
Vetë-qeverisja – kur një popull ushtron të gjitha funksionet e nevojshme të pushtetit pa ndërhyrje nga një autoritet më i lartë i cili nuk i lejon ata të qeverisin veten – është vlerë thelbësore amerikane. Vetë-qeverisja është gjithashtu në zemër të Deklaratës së Pavarësisë, e nënshkruar 238 më parë, dhe që amerikanët festojnë sot.
Thomas Jefferson, autori kryesor i dokumentit, shkroi se vetë-qeverisja është “status i veçantë dhe i barabartë”, që një popull ka drejtë sipas ligjeve të Zotit dhe të Natyrës. Vetë-qeverisja nuk ka ardhur lehtë. Historia e hershme e Amerikës është shënuar nga konflikte me vende të tjera që ndjeheshin të kërcënuara nga një qeveri republikë; nga konflikte edhe mes vetë amerikanëve mbi formën përfundimtare që qeveria duhej të merrte. Por Deklarata vendosi për një komb që të mbijetonte dhe të rritej, duke frymëzuar lëvizje të ngjashme për pavarësi në mbarë botën.
Kur lufta e parë shpërtheu mes Britanisë dhe kolonistëve të saj të Amerikës së Veriut, pak imagjinuan, dhe jo pastaj mbështetën, krijimin e një kombi të ri. Historianët vënë re se edhe pse luftimet shpërthyen, kolonistët ishin thellësisht të ndarë mbi të ardhmen. Afërsisht një e treta besonte se shkëputja e plotë nga Britania ishte e nevojshme; një e treta ishte për besnikëri ndaj kurorës britanike; dhe një e treta thjesht donte të lihej e qetë në punën e vetë për t’u kujdesur për familjet e tyre.
Të Pesëdhjetë e gjashtë burrat të cilët nënshkruan Deklaratën më 4 korrik 1776, hodhën votat e para për pavarësi. Bashkëqytetarët e tyre e ratifikuan përzgjedhjen që këta burra bënë, dhe me të, miratuan parimin i cili atëherë shihej si radikal që qeveria duhet të bazohet në pëlqimin e të qeverisurve.
Ndërsa kjo është ngjarja dhe arsyeja që festojmë sot, kjo nuk është unike vetëm për amerikanët. Ajo mishërohet në kushtetutat e shumë kombeve dhe shënohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut që ne të gjithë e njohim. Në thelb pra, dita e pavarësisë së Amerikës është festë e përbashkët e mbarë njerëzimit.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply