
Përse Shqipëria nuk konkurron me vendet e rajonit. Krahasimi i paketave turistike
Çmimet
Paketat shqiptare nisin nga 260 euro deri në 1250 euro për një javë. Mesatarja e turit klasik shqiptar me tetë ditë dhe shtatë net është 677.33 euro
Paketat e fqinjëve
Nëse akomodohesh në hotel me katër yje në Ohër, me të gjitha të përfshira, për tetë ditë e shtatë net paguan në këtë sezon mesatarisht rreth 560 euro
Të preferuarat
Butrinti, Apolonia, Kështjella e Gjirokastrës, shtëpia e Enver Hoxhës, Muzeu mesjetar i Korçës, Muzeu Historik Kombëtar, kalaja e Krujës, muzeu i Onufrit dhe kalaja e Beratit
Zamir Alushi
Pse turizmi ynë nuk konkurron me vendet fqinje? “Është si të pyesësh pse nuk bien kambanat në fshatin ku nuk ka kambanë”, do të thoshte një pronar i një agjencie të madhe turistike në Tiranë, që këmbëngul dhe merret prej 20 vitesh me biznesin e sjelljes së turistëve të huaj në Shqipëri. Këtë vit, ai ka marrë nga shumë partnerë në Perëndim përgjigjen: “No, thanks!”. “Pyetja e parë që bëjnë të huajt është, me cilën linjë do të mbërrijnë në Tiranë. Janë linja të shtrenjta. Madje, edhe shqiptarët që udhëtojnë jashtë për pushime po përdorin gjithnjë e më tepër aeroportet dhe portet e vendeve fqinje”, thotë Besnik Vathi, pronar i një agjencie turistike. Për shembull, këtë vit turistët shqiptarë që shkojnë në Korfuz, përdorin linjën me autobusë deri në Igumenicë dhe më pas marrin tragetet greke për në ishull. Kjo bëhet për të shmangur koston e biletës së tragetit, e cila është katërfish më e lartë kur nisesh nga Saranda.
Transporti ajror
Aeroporti i Tiranës është e vetmja portë hyrëse në Shqipëri dhe deri më sot ka pasur shumë pak fluturime “charter pritës” krahasuar edhe me aeroporte të vogla si Tivati në Malin e Zi apo Ohri në Maqedoni. “Vitin e kaluar, në aeroportin ‘Nënë Tereza’ u ulën vetëm pesë avionë çarter me turistë. Por në Ohër, mesatarja vjetore e fluturimeve është 200 avionë çarter”, thotë Besnik Vathi. Pse ndodh kjo? Aeroporti i Rinasit ka shërbimet më të shtrenjta në rajon, ka taksat aeroportuale më të larta krahasuar me vendet fqinje. “Këto, argumenton Besnik Vathi, – reflektohen në biletën e udhëtarit. Pra, qysh në hapin e parë, operatorët turistikë shqiptarë janë jashtë konkurrencës. Sikur të mos mjaftonin këto, sapo udhëtari i huaj vë këmbën në aeroport paguan një taksë 10 euro për kalimin e kufirit. Edhe këtë taksë e ka vetëm Shqipëria në të gjitha vendet e Ballkanit.” Ndërkaq, vendet e rajonit aplikojnë politika nxitëse përmes subvencionimit të sektorëve të ndryshëm të turizmit. Kështu, “Montenegro Airlines” është me humbje, por financohet dhe mbahet nga shteti. Ndërsa në Shqipëri, politika e taksave të larta i ka falimentuar kompanitë “low cost”, ku e fundit ishte “Belle Air” dhe e para ka qenë flamurmbajtësja jonë “Albanian Airlines”.
Informaliteti
“Ne kemi taksën e lartë TVSH 20 për qind, më e larta në rajon, por edhe sikur qeveria ta bënte zero, nuk do të kishte asnjë efekt te turizmi, sepse informaliteti në hotele është në shkallën më të lartë se në çdo sektor tjetër”, thotë Vathi. Lidhur me këtë fenomen, pronari i një agjencie online, që ka një database të hoteleve në Shqipëri, thotë se informaliteti në turizëm është në nivele ku nuk të shkon mendja. “Kjo ka çuar në situatën kur paratë derdhen në llogaritë personale të pronarëve të hoteleve ose të huajt vijnë me para cash dhe paguajnë në dorë.”
Promocioni
Sipas Besnik Vathit, nuk mjafton reklama në televizionet ndërkombëtare, por duhen gjetur mënyra nxitëse promocionale të paktën në nivelin e vendeve fqinje. “Kështu, qeveria maqedonase, krahason Vathi me shtetin fqinj, paguan 65 euro agjencitë e huaja turistike për çdo turist që çojnë në këtë vend, sidomos në periudhat para dhe pas pikut të sezonit veror. Ndërkaq, tri kompani të huaja ajrore nuk paguajnë asnjë taksë aeroportuale në Maqedoni, sepse mbështetet industria turistike”.
