
Qëndrimi pro-Vuçiçit i ish-ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, lidhet me detyrën që ky i fundit ka në Beograd.
Në tetor të vitit 2013, agjencia italiane e lajmeve “ANSA” raportonte se Fratini do të jetë këshilltar pa pagesë i qeverisë serbe gjatë procesit të integrimit evropian të Serbisë.
Më tej agjencia shkruan se Fratini e ka pranuar këtë detyrë më 7 tetor të vitit të shkuar pasi ka njohje personale me Aleksandar Vuçiçin.
“Sapo kam ardhur në Beograd dhe pas takimit me ministrat serbë, ekipi do të negociojë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, shkruante në faqen e tij në “Twitter” Fratini.
Ish-zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian është shprehur i impresionuar nga reagimi i kryeministrit serb Vuçiç, gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij shqiptar Edi Rama.
“I heq kapelën kryeministrit Vuçiç! Vetëm nëse je një lider i fortë, siç është ai, mund të reagosh në atë mënyrë”, shkruan Fratini në rrjetin social “Twitter”.
Kujtojmë se gjatë vizitës së djeshme në Beograd, kryeministri Rama gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij serb tha se Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe se duhet të njihet sa më shpejt. Kjo deklaratë tensionoi Vuçiçin, i cili hoqi kufjet e përkthimit dhe deklaroi se nuk do të lejojë askënd që të poshtërojë Serbinë.
Në fund të konferencës, me një shfaqe sa jo etike aq edhe të padëgjuar ndonjëherë më parë, Vuçiçi nuk i shtrëngoi dorën Ramës, por i tregoi derën me nervozizëm. Një shfaqe kjo që vetëm mikpritje nuk tregoi ndaj kryeministrit shqiptar, i cili vetëm sa përsëriti një të vërtetë që në Beograd është thënë me qindra herë nga diplomatë të huaj.
/Shekulli Online/E.G/


Leave a Reply