
Konferenca e jashtëzakonshme e PD e 13 gushtit të vitit 1992, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë postkomuniste në Shqipëri. Kjo konferencë përcaktoi modelin e organizimit të brendshëm të partive politike në Shqipëri. Aty u paracaktua mënyra se si do të funskiononte demokracia e brendshme e partive politike postkomuniste në Shqipëri. PD, si forca kryesore politike e kohës, e cila u themelua nga studentët e dhejtorit, pas revoltës që rrëzoi sistemin komunist në Shqipëri, nisi të funsksionojë me modelin e antidemokracisë.

Luljeta PROGNI
Në atë konferencë u përjashtuan ata që mendonin ndryshe. Pikërisht aty dhe atëherë u përcaktua se kundërshtari e ka vendin jashtë partisë. Në atë konferencë u përcaktua se mendimi ndryshe nuk do të merrte kurrë peshën e duhur brenda partive politike në Shqipëri.
Konferenca e jashtëzakonshme e PD-së, e zhvilluar në 13 gusht të vitit 1992, vjen pas zhvillimeve dinamike në parti. Disa prej personaliteteve kryesore të listës së themeluesve të PD-së u përjashtuan dhunshëm nga Partia Demokratike. Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Edmond Trako, Ridvan Peshkëpia e të tjerë, ishin grupi i quajtur Mocionistët, të cilët u përjashtuan nga Partia Demokratike, më pak se dy vjet pas themelimit të kësaj partie. Por, në atë conference, u godit po kaq dhunshëm edhe simboli i PD-së, lideri i lëvizjes studentore dhe kryetar i parë i saj, Azem Hajdari. Ai shpëtoi nga përjashtimi në një situatë mjaft komplekse zhvillimesh disaditore, intensive, brenda partisë që asokohe ishte shpresa e shqiptarëve për demokraci.
Debati mes Azem Hajdarit dhe atyreqë po drejtonin konferencën dhe që ishin të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha, zë një pjesë shumë të rëndësishme të punimeve të kësaj konference. Debati i Pashkos, Imamit, Trakos, Demetit, Shahin Kadaresë e të tjerë me drejtuesit e konferencës janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e konferencës.
Fjalimi i Gramoz Pashkos dhe ai i Azem Hajdarit lanë gjurmë tek të gjtihë të pranishmit në atë sallë ku u vendos antidemokracia në partinë Demokratike.
Dhuna në vënd të demokracisë, e shfaqur në atë mbledhje të rëndësishme, u kthye në model jo vetëm për PD-në, por edhe për partitë e tjera, model me të cilin funsksionojnë edhe sot partitë politike.
Në ditët në vijim do të botojmë pjesë nga libri “Pardesytë e Bardha”, ku pasqyrohet fjalime të plota të Hajdarit, Pashkos, Imamit e të tjerëve.
Në ciklin e këtyre botimeve do të pasqyrohet thuajse e plotë konferenca e jashtëzakonshme e 13 gushtit 1992, por edhe mbledhje të tjera që ishin pararendëse të këtij momenti.
***
Konferenca e jashtëzakonshme e PD e 13 gushtit të vitit 1992. Përjashtimi i themeluesve nga Partia Demokratike
Ndarja e themeluesve
Kishin kaluar vetëm pak ditë prej datës 26 korrik 1992, kur PD-ja humbi zgjedhjet lokale. Vetëm tre muaj pasi fitoi thellë zgjedhjet parlamentare të 22 marsit, PD-ja humbi betejën me socialistët në zgjedhjet lokale. Janë një sërë faktorësh që renditen si arsyet për këtë humbje, ndër të cilat dhe më kryesoret: efekti i reformave, papunësia dhe varfëria. Por, edhe problemet brenda Partisë Demokratike, do të etiketoheshin si një ndër arsyet kryesore të humbjes në këto zgjedhje dhe pikërisht nga krahu i fortë në PD, ai i presidentit Berisha. Një grup drejtuesish të partisë, madje pjesa kryesore e themeluesve të PD-së ishin pozicionuar kundër krahut të Berishës. Ata nuk u angazhuan intensivisht në këtë fushatë, madje disa prej tyre botuan artikuj kritikë ndaj lëvizjeve që po ndodhnin qoftë brenda PD-së, por edhe kundër qeverisjes së saj.
Gramoz Pashko, Arben imami, Arben Demeti, Edmond Trako, Preç Zogaj e të tjerë, bashkë me Neritan Cekën, i cili ishte larguar më herët nga PD-ja, ishin formësuar si grupi kritik ndaj krahut të Berishës. Disa prej tyre hartuan një mocion:”Për një qëndrim realist ndaj rezultatit të zgjedhjeve lokale”. Mocioni u publikua në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD në datë 5 gusht 1992.
Mocioni
Mocioni i firmosur nga Arben Imami, Arben Demeti, Perikli Teta, Prec Zogaj, Edmond Trako e Ridvan Peshkëpia, rendit disa problematika në funksionimin e PD si dhe ndaj qeverisë së drejtuar prej saj. Të përmbledhura në pika, kritikat e mocionistëve janë si më poshtë: a) Mospërgatitja tërësore në zgjedhjet e 22 marsit; b) Keqpërdorimi i pushtetit; c) Banalizimi i pushtetit; d) Nepotizmi; e) Funksionimi i shtetit juridik, si dhe elemente të tjerë. Duke analizuar një pas një problemet e renditura në këto pika, hartuesit e mocionit i kërkuan forumeve të larta drejtuese të PD-së: 1) Të diskutohet në të gjitha nivelet e partisë rreth problemeve të pasqyruara në këtë mocion; 2) Të thirret kuvendi i jashtëzakonshëm i PD pas diskutimeve në seksione dhe këshillat e degëve, dhe në këtë mbledhje të kuvendit të ftohen përfaqsues të partive të djathta evropiane, si garanci për transparencë; 3) Të ristrukturohet partia mbi baza demokratike dhe të mbahet qëndrim ndaj fraksionit nepotik;4) Gazeta RD ti hapë rrugë diversitetit të mendimit në PD; 5) Ti rikthehemi programit të dhjetorit 1990: a) Për një politikë integrimi të popullit shqiptar në sistemin demokratik; b) Për paqe e drejtësi sociale duke hequr dorë nga teza komuniste e përgjegjësisë kolektive; c) për një kulturë dhe etikë të re politike, larg skemës komuniste “të armiqve”; d) Për ndarjen e partisë nga shteti, kundër partitokracisë.
6) Të mbështetet qeveria Meksi duke e rinovuar atë nëpërmjet zëvëndësimit të të paaftëve; 7) Qeveria të paraqesë sa më shpejt programin e reformës administrative dhe të ndreqë me kujdes gabimet e bëra; 8) Të mbrohet shteti ligjor. Të mbrohet pjesa natyrore e shtetit (gjykata, prokuroria e rendi), të goditet para opinionit publik çdo abuzim ndaj saj; 9) të luftohet për informim real e profesional; 10) të rishikohen në parlament ligjet, blanket që cënojnë të drejtat themelore të qytetarit e që janë antikushtetuese. Edhe pse mocionistët u fajësuan si përgjegjës për humbjen në këto zgjedhje, ata kërkuan përgjegjësitë tek lidershipi i PD-së për humbjen në zgjedhjet lokale. Mocioni u paraqit në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD-së në datën 5 gusht 1993.
Në këtë debat mes palëve, përveç analizës së zgjedhjeve përfshihet edhe kritika e mocionistëve për dominimin e drejtimit të partisë nga grupi i cilësuar prej tyre “ekstremist”. Ishte fjala për angazhimin në forumet drejtuese të PD-së të disa prej përfaqësuesve nga shtresa e ish të përndjekurive politikë: Pjetër Arbnori, Tomor Dosti e Leka Toto. Emrat e këtyre, që në atë kohë ishin bërë pjesë e forumeve të larta drejtuese të PD-së, u kthyen në mollë sherri ndërmjet dy grupeve kundërshtare në PD, debat që kulmoi pak ditë më pas në konferencën e jashtëzakonshme të 13 gushtit.
Ish-të përndjekurit si pretekst për debatin Brenda PD
Kundërshtitë brenda PD-së, nuk lidheshin me ish të përndjekurit politikë. Lufta për pushtet brenda Partisë Demokratike kishte nisur herët, bashkë me historinë e saj të themelimit. Atëherë kur ish-të përndjekurit politik nuk ishin në PD. Ata mbetën jashtë të gjitha skemave, erdhën në PD shumë vonë, kur gjithçka kishte marrë drejtimin e vet. Ata ishin vetëm preteksti për debatin e 5 gushtit 1992.
Sidoqoftë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, debati për të përndjekurit politikë zuri një pjesë kryesore. Në gazetën Rilindja Demokratike, në artikujt e datës 6 gusht 1992 dhe 7 gusht 1992, jepen detaje rreth debateve të zhvilluara në atë mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila vijon më pas me mbledhjen e konferencës së jashtëzakonshme të PD-së, nga ku dhe u përjashtuan mocionistët.
“Demokratët sezonalë”, “Edhe toleranca e durimi kanë kufi”, “Demokratë me fjalë, agjenturë e PS-së me vepra”, janë titujt e artikujve kryesorë të RD-së, ku dhe evidentohet qartë fryma me të cilën u zhvillua mbledhja e këtij forumi. Pa shumë komente, artikulli ribotohet i plotë, pasi aty jepen të qarta detajet e luftës ndërmjet grupeve kundërshtare dhe mënyra se si zhvillohet kjo betejë.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i PD-së Eduard Selami, përkrah të cilit gjendeshin drejtuesit e tjerë të PD-së, por edhe presidenti Berisha. Në panel bashkë me Selamin e Berishën ishte edhe Arben Imami, i cili mbante deri atëherë postin e nënkryetarit të PD-së, Tomorr Dosti si sekretar i PD-së dhe Aleksandër Meksi, anëtar i këshillit kombëtar të PD-së. Duke iu referuar këtij pasqyrimi në median zyrtare të PD-së, që në fillim të aktivit, Berisha qartësoi situatën. Ai akuzoi menjëherë Imamin bashkë me të tjerët si aleatë të socialistëve.
Ja çfarë shkruante gazeta “Rilindja demokratike” më 6 gusht 1992:
“Demokratët sezonalë”
“Ky Këshill Kombëtar mblidhet në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe PD-në. Mblidhet në një kohë, kur PD-ja ndodhet përballë një koalcioni të egër socialisto-komunist dhe pseudodemokratëve, të cilët i kundërvihen PD-së, asaj partie, që realizoi fitoren më të rëndësishme të këtij shekulli pas shpalljes së pavarësisë. Prandaj, sot është absolutisht e domosdoshme të mbrohet demokracia. PD-ja e filloi luftën kur kishte përballë një diktaturë të egër, prandaj edhe këtë luftë do ta fitojë”, pjesë nga fjala e Berishës.
Eduard Selami, evidentoi ndër të tjera si një arsye të humbjes në zgjedhje, mungesën e angazhimit të disa zyrtarëve të partisë dhe ata ishin pikërisht mocionistët.
Në seancën e dytë, e cila u zhvillua pasdite në orën 15:00, u konkretizuan debatet mes palëve. Qysh në fillim u bë e qartë, se konfrontoheshin masa dërrmuese e anëtarëve demokratë të vërtetë të këshillit kombëtar me 4-5 kokrra pseudodemokratë me platformë të qartë organizative dhe ideore kundër PD-së, kundër demokracisë, kundër interesave kombëtare. Kristalizimi i tyre, si klan apo fraksion, nuk rrjedh nga bindjet e tyre, nga dëshira për diversitet mendimesh, por nga skenari që kanë marrë përsipër për të zbatuar. Siç është bërë tashmë e qartë, një nga regjizorët apo aktorët kryesorë të tij, është Neritan Ceka, mbrojtës i flaktë i kuadrove të SHIK-ut dhe i privilegjuar prej tij. Edhe atëherë kur karta Ceka u dogj vetë plotësisht, zotërinjtë Imami, Hajdari, Zogaj etj mbajtën miqësinë dhe lidhjet me zotin Neritan Ceka, i cili nga ana e tij, po kështu e ruajti dhe e forcoi miqësinë e tij me zotin Irakli Koçollari. Në mbrotje të grupit fraksionist u shprehën edhe zotërinjtë Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia e Shahin Kadare. Por ata u gjendën si ishull i vogël mes oqeanit. Në qendër të kritikave të hapura, të ashpra dhe të argumentuara u vu edhe z. Preç Zogaj, qoftë për inaktivitetin e gjatë si drejtues i PD-së, qoftë për helmin e shprehur në shkrimet e tij, veçanërisht në “Koha Jonë”, qoftë për mbrotjen e hapur dhe subjektive të Frrok Çupit, një nga armiqtë më të egër të PD-së dhe deokracisë, një njeri me të kaluar të errët dhe të sotme me njolla të shumta korrupsioni.