Taksat kundër turizmit
Pjesa më e madhe e turistëve, tregon Besnik Vathi, na vjen nga kufiri tokësor ose e përcjellim përmes kësaj rruge. “Dalëngadalë po kthehemi nga një vend pritës në vend transit për turistët që vijnë për një ose dy net përmes paketave rajonale”, deklaron Vathi.
Kohëzgjatja e sezonit turistik
Shteti duhet t’i subvencionojë operatorët në periudha të ndryshme të vitit, që të zgjerohet kohëzgjatja e sezoneve turistike. Nëse një hotel ka punë vetëm 45 ditë në vit, atëherë për të mbijetuar do të mbajë çmime të larta. Besnik Vathi, i cili është një nga përfaqësuesit e operatorëve turistikë, thotë se duhet një paketë për turizmin ashtu siç u veprua me fasonët. Sipas tij, “paketa e fasonëve” nuk sjell punësim dhe të ardhura më tepër sa turizmi, i cili zhvillon edhe degë të tjera si shërbimet, agrobiznesin, transportin, madje edhe zejtarinë.
Paketat turistike rajonale
Tendenca e zgjedhur nga operatorët turistikë të Ballkanit për këtë vit është bashkëpunimi në paketa që përfshin disa vende. Aktualisht, operatorët turistikë ofrojnë paketa në Shqipëri, Maqedoni, Greqi 745 euro, Shqipëri – Ohër 675 euro, kur turi klasik shqiptar tetëditor e ka mesataren 677.33 euro. Paketa rajonale njëjavore më e shtrenjtë është ajo Korfuz-Shqipëri që varion nga 650 euro në 1250 euro. Kuptohet edhe nga ky krahasim i çmimeve rajonale se e kemi humbur garën e konkurrencës dhe i jemi dorëzuar turizmit mes vetes, presim emigrantët dhe shqiptarët e Kosovës të vijojnë dhe të mbushin bregdetin. Me këto shifra do të dalë dhe do të bëjë bilancin qeveria, ndërkohë që pretendon me reklamën ndërkombëtare të ofrojë turizëm elitar nga Perëndimi.
Turi
Paketa turistike shqiptare, nga 260 deri në 920 euro
Paketat turistike negociohen sipas rastit, sipas personave, sipas vendeve nga vijnë, vendndodhjes së hotelit, shërbimeve që kërkohen. Klienti negocion dhe bën zgjedhjen mes shërbimit dhe çmimit. Pra ka fleksibilitet. Ne u interesuam dhe morëm çmimet mesatare që ofrohen këtë sezon për turistët në Shqipëri. Janë me të vërtetë të kripura. Për shtatë ditë dhe gjashtë net çmimet nisin nga 260 euro për person kur ndahet një dhomë dopio nga gjashtë pjesëmarrës, 310 euro për person për ndarjen e një dhomë dyshe nga katër pjesëmarrës, 415 euro për person për ndarjen e një dhomë dyshe, dy pjesëmarrës dhe 475 euro kur dhoma frekuentohet nga vetëm një person. Kjo paketë përfshin akomodim në hotel me tre yje, transferimin nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas, transportin sipas itinerarit të programit që përfshin Tiranën, Shkodrën, Krujën, Lezhën, Apoloninë, Butrintin, Sarandën, Gjirokastrën; guidën në gjuhën angleze, mëngjesin, një shishe ujë; përjashton biletat e fluturimit, drekën, darkën, pagesat në hyrje në kufi, shpenzimet personale si pije etj.
Paketat turistike ofrojnë edhe ture të tjera të përafërta që përfshijnë në guidë më tepër qytete, por me një javë qëndrimi, me çmime nga 530 euro deri në 920 euro. Taksat që duhet të paguajë turisti dhe biletat e muzeve e monumenteve të kulturës përgjithësisht nuk përfshihen në çmim dhe shkojnë rreth 25 euro.
Fqinjët
Sa i kushton turistit Maqedonia
Nuk do të thoshim gjë të re nëse do të pohonim se Ohri pret shumë më tepër turistë se Pogradeci. Çmimet janë të parat që vendosin, por edhe kushtet e tjera që plotëson ky rajon turistik i Maqedonisë. Nëse akomodohesh në hotel me katër yje, me të gjitha të përfshira për tetë ditë e shtatë net paguan në këtë sezon rreth 560 euro, por nëse negocion mund ta gjesh shumë më ulët këtë paketë, maqedonasit ofrojnë ture klasike tetëditore 500 euro me karakter kulturor ose 11-ditor nëpër Maqedoni me 780 euro. Por Maqedonia ofron pafund ture tre dhe pesëditore të tipit “aventurë” apo me udhëtime malore me biçikletë ose njëditore në Shkup dhe Mavrovë. Në Malin e Zi, paketat ofrojnë çmime akoma më të lira.
Mali i zi
Mesatarja ditore e një pakete në Malin e Zi shkon në 30 euro dhe më interesantja është një paketë shtatëditore që përfshin udhëtime në disa qytete me vetëm 470 euro. Fqinjët tanë janë më dorëlëshuar edhe me ushqimin, duke ofruar në paketa mëngjesin dhe drekën ose mëngjesin dhe darkën.
Autor: Zamir Alushi
Gazeta Shqip


Leave a Reply