
Shen. i Redaksise ( Autorja ngre nje shqetesim teper te drejte ne fund te ketyre poezive brilante. Kumonet bien qe te ndegjojne besimtaeret,ndaj degjoni dhe vini vesh. Ky eshte nje shqetesim i te poetes tone te nderuar z. Edlira Doko. Shpresojme qe te kete trokitur ne dyert e atyre qe merren me keto pune jo te hijshme,sepse eshte mundi dhe djersa e tjera kuj,ndaj keni respekt per punen dhe mundin e te tjerve. )
NË BOTËN PA ZOT
Eh, o mik, sa plagë të egra mban kjo botë,
që atë ditë në Eden, ditën kur kemi lerë,
kur im zot erdhi me dhimbje e zbriti në tokë,
me udhëzimet e qëndisura në një pergamenë.
Në emrin e Tij, të Birit, të Shpirtit: AMEN!
Dhe i mblodhi nga lëndina në rrethinat aty pranë,
ashtu si çobani bën në mal me delet,
dhe i porositi mëkatarët, prej saj asnjë s’duhet të dalë,
se gjarpri sykuq, me gjak të virgjër do të ushqehet.
Në dritë do mbjell urrejte, në errësirë do vjell vrer.
Më thanë se frynte era, e fjalët fshehtas i rrëmbeu,
u krijua vorbull boshllëku, jehona ndezi jehonë,
iku, u çmend njerëzia, mendja e gënjeu,
se dhe pa besimin, do të ishin akoma më të zotët.
Gjoksin e çpuan me egoizëm, syri derdhi lot.
Hë…po sot ?
Sot a kanë gojë, gjunjë të përulen në gjunjë,
të luten për shpirtrat e vrarë, të hallakatur nëpër natë?
Apo do e lenë trupin – kërmë, pa pasur një emër mbi qivur,
duke iu bërë fli demonit, skllevër që digjen në zezanën flakë?!
Dy rrugë na ndajnë, o miku im, të mesme nuk ka,
këndej engjëj të bardhë – andej demonë vrastarë…

NDRYSHON STINA
U prish koha,
dallëndyshet, dielli në ikje,
qielli është gri.
Nga larg,
retë gufohen,më pas
dëgjohen bubullima…
Dhe bien mbi mua,
gjethet e para,
një vesë shi.
Bela !
Filluan kolla,
të parat teshtima…

PA PENDIM…
Në shtigje resh, ku filtron vetëm drita,
mbi faqet e hënës fjalë argjendi mbolla,
një copë qielli kësaj nate për ty e grabita,
për të mbjellë në lëndinën e yjeve
një botë me përralla, puthje, ëndrra…
Kur të vijë pranvera si flutur të endem,
duke kënduar t’i mbledh në prehër të vajzërisë,
pastaj t’ i fsheh tek ti,ku askush mos t’ i prekë
e gjoksit të të gjëmojnë epshet e djalërisë.
Atëherë,unë do zgjoj nga kafazi i shpirtit,
atë kanarinë endacake, nëpër stinë e humbur,
ngatërruar si merimanga në rrjetën e kohës,
të gjej udhën e erës, horizontin e duhur.
Të dëgjosh këngën e lumturisë nga sqepi i saj,
të lozësh me telat e zemrës dridhur nga drithërima,
si dukur, edhe një herë prap të çmendurohem,
aty,në kupën e parajsës të mësoj ç’është flakërima,
dhe..
pa u penduar të nesërmen…pa.

RRËMBEJE HËNËN
Epo eja shpirt, eja të luajmë,
me dy trupa, me një zemër,
nën një kumbull, atje më gjuaj,
në s’ke dritë, rrëmbeje hënën…
LARG…
Desha
të flas me perënditë.
Një lutje të bëj:
Veç një çast të mund
lëndinat, bukuritë,
atdheun tim, të prek.
Kurbeti,
eh, i ziu kurbeti.
djeg shpirtin,
than lotin.
Parajsë
e ferr.
Larg qiellit,
larg diellit,
larg zotit…
“BIBAT” E SHEKULLIT MODERN.
Çdo ditë e më shume filtrohen, vidhen, poezitë e mia. Nuk arrij ta kuptoj këtë sëmundje a mani për të dalë në publik me poezi, vargje apo figura të vjedhura nga autorë të tjerë…Ndërsa mua do më bëhej gangrenë një metaforë e huaj, të tjerë fare pa cipë e pa turp, i gëzohen krijesës – monstër, të ndërtuar me vargje e figura të vjedhura nga krijues të tjerë… Vargje të arnuara, një ankand poetik pa vlerë, vjersha që nuk bien erë origjinalitet por erë hajdutllëk, adoptime të paligjshme…Me çfarë dinjiteti ata autorë apo autore venë firmën poshtë krijimesh të tilla të sajuara me vjedhje?
Unë për vete jam e qetë, qielli e ka lexuar vargun tim, miqtë dhe krijuesit e vërtetë e njohin stilin tim, por ata që vjedhin duken sikur ta ndyjnë poezinë.
Atëherë ?!?
Atëherë, çakenjtë duhen luftuar, se janë gjallesa pa shpirt, pa ndjenja, kufoma pa gjak, pa organe, pa mish, pa kujtime, pa mendje, pa jetë, klinikisht të vdekura, dyfish mëkatarë..të dënuara në këtë botë e në tjetrën (në se ka).Se çakenjtë (meshkuj apo femra qofshin) janë “bibat e shekullit të ri, japin çdo gjë në këmbim të një libri pa djersën e tyre, për pak emër, për komente e recensione të pamerituara…Këtyre qënieve u duhet nxjerrë boja, u duhet çjerrë maska, që shtypi letrar apo edhe rrjetet internetike të jenë tribuna të pastra të krijuesve të vërtetë, të talenteve dhe jo të sharkatanëve që kërkojnë të fitojnë emër krijuesi duke vjedhur.
EDLIRA DOKO


Leave a Reply