Disa diskutantë analizuan dhe kritikuan veprimtarinë dhe disa deklarata të zotit Arben Imami. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 26 korrikut ai nuk pranoi detyrën e kryetarit të Komisionit Qendror Elektoral dhe mbajti një qëndrim pasiv, duke mos kryer detyrat si nënkryetar i PD-së. Z. Imami në diskutimin e tij, krahas justifikimeve dhe kundërshtive të paargumentuara, paraqiti edhe një mocion apo deklaratë. Z. Sali Berisha propozoi që këtë, ai dhe shokët e tij t’ua lexojnë elektoratit të tyre, sepse kështu populli do të ketë mundësinë të njohë më mirë fytyrat e tyre të vërteta.
Gati të gjithë diskutantët u ndalën në gabimet dhe deklaratat subjektive të gabuara dhe të dëmshme të z. Azem Hajdari. Pozicioni i tij u bë edhe më i qartë, kur u deklarua se në një telefonatë nga SHBA-ja, është shprehur, se sapo të kthehej do ta rrëzonte për pesë ditë qeverinë Meksi. Pas kësaj ai thellohet më tej në këtë rrugë me mitingun e organizuar në Shijak, të martën pasdite, kur nga PD-ja u organizua një miting mbarëpartiak me rastin e fitores në zgjedhjet e 26 korrikut. Nga komisioni drejtues i PD-së i degës së këtij qyteti, u shprehen pakënaqësi dhe protestë ndaj ideve të z. Azem Hajdari, i cili arriti deri aty sa ta quante mitingun e Kavajës, si përpjekje për të sabotuar atë të Shijakut. Në këtë insinuatë, z. Hajdari bën përpjekje për të kundërvënë ndaj njëri-tjetrit popullin e Kavajës dhe të Shijakut, si dy qytete të mirënjohura për mirëkuptimin tradicional dhe frymë të lartë demokratike.
Gati të gjithë diskutantët kritikuan tolerancën e gjatë të treguar ndaj elementëve pseudodemokratë, që duke arritur të ngjiten edhe në udhëheqjen e PD-së, arritën t’i shërbejnë PS-së për përçarjen dhe diskretitimin e saj, për të sabotuar reformën me veprime konkrete dhe deklarata e shkrime, të cilave u kanë bërë jehonë “ZP” e “Koha Jonë”. Gjithashtu u kërkua si domosdoshmëri, që të mblidhet sa më parë dhe brenda këtij muaji konferenca e jashtëzakonshme kombëtare e PD-së, e cila ka kopetenca për të marrë masa e vendime. Në aktiv u shpreh qartë rezonanca e plotë e plaformës ideore të pseudodemokratëve me strategjinë e PS-së. Avazi i vjetër i PS-së dhe i “ZP” për rrezikun e një monizmi të ri në PD, të një diktature të djathtë, u dëgjua nga goja e tyre edhe në aktiv. Qëllimi i tyre lexohet lehtë: të humbasë PD-ja zgjedhjet lokale, të dobësohet dhe të diskretitohet sa të pranojë koalicionin me PS-në. Z. Agron Çika solli në aktiv një dokument, ku del se z. Neritan Ceka ka dëshmuar për arkeologun Astrit Qorri nga Durrësi, i cili me këtë dëshmi u dënua dhe vuajti 10 vjet burg. Ai dhe diskutantë të tjerë kërkuan me forcë hapjen e dosjeve për pseudodemokratët, politikanët dhe qeveritarët e pushtetit qendror dhe lokal, një luftë të vendosur dhe frontale nga ana e qeverisë kundër korrupsionit, që është armiku më i rrezikshëm i demokracisë. Kjo do të bëjë të mundur që të zgjidhin enigmën Ceka, Pashko, Tozaj, Çupi, Danaj etj”.

Korrespodent i RD (Artikulli nuk ka emër autori)
(vijon)
illyriapress.com


Leave a Reply