
Kjo si pasojë e shkaqeve ekonomike, shoqërore dhe ligjore. Ka edhe një arsye tjetër: Në kulturën kolektiviste, siç ishte Shqipëria para vitit 1990, martesa funksiononte gjithë jetën, pavarësisht nga goditjet që ajo merrte dhe të çarat që pësonte, ndërsa në kulturën individuale, që është karakteristike për sistemin kapitalist, martesa vazhdon për sa kohë ka dashuri mes partnerëve. Edhe në Shqipëri kështu po ndodh përditë. Ndarja shoqërohet me shumë dhimbje e pasoja, por më mirë të ndodhë kur s’ka dashuri, sesa të vazhdojë formalisht të funksionojë. Të dashuruarit në lidhje të dyta do të ndiehen më mirë njëri me tjetrin, dashuria mes tyre ka prirje të jetë e gjatë, nëse ata ndihen të ekuilibruar dhe e përceptojnë veten duke marrë tek njëri tjetri në përpjestim me atë që japin. Dashuria pasionante, pavarësisht nga rrethanat e vështirësitë, pengesat psikosociale dhe të traditës, të kulturës dhe të subkulturës që partnerët përfaqësojnë, s’duhet të ndalet. Ajo, kur realizohet, prodhon kënaqësi për palët dhe është stresçliruese për ta. Kur vazhdon e fshehtë dhe s’mund të bashkohen, ajo është terrorizuese për të dashuruarit, është tejet stresngarkuese dhe mund t’i çojë ata në pasoja të shëndetit fizik dhe mendor. Pse jo edhe në tentativë për t’i dhënë fund jetës.
Një grua xheloze e shkallës së lartë, që të çlirohet disi nga përjetimet negative duhet të luftojë me veten e saj për t’i larguar sa më shumë mendimet e këqija të sajuara, të vërteta ose jo për burrin e saj. Pse jo edhe për të dashurin. Ajo duhet të imagjinojë dhe të fantazojë momente të bukura dashurore e seksuale që ka kaluar me bashkëshortin ose të dashurin, të dijë të sillet e të reagojë në marrëdhënie intime, të mos bëjë akuza pa u menduar mire, të ruajë qetësinë, të mendojë se ato që i kanë thënë për burrin ose të dashurin nuk janë të vërteta etj. Ja pse ajo në rrethana të tilla duhet ta vendosë veten në situata relaksimi dhe të meditojë, të dijë të bëjë dallimin mes të vërtetës, intrigës dhe sajesës që ushqejnë xhelozinë e tepruar.
Frytdhënëse dhe stresçliruese nga xhelozia e tepërt që të ka mbërthyer shpirtin është edhe ajo që në psikoterapi konsiderohet si “Teknika e vetëinstruktimit”, që do të thotë reduktim i mendimit negativ, marrje me veprimtari shoqërore e shtëpiake të dobishme, zërje të kohës me punë, që do të bënte të mundur të ndiehesh disi më qetë.
Në funksion të uljes së stresit, që buron nga xhelozia, psikologët ofrojnë edhe shkrimin e një faqeje nga ajo në mbështetje të idesë së kundërt me mendimin që ke ose që ke pasur për burrin ose të dashurin tënd. Kështu për shembull klientes A, që ishte e shqetësuar nga dyshimi se i shoqi kishte një lidhje tjetër, iu dha si detyrë të shkruante një ese ku t’i detajonte të gjitha faktet që duhet të grumbullonte në kundërshtim të idesë se i shoqi ishte i pabesë. Kjo detyrë e ndihmoi atë të ndihej më mirë dhe gjithashtu i ofroi argumentet përmes të cilave t’i hidhte poshtë pasojat e mëtejshme të mendimeve të saj negative.
Divorci me ose pa fëmijë dhe në moshë të re ose të pranueshme, çka ndikohet nga veprimi i shumë faktorëve, është stresngarkues, që do të thotë se ish bashkëshortët, veçanërisht femra, që mund të ketë edhe të vegjëlit në ngarkim, lodhet shumë fizikisht dhe mendërisht. Një grua me fëmijë dhe e paburrë nuk është e vlerësuar si duhet në mjedisin tonë me ngjyresa atavike e pse jo edhe tabu.
Terrorizuese është edhe jeta e një gruaje dhe aq më tepër e një burri që i ka vdekur partneri ( partnerja ). Në kushtet e jetës individuale fëmijët bëjnë jetën e tyre dhe kanë, si rregull, interes të pakët për t’u marrë me prindërit. Veçanërisht djemtë janë më indiferentë, më pak të ndjeshëm ndaj problemeve që ka babai ose nëna të mbetur vetëm, të cilëve vetmia jua shkurton ditët, i bën pasivë, teksa largohen edhe nga jeta e grupit. Shoqëria, që dikur atij, mashkullit të mbetur vetëm, i rrinte afër për arsye se kishte diçka në dorë, tani, pas daljes në pension, mundet që as me gojë nuk i flet njeri. Është një mënyrë sjelljeje që sot pothuajse është bërë masive.
Nuk do t’ia dëshiroja askujt fatkeqësi të tilla ( vdekjen e partnerit dhe të partneres dhe as divorcin ) që shoqërohen me rrënime morale e distres, por gjykoj se jeta aktive dhe krijimi i situatave stresçliruese janë forma terapeutike frytdhënëse. Të lexuarit, futja në jetën e grupit, shakatë, të qeshurat, mundësia për t’u vetëpunësuar qoftë edhe me kohë të pjesëshme, diskutimet për probleme të ndryshme politike, shoqërore e kulturore, por jo thashetheme e sajesa që ne shqiptarët i kemi me qejf, lojërat e ndryshme etj, janë disa mundësi për ta lehtësuar vetminë.
Koha sot më ka evoluar edhe mua mendimin për rimartesën. Nëse përpara njerëzit që humbisnin gruan, ose burrin e tyre nuk martoheshin më dhe i përkushtoheshin fëmijëve, të cilët kur rriteshin, si rregull, nuk e braktisnin prindin dhe përpiqeshin t’ia plotësonin atij (asaj ) të gjitha nevojat morale e materiale dhe ta respektonin edhe më shumë se ç’duhej, tani koha ka ndryshuar në koncept dhe në realitet. Dashuria dhe martesa janë nevoja fiziologjike, biologjike, shoqërore dhe ekonomike. Në këtë kuptim është krejt normale, që një grua e divorcuar, ose që i ka ndërruar jetë partneri, nisur edhe nga mosha që ka mund dhe ndoshta duhet të rimartohet. Nuk ka rëndësi forma e saj. Unë e konsideroj normale që, në pamundësi për ta hedhur një hap të tillë, ajo të ketë një të dashur, me të cilin ndien kënaqësi, bashkëveprojnë dhe bashkëndikojnë njëri tek tjetri për thyerjen e cikleve të këqija. Dashuria dhe seksi janë elementë stresçlirues, i japin pamje tjetër jetës, i maturojnë më shumë partnerët dhe i nxisin ata për veprimtari të dobishme.
Prof. As. Dr. Qazim Dushku
Fakulteti i Shkencave të Edukimit
vitrina.edu.al/


Leave a Reply