
NJE TREGIM I MJAFT PREKES PERKTHYER NGA INTERNETI PREJ MIKESHES TIME NE AMERIKE ALBANA LIFSCHIN- shkruan ne faqen e tij ne Facebook shkrimtari dhe poeti Robert Martiko
Perkthim per miqte e mi ne fb, dhe vecanerisht per mesuesit-mesazh i mrekullushem!( JU lutem mos i beni ‘like’ pa e lexuar, ja vlen dy minuta kohe)
–
Tek sa qëndronte para klasës së saj në ditën e parë të shkollës, duke vështruar nxënësit, ajo u tha atyre një gënjeshtër: “Ju dua të gjithëve njëlloj.”
Në rrjeshtin e parë, midis nxënësve, qe ulur një fëmijë që quhej Tedi Stodard.
Zonja Tomson e kishte ndjekur Tedin për vite me radhë dhe kishte vënë re që ai nuk bëhej shumë me të tjerët, që rrobat e tij nuk ishin të pastra dhe gjithnjë dukej sikur kishte nevojë të lahej. Për më tepër qe fëmijë i papëlqyeshëm. Erdhi puna që ajo kishte filluar të gjente kënaqësi kur i shënonte gabimet e tij me bojë të kuqe duke vënë kryqe të mëdhenj mbi to, dhe së fundi i bënte vlerësimin me një notë të madhe pakaluese.
Në shkollën ku punonte zonja Tomson kërkohej që mësuesit të shikonin përparimin e nxënësve në të kaluarën, dhe ajo e kish lënë Tedin për në fund fare. Sidoqoftë, kur filloi të lexonte shënimet që kishin lënë kolegët e saj në të shkuarën për këtë nxënës, ajo u habit.
Mësuesja e klasës së parë kishte shkruar: “Tedi është një djalë i zgjuar dhe gazmor. Ai i bën detyrat pastër dhe ka sjellje të mira. Eshtë kënaqësi ta kesh nxënës”.
Mësuesja e klasës së dytë kishte shkruar: ‘Tedi është nxënës i shkëlqyer . Shokët e klasës e duan shumë, por këto kohë ai është i papërqëndruar sepse nëna e tij është e sëmurë dhe duket se ka një sëmundje të pashërueshme”.
Mësuesja e klasës së tretë kishte shkruar: “Vdekja e nënës e ka dëshpëruar shumë Tedin. Ai përpiqet t’i bëjë detyrat dhe të mësojë, por duket babai tij nuk interesohet për mbarëvajtjen e djalit në mësime. Kjo do të ndikojë tek Tedi nëse nuk merren masa për të përmirësuar gjendjen”
Mësuesja e klasës së katërt shkruante:“Tedi qëndron i tërhequr dhe nuk tregon shumë interes për shkollën.Nuk ka shumë shokë dhe shpesh e zë gjumi në klasë”.
Zonja Tomson e kuptoi se ku qëndronte problemi me Tedin dhe i erdhi turp nga vetja. Ajo u ndje akoma edhe më keq kur nxënësit i sollën asaj dhurata për Krishtlindje të mbështjella në letra të bukura me shkëlqim e lidhur me fjongo të kuqe, me përjashtim të Tedit. Dhurata e tij ishte e mbështjellë keq me një letër ngjyrë kafe që e kishte futur në një qese letre të marrë nga një dyqan ushqimesh. Asaj iu desh ta hapte atë përpara gjithë klasës. Fëmijët qeshën kur panë që ajo nxorri prej andej një byzylyk të cilit i mungonin disa gurë dhe një shishe parfumi të përgjysmuar.Fëmijët pushuan së qeshuri kur panë që mësuesja e tyre e lëvdoi dhuratën e Tedit, dhe e vuri byzylykun në dorë dhe pastaj hodhi edhe pak parfum mbi kyçin e dorës.
Tedi atë ditë qëndroi në shkollë më gjatë se çdo ditë tjetër vetëm për t’i thënë mësueses: “Zonja Tomson, ju sot mbani aromën e nënës sime”.
Kur fëmijët u larguan, ajo qau për gati një orë. Që nga ajo ditë Zonja Tomson pushoi së mësuari leximin, gramatikën e matematikën, dhe filloi të mësonte …nxënësit. Tedit i kushtoi një vëmendje të veçantë. Ndërsa punonte me të , filloi të shikojë shenjat e para të rezultatit të përkushtimit të saj. Sa më shumë e inkurajonte , aq më shumë aktiv bëhej ai. Nga fundi i vitit shkollor Tedi qe bërë një nga nxënësit më të mirë të klasës. Dhe pavarësisht nga gënjeshtra që ajo kishte thënë ditën e parë të shkollës(“ Ju dua të gjithëve njëlloj) Tedi u bë një nga nxënësit e saj më të preferuar.
Një vit më vonë ajo gjeti nën derë një shënim nga Tedi ku djali thoshte se ajo ishte mësuesja më e mirë që kishte pasur në gjithë jetën e tij.
Gjashtë vite më vonë, asaj i erdhi një tjetër letër nga Tedi. Atë kohë ai i shkruante se kishte mbaruar shkollën e mesme, dalluar si i treti në klasën e tij, dhe ajo ende kishte mbetur mësuesja e tij më e mirë.
Katër vjet pas asaj letre,ajo mori një tjetër nga Tedi. Ai i tregonte se kishte studiuar me ngulm me leksionet herë -herë të vështira, dhe së shpejti do ta përfundonte fakultetin më rezultate të larta e certefikatë nderi. Ai e siguronte mësuesen, se përsëri ajo mbetej mësuesja më e mirë për të .
Kaluan edhe katër vite te tjera dhe sërish një letër tjetër prej Tedit. Kësaj radhe ai i spjegonte se megjithëse mori diplomën e studimeve të larta katër vjeçare, kishte vendosur të shkonte edhe më tutje. Dhe përsëri ajo mbetej mësuesja më e mirë që kish pasur tërë jetën..Dhe firmoste në fund të letrës emrin e tij. Por këtë radhë firma qe disi më e gjatë: Theodore F. Stoddard, MD.
Por historia nuk mbaron këtu. Një letër tjetër i erdhi zonjës Tomson atë pranverë. Tedi thosh se kishte takuar një vajzë dhe kishte ndërmend të martohej. Ai spjegonte se babai i tij kishte vdekur disa vite më parë, dhe pyeste nëse ajo ditën e martesës së tij do të qëndronte në vendin e rezervuar për nënën e dhëndërit. Sigurisht ajo pranoi. Dhe imagjinoni: ajo kishte vënë atë ditë byzylykun e nënës së tij, dhe kishte hedhur parfumin e saj. Ata përqafuan njëri tjetrin dhe Tedi i pëshpëriti: “Faleminderit Zonja Tomson që patët besim tek unë, kur isha fëmijë, që më bëtë të besoj se unë mund të ndryshoja jetën time.”
Zonja Tomsoni iu përgjigj: “Jo, Tedi e ke gabim.Isha unë që mësova nga Ty. Para se të takoja ty, unë nuk dija të jepja mësim”.
Më pëlqen shumë kjo histori. Sa herë që e lexoj më rjedhin lotët. I jepni ngrohtësi zemrës së dikuj. Përpiquni të sillni një ndryshim të bukur në jetën e dikuj.. Sot? Nesër? Vetëm bëjeni…
Burimi – Facebook


Leave a Reply