Prokuroria e Krimeve të Rënda bën të ditur se ka zbardhur çdo detaj të dosjes së trafikut të femrave, dosje për të cilën është nisur edhe kërkesa për gjykimin e tre personave të vënë nën akuzë. Kështu, ka dërguar të pandehur në gjykatë shtetasit Shyqyri Stafuka, Bledar Stafuka dhe Emiljano Tarja, në ngarkim të të cilëve rëndon akuza e trafikut të personave të rritur dhe të mitur. Nga shqyrtimi i të dhënave krahas rastit të D. B, mësohet se u zbulua edhe historia e një vajzë 16-vjeçare, që ishte rrëmbyer nga të pandehurit dhe përdorur për prostitucion në Zvicër.
Historia sipas Prokurorisë
Shtetasja D.B, është me origjinë nga Skrapari dhe në nëntor të vitit 2012 për arsye shëndetësore ka qenë e detyruar që së bashku me familjen të vinin dhe të banonin në qytetin e Tiranës. Në momentin kur kanë ardhur në Tiranë, motra e të dëmtuarës është punësuar si kameriere tek Lokal “D…..”, i cili ndodhet në krahun e djathtë të mbikalimit Kamzës, pronarë të të cilit rezulton të jenë shtetasit H. Stafuka dhe N. Stafuka, me origjinë nga Fushë-Kruja. Gjatë kësaj periudhe që motra e të dëmtuarës ka qenë e punësuar në këtë lokal, ka vajtur vazhdimisht për të pirë kafe dhe D.B. Pikërisht dy javë pas këtij momenti, po në muajin Nëntor 2012, në ambientet e këtij lokali është njohur me djalin e pronarit të quajtur Shyqyri Stafuka, i moshës rreth 23 vjeç, i cili ka mësuar dhe faktin se e dëmtuara ishte motra e kamerieres.
Në ditët në vazhdim, D.B. dhe Shyqyriu, pasi këmbejnë numrat e celularëve dhe adresat në rrjetet sociale respektive, kanë komunikuar mes tyre si dhe i kanë dërguar edhe mesazhe në rrjetin social Facebook. Një javë nga ky moment, Shyqyriu i ka kërkuar të dëmtuarës që të dilte më të për kafe, moment në të cilin janë ulur në një lokal pranë “Unazës së Re”. Gjatë këtij takimi, Shyqyriu i ka shprehur të dëmtuarës dëshirën për lidhje intime. E dëmtuara, fillimisht nuk ka pranuar që të krijonte lidhje me Shyqyriun për shkak se kishte qenë më parë e fejuar me një person tjetër, me të cilin nuk kishte bërë celebrim, si dhe për faktin tjetër se ishte në muajin e 2-të të shtatzënisë, por Shyqi i thotë se nuk e kishte problem një gjë të tillë, ndaj dhe i ka sugjeruar që ta abortonte fëmijën dhe për këtë do ta ndihmonte, duke gjetur dhe një klinikë ku do të kryente abortin, si dhe do kryente pagesën përkatëse.
Largimi në Gjermani
Fillimisht ka pranuar që të kryejë abortin, ku për të gjitha shpenzimet informohet nga Shyqi se do kujdesej shoku i tij. Pas këtij momenti Shyqi është larguar për në Gjermani, kurse e dëmtuara së bashku me E. L kanë vajtur për të abortuar fëmijën tek një klinikë private në Laprakë. Në darkën e asaj date, në banesën e të dëmtuarës ka vajtur E.L, i cili i ka dërguar biletën e autobusit si dhe një sasi eurosh me të cilat të nesërmen do largohej për në Gjermani. Të nesërmen në mëngjes më datë 22.12.2013, ka vajtur tek banesa e saj E.L së bashku me një shoqen e tij me emrin P., të cilën e ka prezantuar si të fejuarën e tij, persona që e kanë dërguar të dëmtuarën me mjetin e tyre deri tek stacioni i autobusëve.
Në Gjermani, është takuar dhe me vëllain e Shyqyriut, Bledi, dhe janë ulur për të pirë kafe, moment në të cilin Shyqi i ka kërkuar sasinë e eurove që kishte me vete, dhe i thotë se duhet të largohej pasi do kryente një vjedhje banese dhe nëse nuk do vinte deri në mëngjes, do të thoshte se e kishte kapur policia, kurse e dëmtuara gjatë kësaj periudhe do të qëndronte tek banesa e vëllait të tij me emrin Bledi, e cila ndodhej në Gjermani. Por, të nesërmen Bledi i thotë të dëmtuarës që Shyqin e ka kapur policia dhe duhej që të interesohej me qëllim për të gjetur avokat. Në fillim të muajit Janar 2013, në shtëpinë e Bledarit, vend në të cilën ka qëndruar e dëmtuara kanë vajtur dhe 2 vajza shqiptare me emrat G. nga Gjirokastra e moshës 20 vjeçe, si dhe P. nga Vlora e moshës 20 vjeçe. Nga bisedat që e dëmtuara ka zhvilluar me to, ka mësuar se punonin si prostituta në një vend të quajtur “PUF”. Më pas vajza është nisur për në Zvicër ku edhe ka punuar si prostitutë. Të gjitha janë dëshmuar nga vetë ë mitura
Shekulli


Leave a Reply