Një i moshuar rreth 80 vjeç është arrestuar nga policia si i dyshuari kryesor për vrasjen makabre të 18-vjeçares Ajshe Vata më 11 tetor në Xhafzotaj. Sipas të dhënave nga policia e Durrësit, i dyshuari kryesor për vrasjen që tronditi mbarë opinion publik është bashkëfshatar i familjes Vata dhe fqinj me ta Shaban Norja.
Në orët e para të ditës së sotme polica ka gjetur edhe kokën e 18 vjeçares, e cila ishte fshehur në një ferrë pranë vendit të ngjarjes. Nga këqyrja e kësaj pjese të trupit të viktimës rezultoi se autori fillimisht e kishte qëlluar me armë zjarri pikërisht në kokë 18-vjeçaren dhe më pas me një mjet prerës ia kishte shkëputur kokën nga trupi. Sipas policisë, paraprakisht mendohet se bëhet fjalë për një krim pasioni.
Nga kontrolli i ushtruar në shtëpinë e 80-vjeçarit Shaban Norja, i cili rezulton person me precendentë të mëparshëm penalë pasi ishte dënuar me 9 vite burg për tentativë vrasjeje, është gjetur edhe arma e krimit si dhe prova të tjera materiale, si gjak në rrobat e tij që dyshohet të jetë i 18 vjeçares të masakruar disa ditë më parë në Xhafzotaj të Durrësit, e cila u gjet pa kokë disa metra larg banesës së saj, ndërkohë policia dyshon edhe për bashkëpunëtorë të tjerë të 80 vjeçarit në kryerjen e krimit.
Nga ekspertiza mjekoligjore rezultoi se 18 vjeçarja ishte 11 javëshe shtatzënë, ndërsa dyshimet e para për një incest brenda familjes u hodhën poshtë nga disa analiza të kryera në laborator.
Pritet dëshmia e 80-vjeçarit për të hedhur dritë mbi ngjarjen makabre që tronditi mbarë opinionin publik, ndërsa sipas policisë dyshohet se i moshuari ka abuzuar seksualisht me vajzën që kur ajo ka qenë ende e mitur. Analizimi i mëtejshëm i fetusit që mbante në bark e reja do të jetë një indicie më tepër për të zbardhur misterin e këtij krimi të pazakontë dhe do të tregojë nëse fëmija që ajo priste ishte i 80-vjeçarit Shaban Norja, tashmë i vënë në pranga nga policia.
(gazeta-Shqip.com)
“Vrasësin e Aishes le ta gjejë babai im dhe policia”

Klodiana Haxhiaj-Artur Korriku
DURRËS -Ndonëse kanë kaluar tri ditë nga vrasja makabre në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, policia dhe prokuroria ende nuk kanë mundur të gjejnë kokën e prerë të 18-vjeçares, Aishe Vata. Me gjithë hetimet intensive, grupi hetimor ende nuk ka një person të dyshuar, ndërsa numri i personave të pyetur në lidhje me vrasjen e adoleshentes sa vjen e rritet, përfshirë këtu të afërm të familjes Vata, banorë të fshatit, nxënës dhe mësues të Medresesë në Durrës, drejtues furgonësh që çonin viktimën për në shkollë, klientë të servisit të riparimit të makinave në pronësi të familjes Vata si dhe punonjës e roje të hekurudhës, të cilët gjatë 24 orëve qëndrojnë në postbllokun që ndan rrugën nacionale nga banesa tri katëshe e familjes Vata. Burime pranë grupit hetimor dje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se pista kryesore e hetimeve është ajo e vrasjes për pasion. Ndërsa, nuk përjashtohet mundësia e një rituali sektesh fetare nga ato që bëjnë kurban njerëz me anë të therjeve. Burimet nga policia janë kontradiktore, pasi disa prej tyre deklarojnë se përjashtohet mundësia e një incesti brenda familjes, ndërsa burime të tjera shprehen se në rrethin e të dyshuarve përfshihet babai i vajzës, kushërinj të saj nga nëna dhe i ati dhe të afërm të njerkës. Edhe familjarët e viktimës janë kontradiktorë në deklarimet e tyre. Mbrëmjen e së premtes Muhamet Vata deklaroi për një media se do ta falte vajzën nëse do ta dinte se ishte shtatzënë, ndërsa dje pohoi se Aishja e turpëroi dhe nuk do i bëj ceremoni përkujtimore. Nga ana tjetër, Mihane Vata, motra e Aishe Vatës e pyetur në lidhje me ngjarjen deklaroi: Na lini rehat në hallin tonë. Vrasësin e motrës ta gjejë babai im dhe policia. Kurse të afërm dhe fqinj të vajzës fatkeqe shprehen se ajo ishte vajzë model dhe se nuk e kishin parë të kishte lidhje dashurie me ndonjë mashkull. E gjithë kjo, një rreth vicioz që ka stopuar zbardhjen e së vërtetës.
FAMILJARËT
Dyert e zisë qëndrojnë të hapura në familjen e Muhamet Vatës, në Xhafzotaj të Durrësit. Kohë pas kohe, grupe burrash dhe grash, të afërm e dashamirës, shkojnë për ngushëllim tek familja Vata. Janë të afërm, banorë të lagjes, por edhe farefisni nga Kukësi, vendlindja e Muhametit, nga Dibra vendlindja e ish-gruas së tij Në shtëpi, përgjatë gjithë ditës dëgjohen zërat e miqve që vijnë e ikin duke psherëtirë dhe ofsharë pa pushim. Tek të gjithë të afërmit, vrasja makabre e Aishes ka shkaktuar tronditje dhe shok. Motra e vogël e viktimës, Mihania thotë se Aishja ishte vajzë model që të gjithëve u falte dashuri. “Nuk kam se çfarë të them për motrën time. Ajo na ka rritur pas vdekjes së nënës. Aishja ka rritur dhe fëmijët e njerkës, dhe e ka ndihmuar atë në punët e shtëpisë. Na lini të qetë në hallin tonë. Vrasësin ta gjej babai im dhe policia. Ai që e masakroi është monstër”! Islam Isaku, një burrë rreth të 60-ve shprehet për Gazetën: Çfarë nuk kemi dëgjuar këto tre ditë në media. Unë jam kushëri dhe farefis me Muhametin, por dua t’a them me plot gojën që si vajza ashtu edhe e gjithë familja janë shembullorë. Aishja ka qënë besimtare, vajzë me sjellje të mirë. Ne nuk e kemi parë të shoqërohej kurrë me asnjë djalë. Ka qenë vajzë e respektueshme, kalonte në rrugë dhe na përshëndeste. Vajzë me norma, nuk e di çfarë ka ngjarë, nuk mund të hamendësoj. Por ajo nuk duhej të hidhet baltë mbi familjen, dhe mbi babain e saj. Nuk ka asnjë mundësi që të jetë krim brenda familjes! Të njëjtin mendim me të ndan edhe fqinji e njëkohësisht kushëriri i familjes Vata, Qatip Manovi. “Jo pse ka vdekur dhe e kanë vrarë, por Aishja i ka patur shoqet e rralla. Nuk duam ta bëjmë hyjneshë, por kurrë nuk iu dëgjua zëri. Çdo ditë ajo përcillej në shkollë nga babai i saj, dhe pritej nga ai. Ka qënë aq e urtë, aq e mirë, një model për të gjitha vajzat. Unë nuk e di si ka ndodhur e gjithë kjo gjëmë, por ne kemi respekt për këtë familje”, – thotë Manovi.
HETIMET
Agjentët e policisë që e kanë krehur imtësisht parcelën me misër kanë mundur të gjejnë edhe një xhup të zi, i cili i përkiste vajzës së vrarë. Pra sipas një versioni, ajo ka dalë nga banesa me xhup të zi dhe me shapka, të cilat ishin gjendur më parë. Ndërkohë që nga familjarët është pohuar se ajo mbante të veshura tuta ngjyrë ulliri, të cilat ende nuk janë gjetur. Ndërsa veshja e saj me rroba të tjera, është ende një mister për hetuesit. Në analizat që organizohen disa herë në ditë janë hedhur 2 variante për sa i përket mënyrës së ekzekutimit. Një grup mendon se autori ka qenë një i vetëm dhe se e ka ekzekutuar me një thikë të madhe dhe tepër të mprehtë. Ndërsa një tjetër ekspert krimesh në Durrës thotë se nga tërësia e të gjitha veprimeve të kryera deri tani, krimi duket se ka pasur më shumë se 1 autor. Duke e imagjinuar skenën e krimit, sipas tij gjërat të duken sikur janë zhvilluar në një ritual sektesh fetare nga ato që bëjnë kurban njerëz me anë të therjeve. Edhe pse eksperti nuk deklaron se kjo është një pistë e re hetimi, duket se edhe ky variant është marrë në konsideratë nga drejtuesit e hetimit të kësaj ngjarjeje. Burime nga policia lokale pohojnë se dje janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 8 persona, 6 prej të cilëve banorë të fshatit Xhafzotaj. Ndërkaq, mësohet se dy të rinj nga Xhafzotaj që nuk kanë lidhje gjaku me viktimën janë marrë në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes dhe më pas janë lënë të lirë. Hetuesit dhe oficerët e Krimeve të Rënda deklarojnë se pritet përgjigjja e ADN-së që të hedhin dritë mbi babain e fëmijës 3 muajsh të Aishe Vatës, i cili mund të jetë dhe autori i krimit.
Gazeta Shqiptare
Per”Alba – Dansk “Shkodrani


Leave a Reply