
Konsulli i nderit i Shqipërisë në Zvicër, Edwin Ruegg, u ka sugjeruar shqiptarëve që ta harrojnë sa më shpejt atë që ndodhi në ndeshjen e futbollit në udhëtimin e Shqipërisë në Serbi.
Ai ka një mendim ndryshe lidhur me polemikën që po zhvillohet pas skandalit të Beogradit dhe sidomos pas epilogut të njohur që UEFA i dha gjithë kësaj. I lutur nga albinfo.ch që të prononcohet lidhur me gjithë këtë, ai thotë:
“Për fat të keq jam vetëm pjesërisht i informuar dhe nuk jam ndonjë tifoz i madh i futbollit. Por incidenti në Serbi, duhet, sipas mendimit tim, të harrohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Ndërsa ajo që unë ua dëshiroj nga zemra shqiptarëve është të ruajnë qetësinë. Jini krenarë me mikpritjen dhe të arriturat tuaja. Këto janë pikat tuaja të forta”.
“E gjithë Zvicra dhe bota kanë parë në Brazil dhe është entuziazmuar nga ju, shqiptarët. Ne, falë djelmoshave tuaj të mirë patëm një paraqitje grandioze në Kampionatin Botëror të Futbollit. Këto kujtime të bukura kanë vlerë dhe nuk mund të ju merren kurrë. Me këtë nderim mund të shikoni të ardhmen me optimizëm”, është shprehur Ruegg për LorikCana.net.


Leave a Reply