
LETËR BABAIT
I dashur dhe i shtrenjti baba, të shkruaj,
me mallin që zhurit çdo të gjallë mbi tokë,
tek kujtoj imazhin tënd të brishtë prej burri,
ashtu flokëthinjur, rrudhur para kohe,
duart më dridhen dhe sytë derdhin lot.
Dua të të pyes për shendetin, po nëna si është?
Pleqëria ç’ thotë, t’ i grind kockat ndonjë çikë..?
Sa kohë pa u parë, si përqafohet kemi harruar,
dhe dhimbja sa vjen e shtohet, ligeshtohet shpirti,
eh, qindra e mijëra fjalë në heshtje kanë vërshuar.
#
Dua të di, kur bie mbrëmja, a shqetësohesh më,
dhe zgjon nënën të këmbesh mendimet mbledhur stok,
a baret sërish nëpër dhomë, duke tretur merakun,
duke fërgëlluar e qarë nën zë, të thyesh krenarinë,
apo ulesh duke u llafosur me vehten tek pragu?
#
Shqetesohesh ?! Si më erdhi kjo fjalë, që e thashë,
tani jam e rritur, një grua me mendje, e vertetë,
kam dy yje, një qiell plot e përplot me dritë,
një diell, që e lakmojnë mbretër, perëndi e engjëj,
ndaj jam me fat e ndjehem lule në çdo stinë.
#
Veç, më mungon zëri, buzëqeshja juaj,
ndaj, të dashur e të shtrenjtë prindër…
Ju shkruaj…
NËNË MOJ…
Nënë moj, më mori malli,
për atë lotin tënd të rrallë,
male e dete kalëruar,
veç një çast për të të parë.
#
Fryn kjo era e tërbuar,
nuk më lë të futuroj,
ngriti valë, më mbyll shtigjet,
si të vij që të takoj ?
#
Gri është qielli në kurbet,
lotët derdhen si lumenj,
dielli me një rreze duket,
të betohem, nuk gënjej.
#
Vargëzoj, për ty, moj dritë,
digjet shpirti pa kuptuar,
zemra fërgëllon përditë,
dridhet dora, dot nuk shkruan.
#
Nënë moj, më mori malli,
dil o xhan në anë te detit,
nis një fjalë si shi behari,
shpirti thahet, malli s’tretet..

LUTJE – 1
-atdheut tim-
Zoti im
i madhërishëm,
plot fuqi…,
dritë e universit,
i vetmi
në qiell dhe në tokë…
Më thuaj:
Çfarë të keqe kemi bërë,
pse na dënon kështu?
Një jetë
të kemi treguar plagët,
dhimbjet tona,
shekuj e shekuj
zemrën
coptuar
neë mijëra copë,
trupin
ndarë
në pesë brinjë…
Dhe ti ?!
Ti heshtur vështron nga lart,
duart lidhur kryq,
rrethuar me parajsë,
ndërsa ne,
ne kemi nevojë për ngrohtësi,
për fjalën tënde të mençme,
të dimë çfarë të bëjmë,
të dimë ku shkojmë.
Ja,
po të zgjas vargun tim,
futu brenda tij si një shpirt,
shpirt që bën melodi
dhe eja…
Eja,
ndriço udhën,
beko çdo foshnjë,
frut
e virtyt,
çdo gjë, që është Shqiptare!
AMIN!
KA POETË…
Ka poet që këndon lehtë,
ka poet që shtrëngohet kur flet.
#
Ka poet që ulërin dhimbjen në kockë,
ka poet që kërcen mbi lot.
#
Ka poet të lidhur me zinxhirë,
ka poet që betohet për liri-në.
Ka poet që mbushet me ajër,
ka poet që mat edhe hapat .
#
Ka poetë sa të duash,
por rrallë poetë janë poezi më vete.

EDENI IM
U linda dhe u rrita ne Eden.
Shtëpi-ngjitur, lagur nga Vjosa,
përtej maleve, ku ndrin dielli,
dhe kodrinash çelnin lule vjollca.
#
Një krah i detit luante me erën,
kur Adriatiku ngrite Jugën stuhi,
tek përthante baltën e rrugicave,
loznim kukafshehtas unë dhe ti.
#
Pulsi i vajzërise rrihte fort
e dita më dukej një sekondë,
në prehër ulej mëngjesi i ngrohtë,
tej horizontit, Sazani në sfond.
#
Në fytyrën e fushave të blerta,
pikonte fati pikë – pikë si vesë
dhe hëna e plotë varur në qiell,
kalonte andej e mbillte shpresë…

DËGJOJE HESHTJEN…
Kuptoje heshtjen time, kur unë hesht,
si një melodi që vallëzon nëpër duar,
si një gjethe që përkundet erës në vjeshtë,
si një puthje që rrëmbehet, si padëshiruar.
#
Kuptoje nëpërmjet syve, që ëmbël të shohin,
kur dhimbja të pushton e s’ di ku të dhemb,
kur fjalët rëndojnë e plaga s’ gjen shërim,
dhe loti bëhet më i fortë se një shkëmb.
#
Kuptoje zemrën, në rrahjen e fortë të natës,
që yjet, të ndezin qiellin me një frymë të ngrohtë,
oh,sa do doja të përpelitesha mes flakës,
e rete të më mbidhen shtëllunga-shtëllunga në gjoks.
#
Kuptoje lëvizjen, kur vij, në përqafimin e mbrëmjes,
të të pëshpëris ngadalë: shpirt, pse je vonuar ?
Të emigruar në dashuri, brenda vetvetes,
jeta na ndan, por ne fuqimisht të dashuruar !
POEZI, JE LULE SHKËMBI
Poezia është frymë,
drita e jetës..
zemra e zjarrit,
etja në shkretëtirë,
lulja në shkëmb.
Ajo vjen si puhizë
si një valzer në Vienë,
dhe bëhet frymezim.
Frymëzim është
momenti ku flakërojnë vetëtimat,
gjëmon gjoksi,
dhe emocoinet mblidhen një grusht,
një pikë lot.
Momenti kur prekesh nga stuhitë,
stinët, perënditë,
ndërsa qiejtë e toka,
rrokullisen tok përqafuar,
e të rrëmbejnë me frymëmarrje si era.
Një ciklon poetik…
Detet,oqeanet, lumenjtë, liqenet
janë në pëllëmbë të dorës.
Dallgët
shndërrohen ne dhimbje,
e dhimbja bëhet kënaqësi,
loti – gëzim, pikëllimi – këngë,
e puthja – shpresë…
Frymezimi eshte dhunti,
bekim,
magji…
Kështu është POEZIA.

NGJYRA E FLAKËS
Më zuri një inat, një inat i bardhë,
me botën..zotin…gjithësinë…
më vodhën ëndrrat, rininë e parë,
më vodhën dritën nga të dy sytë.
#
Dhe qava në heshtje, e pafjalë,
durimin në gotë malli e treta,
kërkova dita me natë një strehë,
ndava gënjeshtren nga e vërteta.
#
U bënë vite, që qiellin kam me qera,
rrethuar nga yje të bukur çdo anë,
zgjas duart t’ i ngroh pak si n’ atdheun tim
e zbuloj që ngjyrë kuq e zi paska flaka.
…DHE POETË…
Poetët e vërtetë,
rrojnë në përjetësi,
vdesin, ringjallen,
frymojnë dlirësi!
#
Nuk shahen,
as gjykohen…
#
Poetët,
me frymë
ndezin qiellin,
me puthje
djegin
e përvëlojnë tokën.
#
Kur prehen,
bëjnë serenatë me vjersha,
ku qeshin e qajnë shpirtra.
brenda mermerit të ftohtë.
ENIGMË…
Por edhe sikur dashuria të ishte një enigmë,
dhe enigma, një dashuri e pashpjegueshme,
a, do të kishte ndonjë filozof në botë,
që me dashurinë mos ishte dashuruar..?!

TË KAM DASHUR, TË DUA…
Të kam dashur, shumë të kam dashur,
në netët me shi, në ditet me diell,
kur zemra e mardhur, merrte flakë çmendurie,
kur puthja ndizte shkrepëtima në qiell…
#
Dhe kur dielli kolovitej në ëndrra,
në atë fund vere e fillim vjeshte,
të rrokullisur në lëndina e blertë,
kur era fëshfërinte në brinjë peme.
#
Të dua, shumë të dua
në heshtje me këngë,
në dhimbje me lot…
O dhimbja ime e ëmbël.



Leave a Reply