Nënpresidenti Joe Biden thotë se avionin malajzian e rrëzuan në Ukrainën lindore, dhe se ky incident nuk ishte një aksident.Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Jeff Seldin, tha se zyrtarët amerikanë konfirmuan se avioni ishte goditur nga një raketë, por nuk është e qartë në se kush e ka hedhur raketën, në se ajo është hedhur nga territori rus, apo nga ai ukrainas.
Zyrtari tha se avioni mund të jetë qëlluar qëllimisht nga dikush, i cili mund ta ketë marrë atë për avion ushtarak transporti.
Avioni Boeing 777 me 295 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi në bord, ishte nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Ai u rrëzua në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, pranë qytetit Snizhne. Dëshmitarët thanë se copëra të avionit ishin shpërndarë në një fushë. Asnjë nga personat në bord nuk ka mundur të mbijetojë. Shumica e pasagjerëve ishin holandezë.
Presidenti Obama i telefonoi kryeministrit holandez, Mark Rutte, për t’i shprehur ngushëllime. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se të dy udhëheqësit biseduan lidhur me nevojën që hetuesit ndërkombëtarë të lejohen të shkojnë në vendin ku u rrëzua avioni.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama foli edhe me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe e siguroi atë se ekspertë amerikanë do të ofrojnë menjëherë ndihmën e nevojshme. Të dy presidentët theksuan rëndësinë që të gjitha faktet të mbeten në Ukrainë. Kryeministri malajzian Najib Razak, i cili gjithashtu foli me presidentin Obama, tha se nuk mund të konfirmojë që avioni është rrëzuar pasi është qëlluar, por shtoi se piloti nuk dërgoi ndonjë sinjal për të shprehur shqetësimin.
Ukraina akuzon separatistët pro-rusë se e kanë rrëzuar avionin, duke e qëlluar me një raketë tokë-ajër, ndërsa udhëheqësit rebelë thonë se avionin e ka rrëzuar një avion luftarak ukrainas.
Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Yuriy Sergeyev, tha se Ukraina do të paraqesë fakte për atë që ai thotë se ishte përfshirje ushtarake ruse në rrëzimin e avionit, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të premten.
Por presidenti rus Vladimir Putin tha se fajtore është qeveria e Ukrainës, e cila i ka rifilluar operacionet ushtarake në lindje të vendit. Ai tha se kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur, në se në rajon do të kishte patur paqe.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply