
Erinda Kaçorri ishte nisur për tek i fejuari, me kushëririn e tij, por u dogjën në kamionin ku gjendeshin në një portin e Dynkerkut
Dashamir Biçaku
Dy të rinj të cilët dyshohet se janë shqiptarë u dogjën në një kamion që ishte i ndaluar në një terminal në një port të Francës, ndërsa pritej të nisej në drejtim të Anglisë. Ngjarja ndodhi gjatë mbrëemjes së të mërkurës, rreth orës 19:00, kur kamioni në të cilin ndodheshin mori flakë për motive ende të pakonfirmuara, por dyshimet e policisë flasin për një zjarr të shkaktuar nga një cigare e harruar e ndezur në karrocerinë e kamionit të peshës së rëndë. Nga në pak minuta, kamioni që ndodhej në terminalin e portit u shkrumbua tërësisht ndërsa shoferi i automjetit nuk ndodhej aty në ato momente. Sipas mediave franceze që iu referohen policisë lokale në në qytetin Dunkirk, dy personat dyshohet se mund të jenë dy shqiptarë, të identifikuar si Rexhë Myzyraj nga Kukësi dhe Erinda Kaçorri nga Rrësheni 22 vjeçe.


Trupat e dy personave u gjetën të karbonizuar në daljen e pasme të derës së kamionit, çka sipas ekspertëve tregojnë se të dy personat ishin përpjekur për të dalë nga kamioni që ishte në flakë. Të dy personat dyshohet se ishin nisur nga Franca në drejtim të Anglisë. Erinda Kaçorri, sipas burimeve të policisë, ishte nisur në drejtim të Anglisë së bashku me Rexhë Myzyraj, nga Hasi, i cili mësohet se ishte edhe kushëri i të fejuarit të vajzës. Të dy ata mësohet se kishin hipur në Francë në kamionin që transportonte polisteroli që drejtohej nga një polak, me shpresën për të kaluar në Angli, ku vajzën e priste i fejuari i saj.
Dje pas dhënie së lajmit, familja e vajzës, në Rrëshen ka hapur dyert e mortit, pasi kanë marrë vesh lajmin, ndërsa disa pjesëtarë të tyre janë nisur në drejtim të Francës për të kryer identifikimin e trupave nëpërmjet kampioneve të ADN-së për krahasim. Pavarësisht kësaj ata ende nuk janë të bindur për faktin nëse trupi i femrës i gjetur në kamion ishte i të afërmes së tyre apo jo, ndërsa kanë kërkuar ndihmën e shtetit, për identifikimin e tyre. Për konfirmimin e identiteteve të të dy personave, autoritetet franceze kanë nisur veprimet e tyre mjeko- ligjore, nëpërmjet marrjes së mostrave të ADN-së për krahasim. Ndërkaq hetuesit e policisë franceze lidhur me ngjarjen, arrestuan në kushtet e flagrancës, me akuzën e kontrabandimit të njerëzve me pasojë djegien e tyre në kamion. Autoritetet hetimore në Dynkerk (Dunkerque), morën në pyetje shoferin polak të kamionit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia.
Ai gjatë deklarimeve të tij, sipas referimeve të mediave franceze mësohet të ketë thënë se nuk kishte dijeni për faktin se në karrocerinë e kamionit të tij, kishin hipur njerëz që tentonin të kalonin ilegalisht në drejtim të Britanisë së Madhe. Kjo e fundit është një ndër shtetet që nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e Shengenit, dhe hyrja e qytetarëve në këtë shtet si dhe në Irlandë është e lejuar vetëm me vizë të lëshuar nga autoritetet britanike. Ndërkaq shoferi polak, mësohet se ka refuzuar kategorikisht të pranojë që kishte dijeninë e tij mbi praninë e dy personave që tentonin të hynin në mënyrë të paligjshme në Angli.
Sipas policisë franceze, kamioni ka kryer të gjitha procedurat doganore në pritje të nisjes së tij në drejtim të Anglisë, me traget kur edhe kishte ndodhur ngjarja. Policia franceze ka bërë ndalimin e drejtuesit të kamionit. Teksa është marrë në pyetje nga Prokuroria, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni se në pjesën e pasme të mjetit që drejtonte kishte emigrantë. Nga pamjet e publikuara në mediat franceze, shihet se kamioni është shkrumbuar i tëri jashtë terminalit të trageteve në portin Lon-Plazh (Loon Plage). Shumë shqiptarë kanë zgjedhur mënyrat e emigrimit klandestin pasi Britania është një ndër shtetet e Bashkimit Europian që nuk pranon liberalizmin e vizave për vende që nuk janë përfshirë ende në këtë Union. Ndërsa marrja e një vize në ambasadën britanike ka në përmbajtje procedura gati të pamundura të realizohen nga shqiptarët.
Motra e Kaçorrit: I fejuari i Erindës na njoftoi për ngjarjen
Familja e 25-vjeçares në Rrëshen ka hapur dyert e mortit, ndërsa e motra e saj Blerta Kaçorri, tha dje për televizionin A1 REPORT se Erinda ishte nisur para një jave drejt Francës dhe si synim kishte mbërritjen në Angli. Ajo shton se motrës së saj i ishte refuzuar dy herë dhënia e vizës nga ambasada britanike në Tiranë, ndërsa lajmin për ngjarjen tragjike e kanë marrë nga i fejuari i Erindës në Angli. Familjarët e Kaçorrit, pas kësaj janë nisur në drejtim të Francës për të bërë verifikimet e nevojshme. Ata i bënë thirrje shtetit t’i ndihmojë me procedurat doganore, teksa shton se shpresat që mund të ketë një ngatërresë ende nuk janë shuar. Gjatë ditës së sotme pritet të dalin rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet e kësaj tragjedie që i mori jetën dy shqiptarëve.
Në lidhje me hetimet, prokurori i Dynkerkut, Erik Fuard (Eric Fouard), tha për agjencinë franceze të lajmeve AFP. “Nuk është për t’u habitur, pasi mund të mos ketë asnjë akuzë për rënien e zjarrit pasi dyshohet se origjina e zjarrit mund të jetë aksidentale, ndërsa gjithçka varet gjetjet e ekspertëve që do të duhej të bënin sërish një këqyrje të dytë në kamion, por gjithçka duket thjesht aksidentale”, tha prokurori i Dynkerkut (Dunkerque) Erik Fouard. Dje sipas agjencisë AFP, së cilës i referohen mediat franceze, duhej të ishte kryer autopsia e trupave të karbonizuar nga organet e zjarrit. Nëpërmjet saj, prokurori shpresonte që nëpërmjet saj të kishte një konfirmim të plotë mbi identitetin apo origjinën e dy viktimave. “Në qoftë se ata janë emigrantë në një situatë të parregullt, ata janë njerëz që jetojnë në situata të ndërlikuara të njeriut dhe nuk kanë familje në Francë”,- tha Fuard.
Shekulli


Leave a Reply