Torinoja m’u afrua dhe më tha të vija në vagonin e njerëzve, se atje
paskësh nja dy vende bosh. – “Ç’e ke atë letër ?”,- më pyeti një
pasagjer, që po gajaste së qeshuri vagonin me barcaletat që tregonte.
Mos i ke bërë letër dashuríe ndonjë vajze që atje, nga burgu
? Si për çudí, pas pak e qeshura në vagon u pre dhe shakaxhíu s’di
pse u largua. Unë e futa letrën në xhepin e shqyer të asaj xhaketës,
që na jepte komanda në Spaç. Disa pasagjerë më kthyen kurrizin,
ca të tjerë po më shihnin ngrohtë.
– Nga je? – më pyeti pas pak një mesoburrë me mustaqe.
– Nga Nahíja. Aty rrotull T. – thashë shkurt.
– Brenda nga qyteti je ? – deshi ta saktësonte kureshtari.
– Po – thashë shkurt, për të mos e zgjatur.
– Të mora vesh, je nga ata të kampit të internimit – tha burri me
zë pak më të ulët – Ç’njerëz ke në shtëpí?
– Nuk kam as shtëpí, as njerëz ! – ia preva fjalën, por pa dëshirë
që t’i shkaktoja keqardhje. Po shkoj atje se kam një amanet.
– Nga kush? A bën ta di ? – pyeti, kurioz.
– S’di ç’më bëri t’ia tregoja emrin e mikut, të cilin udhëtari, për
çudí, e njihte.
– Si the ? Sheme Kulumbria ? E ke njohur vërtet ti Shemen ? – tha
pak si i tronditur bashkëbiseduesi.
– Po – thashë – e kam pasur mik !
– Pse, nuk rron më Shemja ?… – pyeti me ankth udhëtari. Dhe
biseda mori rrugë. Ashtu, kokë më kokë, unë i tregova atij fashatari
të mirë se ç’njerí kish qënë Shemja.
– E ç’amanet të ka lënë ai ty ?
– T’i shpie familjes së tij këtë letër – gjegja, s’di pse pa druajtje.
– A kthehemi sonte nga shtëpia ime? – pyeti Baftjari, të cilin në
fshat e thirrnin “Tare”.
– Faleminderit, por kam frikë se mos të gjen ndonjë belá ty, mor
qyq ?!…
– E rregullojmë atë punë! – tha Tarja – Ti rri nja dy tri-ditë tek unë,
pastaj dil nga shtëpia natën dhe shko në punën tënde.
– Po njerëzit e Shemes i njeh ti ? – e pyeta me një frymë.
– I kam të mitë ! – tha dhe heshti.
– Të tutë ?! Ç’thua, bre ?! – klitha.
– A nuk të pati folur në burg Shemja për mua?… Për gruan time?…
– Jo – thashë – kurrë !… Pse?…
– Po ime shoqe atij i doli dëshmitare në gjyq, more vëlla xhani !
Ja, rrinte atje si ndonjë mumje, lumëmádhja ! Befas pashë që Tares
i ranë nja dy pika loti mbi pantallonat prej shajaku.
– Pastaj ? – pyeta pa ditur ç’të them.
– Të nesërmen, e gjora, u mbyt në pus. Eh!…E patën ngatërruar
në hetuesí. Kam dy vajza, që më hapin barkun tek i shoh që shkojnë
te gryka e pusit. Duken sikur i thërrasin së jëmës ! E…eh!…psherëtiti
thellë Tarja pa më parë në sy.
– Si e quanin gruan tënde? – E pyeta, i trishtuar.
– Bajame i thoshin dhe s’ishte njerí i keq, e shkreta, more vëlla!…
Mbas këtyre, s’munda të duroj dhe i dhashë letrën e Shemes për
ta lexuar. Në letër, i gjori, kish thënë dhe nja dy fjalë të mira për Bajamen,
që dukej se e paskësh çmuar si motër.
– Këndoma ti letrën, – tha Tarja – se nuk mundkam dot vetë. Dhe
mbylli sytë si të dëgjonte një pretencë prokuróri.
– “E dashur nënë!” – niste letra. – “Më fal për vuajtjet që të
shkaktova në pleqërí ! Të lutem, mos ma bëj harram qumështin që
më ke dhënë ! Sikur të mos kisha në shpirt përkëdheljet e tua, nuk
di si do t’ia kisha bërë me ato që durova!… Fajet që m’u ngarkuan,
(që as i pata menduar!), i pranova që ju të mos kishit pasoja për
shkakun tim. I vetmi mëkat ndaj jush, është që nuk pranova të
bëhem hafíje. Mendova më mirë të më urreni, sesa të më përçmonit!…
Po si të duroj tani gjëmën që ju bëra?!… Falmëni, nënë!
Ju dua, edhe sikur të më urreni ! Veç mos më akuzoni ! Mos më
mallkoni! Më beson, nënë?… Unë s’e kuptoj as vetë ç’të keqe kam
bërë ! Kur të mësosh që s’jam më (sepse e ndiej që s’e kam të gjatë
!) të lutem, mos më qaj! Se ti e ndien që Shemja yt s’mund të ketë
bërë ndonjë gjë që t’ju rëndonte!…
Falmini hidhërímet! … Ju lutem, pranómani një amanet!… Harromëni!…
Për hatrin tim… djepin e fëminisë… .
Këtu Tarja më ndaloi të vazhdoja.
– Këtë letër – tha – ti nuk duhet ta shpiesh në shtëpínë e Shemes!
Dhe unë ashtu bëra.
gazeta-nacional.com


Leave a Reply