Nga Xhelal Tosku
Shqipërisë për keq
O dete, o dete, mbrëmja po vjen , nata po bie.
ndjehem i lodhur si një anije e vjetër
ngarkuar plot me të tjerë
hipokritë tregtarë idiotë policë budallenj
gënjeshtarë, mashtrues politikanë pa turp horra
nuk ju mbys kam dhimbje për ju mëshirë
në limanin më të afërt do ju zbres të gjithëve
pastaj bashkë me erën
do shkoj nëpër errësirë.
***
si xixëllonjat
edhe unë
isha për ndriçimin e kësaj bote
tani nuk e dua dritën
dita më krijon bezdi
dua vetëm natën time
të pafund.
***
unë kam vdekur qysh ditën e parë të lindjes
është e shkruar në qiell:kam ardhur për të vdekur.
shtriva këmbët ashtu dhashë shpirt jetë
asnjëherë nuk e kuptuan pse aq kot u morën me mua
rrufetë tigrat
dhe sidomos njerëzit.
***
shira të vjetër ardhur nga shumë larg
sikur të ishin lotët e Andromakës
të rraskapitur bien e thërrmohen
te pragu i drunjtë i shtëpisë sime
luftërat vazhdojnë ende.
***
Po bie shi me tha ajo
me zërin e saj prej diamanti
po bien kambanat
edhe tani shi po bie
kambanat po i dëgjoj
por, ah, nuk është zëri i saj
prej diamanti
***
mizorja
unë hodha një hap
ajo me tha
hidh edhe një tjetër
dhe shihja diellin
retë e bardha
erën.
unë hidhja një hap
ajo me thosh
hidh edhe një tjetër
dhe shihja luginën
pyllin në luginë
erën.
unë hidhja një hap
ajo me thosh
hidh edhe një tjetër
mizorja:kurrë nuk më tha një fjalë
për humnerën.
***
këtu është të ikësh
larg, shumë larg…sa larg. Ku do shkosh
o gishti im i vogël , o erë e brugave në luginën mbi det
ditët tona të pakta me shije luleshtrydhesh në gojë
ikja nuk është të ikesh, ikja është të rrish
ti gishti im i vogël, ti dhimbja ime që askush nuk e di.
Te ura mbi Vardar
si quhej manastiri ku hymë
ti mos shko më asgjëkundi
rri atje ku po rrije para se te vija unë
mbaj po atë kapele që kishe
po atë kapele me fjongo të gjelbër
sa të shkonte ajo kapele
ndanë lumit Vardar
mos ndrysho me asgjë
as buzëqeshjen
sa të shkonte ajo buzëqeshje
pranë urës së lumit Vardar
mos ndrysho asgjë , asgjë.
asgjë mos ndrysho. As mos u rrit
sepse ditën tjetër të gjithë burrat
që do të bien në dashuri me ty
do të tradhëtojnë, edhe unë.
këto gjera ti them se të dua shumë
shumë.
***
ende nuk ka rënë dëborë e parë
në pyll kanë ndezur zjarr
rreth e rrotull nuk lëviz asgjë
o, vetëm tymi si shpirti që ngjitet lart.
***
rruga Cvetan DIMOV 174 SHkup
bota qesh unë i vështroj dhëmbët.
Shtëpia e saj mbi det
deti i mëngjesit, deti i mbrëmjes
nëpër të gjitha ditët deti, deti nëpër të gjitha netët
dhe dielli mbi det
dhe shtëpia e saj mbi det
deti që ikën deti që vjen
deti që me merr e më çon larg
deti që më sjell anedetit
deti deti deti
dhe përsëri deti
deti i asaj që desha në një natë të vetme
sa për njëqind vjet.
***
nga deti frynte erë në ngjyrë jeshile
për të gjitha pabesitë tuaja
thikën dytehëshe ta ngula midis brinjëve
katër gishta larg zemrës
gjaku yt spërkati asfaltin e zi
kalimtarë të rastit shqyenin sytë të tmerruar
kur mbrriti policia më doli gjumi në çast
era që frynte nga deti ishte e pa ngjyrë
Flamujt e krimit
-Mikut tim Sajmir Çami
ende atje
Zjarret valeviten si flamuj mbi çati
pse të dogjën,
o e bukura Çamëri
të gjitha netët
me plagë e yj
o, ullinjtë e tu në brigje
Çamëri
moj Çamëri!
Osman Taka vallen hedh
ku je Shqipëri
Shqipëri ku je
ende atje
zjarret valëviten si flamuj
flamujt e krimit.
Albina
albina tani do jetë e mbështetur në direkun e anijes
dhe vështron yjet e vjeshtës
albina e qeshur dhe albina e trishtuar
albina me buzë të kadifenjta
albina më flokët e zes si nata
albina që qesh albina që qan
albina që e duan të gjithë
albina që ende nuk e ka provuar dashurinë
albina e gëzuar albina plot pikëllime
albina që këndon nën zë
Milosao
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply