 9, Rezoluta 1096 (1996) shprehet, se Asambleja mirëpret hapjen e dosjeve të policisë sekrete për publikun në disa vende ish-komuniste totalitare dhe “këshillon të gjitha vëndet e interesuara të aftësojnë personat e dëmtuar, që të marin në shqyrtim – me kërkesën e tyre – dosjet që shërbimet e fshehta kishin përgatitur për ta.” Në këtë mënyrë, Rezoluta ka inkurajuar edhe vëndet e tjera që të ecin në këtë rrugë, por deri në atë kohë (1996) pa adresuar ndonjë rekomandim më konkret për hapjen e të githa arkivave – lidhur me krimet e regjimeve totalitare komuniste në tërësi (sikurse kërkohet nga Rezoluta 1481 (2006).)
Ndërsa pika 11 e Rezolutës 1096 (1996) i referohet faktit të ndërmarjes nga disa shtete të masave administrative lidhur me lustracionin apo dekomunizimin ndaj “personave të cilët nuk kanë kryer krime por që mund të proçedohen sipas pikës 7 (të paraqitur përmbledhtazi si më sipër), e që gjithësesi kanë mbajtur pozita të larta gjatë regjimeve të dikurshme komuniste totalitare”, por pa u shprehur ndokund nëse këto masa administrative qëndrojnë edhe si rekomandime të Asamblesë Parlamentare të KE.
Përkundrazi, rekomandimet e Asamblesë ndalen tek kujdesi dhe kufizimet në aplikimin e masave të tilla, duke ruajtur fokusimin kryesor te nevoja e ‘proçedimit penal’ të krimeve komunsite në nivel kombëtar. Madje, edhe rastet e lustracionit Rezoluta i shikon të lidhuara me ndonjë nga elementët e çështjes së 3-të te pika 7 (e cituar si më sipër), në varësi të spektrit të përgjigjjeve që mund t’i jepen pyetjes, se cilat mund të jenë ato veprime qartësisht të dallueshme, që kanë dhunuar të drejtat e njeriut, çka nënkupton fajësinë individuale të personit.
Sipas Udhëzuesit (Doc. 7568, 3 qershor1996) (9) të ekspertëve të Asamblesë Parlamentare të KE në mbështetje të Rezolutës 1096 (1996), shkronja ‘ j ’, përcaktohet që “lustracioni do të imponohet vetëm lidhur me akte, në punësim apo anëtarësim realizuar prej 1 janarit 1980 deri në rënien e diktaturës komuniste, pasi që ka pak gjasa që dikush i cili nuk ka kryer dhunim të të drejtave të njeriut gjatë dhjetë vitevetë fundit do ta bëjë një gjë të tillë në vijim (ky kufi kohor sigurisht që nuk do të aplikohet për dhunimet e të drejtave të njeriut proçeduar sipas ligjeve penale).” Pyetja shtrohet – po gjatë 18 vjetëve të fundit pas këtij 10 vjetëshi, çfarë gjasash mund të ketë ?
Kjo mënyrë të kuptuari e Rezolutës duket akoma më bindëse po t’i referohemi edhe Rezolutës tjetër të Asamblesë, që ka dalë 10 vjet më pas, pra Rezoltuës nr. 1481 (2006) mbi “Nevojën e ndëshkimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste.” (10) Nëse Rezoluta 1096 (1996) ishte “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve ish-komuniste totalitare” dhe kishte të bënte kryesisht me proçedimin penal dhe ndëshkimin e personave të inkriminuar në nivel kombëtar, Rezoluta e 2006-ës (nr.1481) flet për ngritjen e këtyre proçedimeve dhe ndëshkimeve deri në nivel ndërkombëtar.
Pra duket se te Rezoluta e 2006-ës nuk hyjnë kurrkund masat administrative të lustracionit. Madje rikthimi te masat administrative të lustracionit mund të perceptohet si një lloj përpjekjeje për të devijuar nga qëllimi final i Rezolutës së 2006-ës, “Për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste.”
Qëllimi kryesor i Rezolutës 1481 (2006) është ‘hetimi ndërkombëtar i krimeve të realizuara nga regjimet komuniste totalitare’ dhe ‘vënia e autorëve të këtyre krimeve para gjyqit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare’, njësoj sikurse u veprua ‘me krimet e urryera të realizuara nga nacional-socializmi (nazizmi).’ (Paragrafi 5). Kjo kërkesë ka të bëjë me ‘detyrën e bashkësisë ndërkombëtare’ për një ‘pozicionim të qartë lidhur me krimet e kryera nga regjimet komuniste totalitare’ (paragrafi 10.) Për këtë arësye, ‘Këshilli i Evropës është i mirëpozicionuar për një debat të këtillë ndërkombëtar’, duke kujtuar me këtë rast edhe detyrimet e vendeve anëtare në kuadrin e këtij Këshilli (paragrafi 11.) Duke ecur në këtë linjë shpresohet, se ‘ky pozicionim i qartë i bashkësisë ndërkombëtare do të sheshojë rrugën për paqëtim të mëtejshëm’ dhe do të ‘inkurajojë historianët në mbarë botën që të vazhdojnë kërkimet e tyre, me qëllim përcaktimin dhe verifikimin objektiv të gjithëçkaje ka ndodhur.’ (Paragrafi 14.)
Ndërsa nga rekomandimet në Draft-Rekomandimet (11) e Asamblesë Parlamentare të KE (në mbështetje të Rezolutës 1418/2006), veçojmë atë për ngritjen e komiteteve të përbëra nga ekspertë të pavarur – njëri në nivel evropian (nga Komiteti i Ministrave të KE), dhe tjetri në nivel kombëtar nga çdo vend pjestar i KE, ku nga komiteti i ekspertëve të çdo vendi kërkohet një bashkëveprim i ngushtë me komitetin e ekspertëve të Këshillit të Evropës.
Detyra e komitetit të ekspertëve në nivel kombëtar rekomandohet të jetë ‘për grumbullimin dhe vlerësimin e informacioneve mbi dhunimin e të drejtave të njeriut nga regjimet totalitare komuniste në nivel kombëtar’ ndërsa detyra e komitetit të ekspertëve të këshillit të Europës rekomandohet të jetë ‘grumbullimi dhe vlerësimi i informacionit dhe legjislacionit mbi dhunimin e të drejtave të njeriut në regjimet e ndryshme totalitare komuniste’.
Si instrument kryesor për mbarëvajtjen e punës së këtyre komiteteve duket se mund të shërbejë rekomandimi tjetër i draft-rezolutës për rishikimin dhe përputhjen e legjislacionit kombëtar me rekomandimet e Komitetit Ministror (2000) nr.13 mbi politikën europiane të aksesit ndër arkivat. (12) Domethënë, në se Rezoluta 1096 (1996) ndalej vetëm te arkivat e policisë sekrete (prej nga me sa duket nuk u arritën rezultatet e shpresuara në drejtim të proçedimeve penale në nivel kombëtar), Rezoluta 1481 (2006) iu referohet hapjes së të gjitha arkivave, si dhe grumbullimit dhe vlerësimit të informacionit dhe legjislacionit (për të arritur deri te proçedimi penal në nivel ndërkombëtar.)
Pra duke krahasuar rekomandimet midis draft-rezolutave nr. 1096 (1996) dhe nr. 1481 (2006) rezulton se te e para flitet për një ‘Komision të pavarur’ të përbërë nga ‘qytetarë të nderuar’, ndërsa te e dyta flitet për një ‘Komitet ekspertësh’; te draft-rezoluta e parë komisioni është vetëm në nivel kombëtar, ndërsa te draft-rezoluta e dytë veç komitetit të ekspertëve në nivel kombëtar kemi edhe një komitet ekspertësh në nivel të KE; sipas rekomandimeve të draft-rezolutës së parë komisioni ka për detyrë administrimin e masave të lustracionit, që nuk janë gjë tjetër veçse masa administrative, ndërsa sipas rekomandimeve të draft-rezolutës së dytë komitetet kanë për detyrë grumbullimin dhe vlerësimin e informacionit dhe legjislacionit mbi dhunimin e të drejtave të njeriut në regjimet totalitare komuniste, në funksion të ‘nevojës për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste’ dhe ‘vënies së autorëve të këtyre krimeve para gjyqit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare’.
Shkurt, Rezoluta 1481 (2006) duket se nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me masat administrative të lustracionit, por lidhet kryesisht me theksimin e nevojës ‘për ndëshkimin ndërkombëtar të regjimeve totalitare komuniste’, me ‘nevojën urgjente për një debat të thellë dhe përmbyllës ndërkombëtar mbi krimet e shkaktuara nga regjimet totalitare komuniste’, si dhe me interesin e KE-së ‘për të marë një pozicion të qartë lidhur me krimet e shkaktuara nga regjimet totalitare komuniste’.
Për ta vërtetuar këtë mendim mjafton të krahasojmë se ‘Komisioni qytetar’ për administrimin e lustracionit do mund të mbështetej kryesisht (apo vetëm) te aksesi në arkivat e policisë sekrete ndërsa komisioni i ekspertëve dhe gjithë qytetarët e interesuar mendohet të mbështeten te aksesi i të gjitha arkivave, si te arkivat publike ashtu dhe te ato private – kudo që të jetë e mundur. Objekti i fokusimit të ‘Komisionit qytetar’ të lustracionit ishin punonjësit e administratës publike që nuk kishin kryer krime por kishin mbajtur funksione të larta në administratën komuniste ose ishin të implikuar me atë regjim; përkundrazi, objekti i ‘Komitetit të ekspertëve’ mendohet të jenë personat e inkriminuar në regjimin komunist – për më tepër me atributet për t’u akuzuar nga një gjykatë ndërkombëtare. Prandaj kërkohet që ‘Komiteti i ekspertëve’ të meret jo vetëm me grumbullimin dhe vlerësimin e informacionit por edhe të legjislacionit.
Në këtë kontekst, duket se nismëtarët e projekt-ligjeve për ‘hapje dosjesh’ apo ‘pastërti figurash’ janë fokusuar kryesisht në detyrat e ‘komisioneve të pastërtisë’, por vërehet mungesë totale përgatitjeje, se çfarë mund të jenë ose çfarë duhet të bëjnë ‘komisionet eksperte’ për ‘hapjen e arkivave’.
…
Vijon me pjesën e II-të…
Bujar Abedinaj.
Shënimet:
(1) Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, i ndryshuar.
(2) “Të drejtat e Njeriut”, botim i II, 2008, Tiranë. Autor Jordan Daci, MA për Të Drejtat e Njeriut dhe në përfundim të doktoraturës.
(3) Doc. 7568, 3 June 1996. Measures to dismantle the heritage of former communist totalitarian systems. REPORT[1] Rapporteur: Mr SEVERIN, Romania, Socialist Group [1]. By the Committee on Legal Affairs and Human Rights. D. The problem: achieving justice without violating human rights. Guidelines to ensure that lustration laws and similar administrative measures comply with the requirements of a state based on the rule of law (a-m).
http://assembly.coe.int//Mainf.asp?link=http://assembly.coe.int/Documents/WorkingDocs/doc96/EDOC7568.htm
(4) Ligji nr. 8280, datë15.01.1998, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, ndryshuar me ligjin nr. 8151, datë 12.09.1996, nr. 8220, datë 13.05.1997 dhe nr. 8232, datë 19.08.1997.”
(5) Doc. 7568, 3 June 1996. Measures to dismantle the heritage of former communist totalitarian systems. REPORT[1] Rapporteur: Mr SEVERIN, Romania, Socialist Group [1]. By the Committee on Legal Affairs and Human Rights. D.The problem: achieving justice without violating human rights. Guidelines to ensure that lustration laws and similar administrative measures comply with the requirements of a state based on the rule of law (a-m).
http://assembly.coe.int//Mainf.asp?link=http://assembly.coe.int/Documents/WorkingDocs/doc96/EDOC7568.htm
(6) RESOLUTION 1096 (1996)1 on measures to dismantle the heritage of former communist totalitarian systems. 1. Assembly debate on 27 June 1996 (22nd Sitting) (see Doc. 7568, report of the Committee on Legal Affairs and Human Rights, rapporteur: Mr Severin). Text adopted by the Assembly on 27 June 1996 (23rdSitting). http://assembly.coe.int//Mainf.asp?link=http://assembly.coe.int/Documents/AdoptedText/ta96/ERES1096.htm
(7) F.343 e librit nga është cituar.
(8) RESOLUTION 1096 (1996)1 on measures to dismantle the heritage of former communist totalitarian systems. 1. Assembly debate on 27 June 1996 (22nd Sitting) (see Doc. 7568, report of the Committee on Legal Affairs and Human Rights, rapporteur: Mr Severin). Text adopted by the Assembly on 27 June 1996 (23rdSitting). http://assembly.coe.int//Mainf.asp?link=http://assembly.coe.int/Documents/AdoptedText/ta96/ERES1096.htm
(9) Doc. 7568, 3 June 1996. Measures to dismantle the heritage of former communist totalitarian systems. REPORT[1] Rapporteur: Mr SEVERIN, Romania, Socialist Group [1]. By the Committee on Legal Affairs and Human Rights. D. The problem: achieving justice without violating human rights. Guidelines to ensure that lustration laws and similaradministrative measures comply with the requirements of a state based on the ruleof law (a-m).
http://assembly.coe.int//Mainf.asp?link=http://assembly.coe.int/Documents/WorkingDocs/doc96/EDOC7568.htm
(10) Resolution 1481 (2006)1 Need for international condemnation of crimes of totalitarian communist regimes. (1. Assembly debate on 25 January 2006 (5th Sitting) (see Doc. 10765,report of the Political Affairs Committee, rapporteur: Mr Lindblad). Text adopted by the Assembly on 25 January 2006 (5th Sitting).) http://assembly.coe.int/Mainf.asp?link=/Documents/AdoptedText/ta06/Eres1481.htm
(11) Doc. 10765, 16 December 2005. (Need for international condemnation of crimes of totalitarian communist regimes. Report. PoliticalAffairs Committee. Rapporteur: Mr Göran Lindblad, Sweden,Group of the European People’s Party. II-Draftrecommendation.)
http://assembly.coe.int/Documents/WorkingDocs/Doc05/EDOC10765.htm
(12) Recommendation No. R (2000) 13 of the Committee of Ministers to member states on a European policy on access to archives. (Adopted by the Committee of Ministers on 13 July 2000, at the 717thmeeting of the Ministers’ Deputies) https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?id=366245.
….
Burime të tjera:
1.- Prjekt-ligji “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, të miratuar nga Komisioni iLigjeve të Kuvendit, (siguruar privatisht.)
2.- Libri ‘Të Drejtat e Njeriut’, 436 faqe, me autor Jordan Daci, MA (Ph.D Candidate); botimi i dytë, Tiranë, shtator 2008. (ISBN 99943-47-93-3.)
3.- Revista “Tranzicioni Shqiptar dhe të Përndjekurit, 7.” Botim i Qendrës Shqiptare të Traumës dhe Torturës (QSHRT), nr-7, Tiranë, 2006.
4.- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me ndryshimet.
5.- Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, nr.11, datë 30.10.2006, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri.”
http://www.qpz.gov.al/doc.jsp?doc=docs/Rezolute%20Nr%2011%20Datë%2030-10-2006.htm
Burimi – Facebook


Leave a Reply