
“Shqiptarët dhe serbët nuk janë armiq, politika ndoshta po, ajo mund të jetë e komplikuar. Para se të vija këtu dhashë një intervistë për një gazetë të njohur në Beograd gazeta “Blic” dhe u thashë që ka njerëz që nuk u afrohen fqinjëve, mendojnë se i njohin por nuk dinë asgjë për ta, edhe pse jetojnë shumë afër janë shumë larg. Arti e sidomos filmi i shkurton distancat dhe i zbut mosmarrëveshjet”. Miki Manojlovic, një prej personazheve më të njohur të kinemasë serbe, bashkëpunëtor i ngushtë i regjisorit Emir Kusturica është shprehur kështu dje gjatë një bashkëbisedimi me publikun, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit që po mbahet në Durrës. Ai prezantoi në ekranin e festivalit filmin “Irina palm” me regji të Sam Garbarskit. Pyetjes së aktorit Timo Flloko se si një aktor mund të arrijë të jetë brilant dhe në dramë dhe në komedi, Miki u shpreh se “aktrimi është një proces ndryshimi për veten”. “Ka aktorë që duan të rrëfehen para publikut, por jo çdo rrëfim është i mirë. Unë kam lindur dhe jam rritur praktikisht në teatër. Nuk ka një qoshe teatri që nuk e njoh. Sigurisht që kam bërë dhe shkollën për aktrim, por kam pasur një avantazh, pasi e dija që për t’u bërë aktor nuk është një proces që mbaron, por je gjithnjë në evoluim e sipër. Aktrimi mbi të gjitha është një proces ndryshimi me veten, shkëmbim me partnerin dhe njohje e rrethanave dhe asaj çka ndodh përreth”, u shpreh Manajlovic. Duke e parë artin si një hapësirë që s’mbaron, artisti u shpreh se gjithnjë përpiqet të mësojë nga çdo njeri, qoftë nga pjesa më e humbur e shoqërisë deri te farsat e ngritura. “Thjesht vetëm nga mediokrit nuk mëson dot asgjë, pasi ata janë të mërzitshëm”, tha ai. I bindur se në art ashtu si në jetë duhet të thyesh ndonjëherë rregullat për të mbërritur në kufijtë e njohjes së realitetit, ai solli rastin e filmave të Kusturicës, ku punohet pa rregulla. “Në filmat e Kusturicës ne nuk kemi shumë rregulla, mbi të gjitha në shumicën e rasteve kemi punuar me grupe xhirimi multinacionale, gjermane, serbe, franceze, britanike…kjo gjë e pasuron një sheshxhirim”, tha ai. Për sa u përket roleve, Manajlovic tha se është në to ashtu si në realitet, sa serioz aq edhe komik, i thellë dhe sipërfaqësor, i ndjeshëm dhe thjesht nuk lëshon pe. “Ndoshta te çdo rol që kam luajtur ka diçka nga unë.
Unë nuk kërkoj as nuk kam kërkuar ngjyrën rozë në jetën time, as kam menduar se nëse do të bëj këtë do të kem ketë rezultat, kam luajtur çdo gjë nga repertori i madh e duke zbritur te qilari i errët, nuk kam përllogaritur karrierën time, kam luajtur dhe gjithçka ka ardhur, nuk e kam kërkuar”, tha ai.
Miki Manojlovic, aktualisht po punon për një projekt ambicioz në teatër, një bashkëpunim mes trupës së Teatrit Kombëtar të Prishtinës dhe atij të Beogradit. Është Shekspir me “Romeo e Zhuljeta” që do të bëjë bashkë në teatër aktorët e dy vendeve. Dashuria fatale e dy të rinjve sipas Manajlovic do të zbusë zemërimet ballkanike. Premiera pritet të realizohet në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Sot, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës mbyll siparin me ceremoninë që do të mbahet në orën 20.00 në amfiteatrin romak me pjesëmarrje të personaliteteve të artit dhe politikës dhe praninë e Kryeministrit Edi Rama. Ceremonia e mbylljes përveç dhënies së çmimeve do të shoqërohet edhe me premierën e filmit gjeneral Gramafoni të regjisorit të njohur, Viktor Gjika, krejtësisht i restauruar.
“Gazeta Shqip”


Leave a Reply