Në Kosovë, në orën 19:00, janë mbyllur zyrtarisht 2374 qendrat e votimit, ndërsa ka filluar procesi i numërimit. Sipas KQZ deri në orën 19:00, pjesëmarrja në këto zgjedhje ka shënuar 43.17 %.
Nga rezultatet paraprake, deri më tani kryeson partia PDK e Hashim Thaçit me 31.22% e ndjekur nga LDK me 25.07% dhe Vetëvendosja me 9.86% të votuesve. Sipas faqes zyrtare të KQZ-së së Kosovës janë numëruar 17.61% të votave. Ndërkohë që prcesi numërimit vazhdon, subjektet politike PDK, LDK dhe Vetëvendosje kanë shprehur me nota optimizmi fitoren e tyre në këto zgjedhje.
Në këto zgjedhje vërehet një ulje e numrit të votuesve krahasuar me zgjedhjet e 2010, e konfirmuar kjo edhe nga Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka për A1 Report, ndërkohë që rezultati përfundimtar pritet të dalë pas mesnatës. Për herë të parë në zgjedhjet e sotshme kanë votuar edhe komunat e veriut të Kosovës, për të zgjedhur 38 subjektet politike të cilat garuan për 1 vend në parlamentin 120 vendesh kosovar.
Sipas prokurorisë gjatë këtyre zgjedhjeve janë regjistruar 13 raste të keqpërdorimit me 16 persona të përfshirë, të dyshuar se kanë manipuluar votat duke dhënë ose marrë ryshfet. Sipas autoriteteve kosovare nuk janë shënuar incidente problemtike gjatë procesit të votimit.
Ndërkohë organizata Demokracia në Veprim gjatë ditës së sotme denoncoi sipas saj se në komunën Skënderaj janë mbushur kutitë e votimit me vota, nga persona të paautorizuar. Lidhur me këtë rast janë dërguar edhe prokurorët e Kosovës për të hetuar për denoncimin në fjalë.
Zgjedhjet e parakohshme pasuan vendimin e parlamentit për t’u shpërndarë në fillim të muajit maj, pas dështimit për të siguruar shumicën e votave për miratimin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ndërkaq edhe televizioni “A1 Report” po ndjek dhe përcjell hap pas hapi ecurinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke dhënë informacione të vazhdueshme edhe nga gazetarët tanë të dërguar në Kosovë.
Ora 22:20 Veseli: Fitore e padiskutueshme e PDK
Ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë po numëron votat, Zëvendëskryetari i PDK-së Kadri Veseli në një konferencë për shtyp tha se kjo parti ka fituar bindshëm, me një shumicë solide.
“Falënderojmë partitë politike dhe qytetarët që të gjithë bashkarisht kemi kaluar një test të demokracisë duke mbajtur zgjedhjet më të lira që nga koha e pas luftës. Dita e zgjedhjeve ishte më e përkryera. Qytetarët e Kosovës, kanë konfuirmuar të ardhmen e sigurt të kosovës në BE”, tha Kadri Veseli. Ai ka thënë se dhe partitë e tjera ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa ka bërë thirrje se dhe numërimi të shkoj pa incidente.
Ora 20:50 Prokuroria: Komisionerët në Skënderaj po merren në pyetje
Prokurorja Laura Pula ka deklaruar se pas pretendimeve se ka pasur mbushje të kutive në Skenderaj, janë duke u intervistuar disa komisioner, por sipas tyre, ende nuk ka dyshime për keqpërdorime të tilla. Ajo bëri të ditur se gjatë ditës janë regjistruar 13 raste të keqpërdorimit me 16 persona të përfshirë.
“Në moment kur ka informacione për mbyshje të kutisë policia ka reaguar menjëherë. Janë intervistuar 4 komisionerë lidhur me dyshimin e mbushjes së kutive. Deri më tani nuk ka prova për këtë, ndërsa pritet të mbarojë edhe intervistimi me komisionerët e tjerë.” tha kryeprokurorja Pula
Ora 20:30 Daka: Pjesëmarrja 43.17%, rënie e lehtë krahasuar me 2010
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës në një dalje për shtyp bëri publike të dhënat zyrtare të numrit të votuesve në zgjedhjet e sotshme të parakohshme parlamentare. Sipas kryetares Valdete Daka numri i votuesve është 43.17% ndërsa në zgjedhjet e vitit 2010 pjesëmarrja ka qenë 46.04%, duke shtuar se ka një rënie të lehtë të numrit të votuesve.
Daka bëri apel që të respektohen procedurat e numërimit. Sa i përket dyshimeve se në Skënderaj ka pasur mbushje të kutive të votimit, kryetarja e KQZ-së tha se janë marrë të gjitha masat për zbardhjen e këtyre akuzave. Sa i përket votimeve në veri, Valdete Daka shtoi se procesi në këto komuna ka qenë i qetë. Ndërsa sa i përket ankesës për numër fletësh të votimit jo të maftueshme, tha se fletët e votimit kanë qenë të kufizuara vetëm në vendvotimet me kusht.
“Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 43.17%. Krahasuar me zgjedhjet e 2010 ku pjesëmarrja ka qenë 46.04% vërehet një rënie e lehtë e votuesve. Bëj thirrje të zbatohen procedurat e numërimit. Ne jemi shumë mirë të informuar sepse jemi në kontakt me policinë dhe prokurorinë. Vendvotimet janë mbyllur me kohë, dhe diku rreth orës 16:05 minuta është raportuar për disa parregullsi, ata qendra janë mbyllur me kohë dhe jo para kohe. Komisionerët aty janë ndaluar të japin deklaratë për shtyp, kanë shkuar komisionerët rezervë për të kryer procesin e numërimit të votave. Nuk mund të japim një vendim zyrtar. Procesi në veri pa probleme, nuk kemi asnjë raport as nga policia apo nga vëzhguesit. Sa i përket rezultateve në të gjithë territori, pres që sonte nga mesnata të dalim në një rezultat paraprak për subjektet politike, por për individët duhet të pritet edhe më. Në vendvotimet me kusht nuk mund të dorëzojmë sa votues ka, por një shumë e caktuar. Nuk mundemi të parashikojmë sa votues me kusht ka, pra vendvotime jo të rregullta, por në vendvotimet e rregullta nuk ka pasur mungesa.” u shpreh Valdete Daka
Ora 19:42 AAK: Numërimi i votave të kryhet me korrektësi maksimale
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përshëndetur procesin e sotëm zgjedhor. Ndërkaq ka kërkuar përgjegjësi maksimale tani kur ka filluar numërimi i votave.
“I ftojmë komisionerët dhe vëzhguesit e të gjitha partive politike, por edhe vëzhguesit e pavarur që me kujdesin dhe korrektësinë maksimale ta përmbyllin këtë proces”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Ora 19:20 PDK: Zgjedhjet e suksesshme
Partia Demokratike e Kosovës i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të të suksesshme dhe demokratike. Këto ishin zgjedhjet më të mira të pasluftës, ka thënë Vlora Çitaku gjatë konferencës së parë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ajo e ka përgënjeshtruar Koalicionin Demokracia në Veprim në lidhje me pohimet se në dy-tri vendvotime në Skenderaj kishte raste të mbushjes së kutive të votimit. “Këto janë të pa vërteta”, ka deklaruar Çitaku
Ora 19:17 LDK: Nuk pranojmë rezultate të manipuluara
Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Agim Veliu ka thënë se kjo parti politike nuk do të pranojë asnjë rezultat nëpër qendrat e votimit ku ka dyshime për manipulim të votave.
“Duke iu referuar informacioneve që kemi nga tereni por edhe te dhënave që raportojnë organizata, siç është edhe raporti i Demokracia në Veprim, mund të konstatojmë se ka tendencë për manipulim të rezultatit real të votimit”, ka thënë Veliu në një konferencë për media. LDK sipas Veliut nuk do të pranojë asnjë rezultat të keq përdorimit të votës së lirë. Këto komente ai i ka bërë menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ora 19:00 Mbyllet zyrtarisht votimi, KQZ: Pjesëmarrja 43.41%
Në Kosovë, në orën 19:00, janë mbylluar zyrtarisht 798 qendrat e votimit, ndërsa ka filluar procesi i numërimit. Sipas KQZ deri në orën 19:00, pjesëmarrja në këto zgjedhje ka shënuar 43.46% ose 730 mijë e 153 votues nga 1.8 persona me të drejtë vote.
Ora 18:55 PDK: Infomacionet për mbushje të kutive në Skënderaj, të pavërteta
Partia Demokratike e Kosovës, Dega Skenderaj, përmes një deklarate thotë se në asnjë nga vendvotimet në territorin e komunës së Skenderajt nuk janë evidentuar parregullsi.
“Informacionet e DV-së për mbushje të kutive të votimit me vota të parregullta nuk janë të vërteta”, thuhet në deklaratë.
“Procesi zgjedhor në Skenderaj ka shkuar normalisht dhe pa incidente. Gjithsesi më këtë rast ftojmë organet kompetente të shqyrtojnë çdo rast të lajmëruar si shkelje në procesin zgjedhor. Fitoren tonë në zgjedhjet e sotme nuk mund ta dëmtojnë as interesimet e shtuara dhe tendencat e rivalëve tanë politikë, për njollosje të këtij procesi shumë demokratik. I falënderojmë qytetarët e Skenderajt për përgjigje në proces, si dhe për krijimin e frymës demokratike”, theksohet në deklaratën e PDK-së.
Ora 18:50 Prokurorët e Kosovës nisen në Skënderaj
Prokurorët e Kosovës janë nisur në fshatrat e Skënderajt ku po dyshohet se ka nisur mbushja e kutive të votmit. Kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës ka konfirmuar se policia dhe prokurori kujdestar janë nisur për në vendin e ngjarjes.
“Tani kemi disa informacione se në fshatrat Kopiliq, Aqareve, Llaushë dhe Tërnocë janë duke u mbushur kutitë. Ne menjëherë jemi angazhuar bashkë me policinë dhe kemi dërguar njësi shtesë. Kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe prokurori kujdestar është në Kopiliq”, ka thënë Syla.
Ora 18:30 Cliff: Deri tani, një ditë e suksesshme
“Nga ajo që e kam parë deri më tani, këto zgjedhje duken si në çdo vend tjetër në Evropë”, ka thënë ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff. Megjithatë, ai tha se jo gjithçka ka mbaruar, pasi tani dëshiron që dhe procesi i numërimit të votave të vazhdoj njësoj.
“Tani i përket komisionerëve se si do të eci puna. Unë besoj që mesazhi është përçuar fuqishëm, që nuk duhet të ketë manipulime, dhe se janë në dijeni që procesi duhet të shkojë mirë deri në fund”, ka thënë Cliff. Ai u shpreh i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e votuesve në veri të Kosovës.
Ora 18:26 Jacobson: Kujdes në numërim të Votave
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka përshëndetur mënyrën se si kosovarët kanë votuar deri në orët e pasdites dhe shpreson për pjesëmarrje më të lartë deri në fund të ditës. Ajo ka kërkuar sjellje të përgjegjshme nga numëruesit e fletëvotimeve.
“Kemi udhëtuar anembanë vendit sot duke vizituar disa komuna. Deri më tani, gjithçka duket të jetë e qetë dhe në rregull, shumë njerëz po vijnë të votojnë. Do të shohim si do të ecin gjërat, por deri tani do të thosha se është mjaft mirë. Shpresojmë të shohim më shumë pjesëmarrje si dhe duam të shohim gjithashtu edhe sjellje të përgjegjshme nga numëruesit”, tha Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson pasi ka vizituar qendrën e votimit të vendosur në gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë.
Ora 18: 16 Votimi në veri deri në orën 17:00
Në veri të Mitrovicës deri në ora 17:00 kanë votuar gjithsejtë 9669 votues nga gjithsej 26.832 votues me të drejt vote. Ndërsa, sipas KQZ-së, deri në ora 15:00, në Leposaviç kanë votuar 13.79%, Zubin Potok 16.67% dhe Zveçan 13.98%. Në veri të Kosovës procesi zgjedhor ka është zhvilluar normalisht, nuk ka pasur parregullsi, ndërkohë që dalja e votuesve ka qenë e ulët.
Ora 18:16 Arrestohen edhe 2 perona të tjerë
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Mitrovicë për shkak të dyshimit të manipulimit me vota përkatësisht dyshimit të dhënies së ryshfetit. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka thënë për Kosovapress se njëri nga të arrestuarit ka tentuar në shkollën e fshatit Zhabar të votojë dy herë ndërsa personi tjetër i arrestuar dyshohet për blerje të votave meqë gjatë një kontrolli rutinor policia ka gjetur në automjetin e tij një listë me shumë emra të qytetarëve. Sipas Zahitit me urdhër të prokurorit të dy personat ndodhen në mbajtje për 48 orë. Numri i të arrestuarve deri më tani për keqpërdorim të votës ka shkuar në dhjetë.
Ora 18:13 Demokracia në Veprim: Në Skënderaj po mbushet kutitë nga njerëz të paautorizuar
Koalicioni të Organizatave Joqeveritare Demokracia në Veprim i bën thirrje Prokurorisë që të ndërmarrë masa në të paktën 2 qendra të vendvotimeve në Skenderaj, për të parandaluar keqpërdorimin e fletëvotimeve. Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim ka thënë se kanë filluar të mbushen kutitë e votimit me vota nga njerëz të paautorizuar. Sipas Demokracisë në Veprim deri në orën 16:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar mbi 29 për qind e qytetarëve më të drejtë vote.
Ora 18:10 Mediat ndërkombëtare: PDK-ja fituese
Mediat ndërkombëtare i kanë cilësuar zgjedhjet e 8 qersorit deri më tani si të qeta dhe pa incidente. Agjesnia e lajmeve Euroneës thotë se zgjedhjet po shkojnë mirë. Madje sipas tyre partia e cila pritet të fitoj shumicën e votave është PDK-së.
“Sipas sondazheve të fundit, PDK partia e kryeministrit Hashim Thaçi ka shanse të fitojë zgjedhjet me pothuajse një të tretën e votave. Megjithatë, Thaçi do të udhëzohen në rastin e partnerëve të koalicionit”, thotë Euroneës. Ndërkohë televizioni publik gjerman ARD thotë se qytetarët me shumicë shqiptare presin fitoren e PDK-së dhe shefit të qeverisë Hashim Thaçi. “Zgjedhjet janë një fazë e rëndësishme e kërkuar nga SHBA-të dhe BE-ja për integrimin e pakicave në shtetin e Kosovës”, shkruan ARD-ja.
Ora 16: 57 Prokuroria: Arrestohen 8 persona për rryshfet,
“Deri më tani në polici janë paraqitur 7 raste, ndërsa janë arrestuar tetë persona.” Kështu pohoi Laura Pula, në një konferencë për media, ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sipas saj, ne Leposaviç është raportuar për disa votime nga qytetare të njëjtë, por pas paraqitjes së tyre në OSBE është vërtetuar se nuk paraqet rast penal. Pula po ashtu tha se prokurorët e shtetit, do të vazhdojnë punën dhe pas orës 19:00, atëherë dhe kur do të mbyllen vendvotimet, duke vëzhguar për se afërmi numërimin e votave. Gjatë kësaj konference u tha se procesi zgjedhor nuk është përcjellë, me ndonjë incident madhor.
“Kemi një rast me 8 persona me dhënie dhe marrje të ryshfetit. 3 persona tani janë vetëm duke u intervistuar në organet e ndjekjes dhe 5 persona tjerë janë në kërkim në lidhje me këtë vepër penale. Gjithashtu 1 person është arrestuar në fshatin Shipol të Mitrovicës i cili është zënë duke marrë ryshfet në shumë të caktuar dhe i njëjti tani është arrestuar dhe kemi një person të arrestuar për shkak se ka tentuar të votoj dy herë dhe potencialisht ky person e ka thyer respektimin e të drejtës së votës”, ka thënë Pula.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se përveç këtyre rasteve janë raportuar edhe disa të tjera, por të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Shekulli


Leave a Reply