![]()
Ndarjet në çift mund të jenë për disa njerëz shkatërrimtare, por për aktorin Majkëll Daglas ishte një mësim i mirë për vlerën e madhe të familjes dhe dashurisë
Ndodhi para një viti që Majkëll Daglas (Michael Douglas) filloi të kalojë kohë larg bashkëshortes Katerin Zeta-Xhons (Catherine Zeta-Jones). Veterani 69-vjeçar dhe bashkëshortja e tij 44-vjeçare fituese e çmimit “Oskar”, e kaluan verën në qytete të ndryshme dhe deklaruan në gusht se marrëdhënia e tyre kishte ngrirë.
Në Hallouin, çifti u bashkua përsëri, duke lënë pas krahëve mosmarrëveshjet që i kishte sjellë martesa 14-vjeçare. Ylli i filmit “The Basic Instinct” duket se ka mësuar disa leksione të vlefshme prej rrugës jo të lehtë të martesës.
“Nuk mund ta marrësh kurrë martesën për të mirëqenë”, – tha fituesi i çmimit “Emmy”, i cili po promovon këto kohë filmin e tij më të ri “And So It Goes” me aktoren Diane Keaton.
Djali i ikonës së filmave të viteve ‘50, i cili u shfaq shumë i dashuruar pas Katerinës në ceremoninë e 42-të të Çmimeve AFI në Los Anxhelos dy javë më parë, shtoi: “Ka të bëjë me idenë se si e shpenzon pjesën më të madhe të energjisë dhe kujt i përkushtohesh pjesën më të madhe të kohës. Kalon shumë kohë me të panjohur, duke u përpjekur ta bësh këdo të kuptojë sesa i mirë je?”.
Ai vazhdoi: “Apo i gëzohesh partneres tënde dhe nuk shqetësohesh për të tjerët?”. Daglas, që ishte protagonisti i serive televizive “The Streets Of San Francisco” dhe përparoi duke marrë role në filma hit, ia dha meritën e mençurisë së tij moshës.
“Kur ke përmbushur një pjesë të caktuar të karrierës, nuk je i përqendruar në ambiciet e tua”, – tha ai. “Kjo ndjenjë përmbushje të bën ta vlerësosh – mirë do të ishte sa më herët dhe jo shumë vonë – vlerën e partneres tënde”.
Aktori i filmit “The Behind The Candelabra” shtoi: “Si një orkide e bukur, apo çdo gjë tjetër që rritet, martesa zhvillohet dhe rritet, por nëse lihet jashtë vëmendjes, vyshket”.
Fëmijët e tij me aktoren e filmit “Chicago” – djali 13-vjeçar Dilan dhe vajza 11-vjeçare Karis (Carys) – janë në listën e gjërave të rëndësishme të Daglas. “Jam gjithnjë e më i dhënë për t’u treguar fëmijëve të mi rreth çdo gjëje”, – thotë ai.
“Më parë ka ekzistuar një numër i madh gjërash dhe mendimesh që duheshin mbajtur të fshehta nga fëmijët. Nëse ka një problem në një lidhje, njerëzit parapëlqejnë të mos ua tregojnë fëmijëve. Fëmijët e dinë. Ata dinë gjithçka. Do të preferoja t’u thoja atyre gjithçka. Ata mund ta mirëpresin atë, pasi kjo është jeta.”
Javën e shkuar ai foli për ndarjen gjatë vitit 2013 nga Katerina. “Së pari duhet të pranosh që ke bërë një gabim, më pas përballja me të është më e lehtë”, – tha ai.
“Sigurisht që është e rëndësishme të bësh gabime, për sa kohë rritesh prej tyre”, – mendon Majkëll. “Me kalimin e viteve, energjinë e përqendron te njerëzit më të afërt, familjes”
Majkëll dhe Katerina po i rikthehen jetës së tyre familjare. Çifti u lidh me martesë në vitin 2000. E shkuara e tyre ka qenë e ndritur. Katerina ka lindur në Uells më 25 shtator të vitit 1969. Karriera e saj nisi që në fëmijëri, pasi ishte pjesë e trupës së baletit dhe aktrimit vendas.
Rolet e saj të para ishin në vepra operistike. Në Britani njihet për zërin dhe aftësinë për të aktruar në vepra mjuzikëll dhe seriale të ndryshme.
Filmi që i dha famën ishte “Maska e Zoros” në vitin 1998, ku luajti me Antoni Hopkins dhe Antonio Banderas.
Majkëll Daglas nga ana tjetër, lindi dhe e mori famën në Amerikë. Karriera e tij është e pasur me shumë çmime si katër “Golden Globe”, dy “Oskar” dhe një “Emmy”. Filmi që i dha famën Daglas ishte “Romancing the Stone” në vitin 1984. Ai është një aktor dhe një producent i suksesshëm.
Gazeta Shqip










Leave a Reply