
Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që vlerësohen si një sprovë për aspiratat integruese të vendit më të varfër dhe më të izoluar në Evropë
Besim Abazi
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, nxorën fituese Partinë Demokratike të kryeministrit aktual Hashim Thaçi, e cila me këtë mori mandatin e tretë qeverisës. Komisioni Qendror shpalli se kjo parti ka fituar mbi 31 për qind të votave e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Partia Demokratike shpalli në mesnatë fitoren e saj në këto zgjedhje në të cilat morën pjesë rreth 43 për qind e afro një milion e 800 mijë qytetarëve me të drejtë vote, një pjesëmarrje e ultë në krahasim me pritjet dhe e cila sipas vëzhguesve pasqyron pakënaqësitë me gjendjen aktuale në vend.
Autoritetet thanë se përgatitjet e mira ndihmuan mbarëvajtjen e procesit dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve të Kosovës, të cilët janë përballur me një proces të parregullt në zgjedhjet e vitit 2010. Rreth 100 prokurorë gjatë tërë ditës qëndruan në terren për të ndjekur çdo parregullsi dhe deri tash tetë persona janë arrestuar në ndërlidhje me shkeljet e rregullave gjatë procesit zgjedhor. Për sigurinë janë kujdesur policia e Kosovës, ajo e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, të cilët thanë se nuk është regjistruar ndonjë incident për t’u raportuar.
Zgjedhjet janë ndjekur nga mbi 30 mijë vëzhgues, përfshirë ata vendës e ndërkombëtarë në mesin e të cilëve edhe ata të misionit të posaçëm të Bashkimit Evropian si dhe vëzhguesit e angazhuar nga ambasadat e vendeve euro perëndimore.
Zgjedhjet e së dielës shihen si një sprovë për synimet e shtetit të ri për të përparuar drejt integrimeve evropiane por edhe e zotimeve të partive politike për të ndryshuar gjendjen aktuale në vendin më të varfër dhe më të izoluar të Evropës. Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe është vendi i vetëm i Evropës Juglindore, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Qeveria e re do të përballet edhe me sfidën e punës së gjykatës së posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës. Pretendimet u ngritën në vitin 2010 nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty. Themelimi i gjykatës u miratua nga Parlamenti i Kosovës në fund të muajit prill, ndërsa pjesa e dytë e këtij muaji mund të jetë periudhë shpalosjes së të gjeturave të hetuesve të një grupi punues që drejtohet nga prokurori amerikan Clint Wlliamson.
Votimet ishin edhe sprovë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nëpërmjet të cilave synohet zgjidhja e situatës në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe.
Pjesëmarrja e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri në këto zgjedhje, shënon herën e parë të votimit në zgjedhjet e përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Pjesëmarrja e tyre u mbështetet nga Beogradi pavarësisht qëndrimit të tij kundër pavarësisë së Kosovës.
Pavarësisht nga rezultati përfundimtar, partitë politike nga radhët e komunitetit serb do të kenë dhjetë vende të garantuara në parlamentin e Kosovës, sikundër edhe partitë e pakicave të tjera etnike jo shqiptare.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply