Pasi ka marrë titullin “Qytetar Nderi” të Komunës së Preshevës, Rama ka mbajtur një fjalim të gjatë në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. Kryeministri shqiptar, ka premtuar për më shumë punë për të drejtat e çdo shqiptari në Evropë dhe ka pranuar se i kërkoi kryeministrit serb Vuçiç, që Lugina e Preshevës të ketë të drejta të barabarta si pjesa e Veriut të Kosovës ku ka një pakicë serbe. Rama ka thënë se respektimi i të drejtave të minoriteteve në Shqipëri dhe Kosovë duhen marrë si shembuj të mirë. Ai shtoi se duhet punuar për të shkuar drejt Evropës së përbashkët dhe jo për ‘Shqipërinë e Madhe’.
Diplomat me Serbinë
Rama zbuloi se në një marrëveshje të orëve të fundit me Vuçiç, ka nënshkruar për njohjen reciproke të diplomave të studentëve me Serbinë: “Pas një diskutimi intensiv me Vuçiç dhe ekipin qeveritar serb, në orët e fundit të mbrëmjes, kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e diplomave të të rinjve, sepse për ne është e veçantë edhe njohja reciproke e diplomave. Kemi hapur një marrëdhënie të re mes Shqipërisë dhe Serbisë, sepse kemi marrë përsipër përgjegjësinë që na takon. Që brezat tanë, të mos trashëgojnë traumat e një konflikti jashtëzakonisht të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe serbë, nuk e meritojnë. Dhe kjo është një përgjegjësi që Shqipëria e ka si detyrim”.
Larg së shkuarës, drejt paqes
Rama ka premtuar se ka ikur koha e urrejtjes dhe dhunës për t’i lënë vendin mundësisë historike për paqe. “Do të bëjmë çmos t’i japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari, pavarësisht ku punon, jeton apo ku ndodhet. Kjo është një mundësi historike që ka munguar për shekuj, e identifikuar botërisht me luftën, urrejtjen e ndasinë. Kemi mundësinë historike ta kthejmë këtë në një moment paqeje. Do t’i shuajmë brengat e së shkuarës, që prekin mendjen e fëmijëve. Do t’i heqim të gjitha pengesat që ndalojnë një vajzë dhe një djalë me kombësi shqiptare që të ndihet i barabartë mes të barabartëve, pavarësisht se ku jeton. Është një detyrim kushtetues, jo politik, moral e qeveritar. Kush e ka të vështirë të ndahet nga e shkuara, nuk jemi ne, sepse ne duam të jemi evropianët e rinj të këtij rajoni”, – deklaroi Rama.
Të drejtat e minoriteteve
Rama theksoi se respektimi i të drejtave të minoriteteve është i rëndësishëm për një vend që kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian: “Shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës, mund të jemi me plot gojën krenarë për mënyrën sesi i respektojmë komunitetet. Dhe me këtë, kemi të drejtë të kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga të tjerët. Në Shqipëri ka një komunitet grek që nuk ndjen për asnjë çast, asnjë dallim dhe jo më një diskriminim në raport me shqiptarë. Ka një minoritet shumë të vogël maqedonas që nuk ndjen asnjë dallim e asnjë diskriminim në raport me popullsinë shqiptare, por do të ketë së shpejti edhe bashkinë e vet me ndarjen e re territoriale. Atë që duam për veten tonë, nuk mund t’ia mohojmë tjetrit. Por atë që i japim tjetrit, nuk mund të na e mohojnë. Shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë gjë që i takon tjetrit, sepse shqiptarët nuk kanë rënë kurth të nacionalizmit për të hapur luftëra, jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë, sepse shqiptarët kanë ditur të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv, me rrugën paqësore”.
Betejë për Evropën, jo për Shqipërinë e Madhe
Kreu i qeverisë e ka bërë edhe një herë të qartë, se termi ‘Shqipëri e Madhe’ është një ankth për të tjerët, pasi ka ardhur koha për një betejë të ashpër për Evropën e madhe. “Ia bëra të qartë Vuçiçit gjatë takimit kokë më kokë, se ne shqiptarët nuk jemi në një betejë të përbashkët për një ‘Shqipëri të Madhe’, por për një betejë të ashpër për një Evropë të madhe, ku duhet t’i përfshijë të gjithë shqiptarë bashkë me të tjerët. Jemi me të drejtën e Zotit dhe vendit për të mos u ndjerë diskriminues me të tjerët. Kjo është sfida jonë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk duhet të kenë më pak të drejta dhe të diskriminohen se serbët e Veriut të Kosovës. Çështja e Luginës së Preshevës është themeltare. Le të bëjmë së bashku histori aty ku duam dhe për aty ku jemi nisur dhe që është Bashkimi evropian”.
(gazeta-Shqip.com)
Leave a Reply