Rrëfimi i Shqipe Sallakut, 40 vite pas vrasjes së bashkëshortit Eqerem natën e ndërrimit të viteve. Detajet dhe enigmat që e shoqërojnë çdo ditë vrasjen e të shoqit që u bë subjekt i filmit
Nigela Liçi
Filmi artistik “Vrasje në gjueti” prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re, viti 1987 është i njohur për publikun, ndoshta për brezin e ri jo aq shumë. Vetëm disa ditë më parë në një postim në rrjetin social facebook, mësova se ky film bazohet në një histori të vërtetë. Mesazhi flet pikërisht për ish-drejtorin e Ndërmarrjes Pyjore Eqerem Sallaku, i cili u vra nga shokët e tij natën e ndërrimit të viteve, në 31 dhjetor 1973. Gazeta “Shekulli” kontaktoi me bashkëshorten e tij, znj. Shqipe Sallaku, që prej vitit 1996 banon në Tiranë. Në moshë 70-vjeçare edhe pse vazhdon të jetë e tronditur nga ngjarja, ajo rrëfen detajet e asaj dite që do t’i ndryshonin jetën përfundimisht.
Njohja me Eqerem Sallakun, bashkëshortin e saj
E rritur në Berat me prindër intelektual, pasi mbaroi shkollën e mesme filloi punë si shitëse në mapon e qytetit. Znj. Shqipe Sallaku tregon se asokohe, të filloje punë shitëse duhet të ishe dikushi. “Aty u njoha dhe me bashkëshortin tim. Kishte mbaruar për inxhinieri pyjore. Takimi ishte rastësor. Mbaj mend se Eqeremi i shoqëruar nga Mustafa Taçi hyn në mapo, dhe kërkon të blejë një palë këpucë, pas një aventure në lum kishin mbetur pa to”, tregon znj. Shqipe Sallaku duke buzëqeshur.
“Vinte nga një familje e varfër dhe nëna e tij më thoshte, në mënyrë figurative, se kisha marrë dashin më të mirë të kopesë. Babai e donte shumë dhe diskutonte me të si shok, për projektet e tij të reja në ndërmarrjen pyjore, ndërsa mamaja bënte liko portokalli speciale dhe e linte mënjanë për Eqeremin, kur vinte nga shkolla”, vijon të tregojë Shqipja. Ndjehet krenare kur tregon për ndihmën që i dha të shoqit për mbrojtjen e diplomës, pasi ishte ajo që ia shkroi temën në makinën e shkrimit, dhuratë prej tij. “Martesa jonë zgjati vetëm tetë vjet dhe kemi tre fëmijë të mrekullueshëm”, thotë znj. Sallaku. “Fëmija e parë Besi lindi në Berat, ndërsa Luli dhe Blerta në Skrapar. Fillimisht, im shoq u caktua si specialist në pyjore dhe pas dy vjetësh u emërua drejtor i Ndërmarrjes Pyjore, Skrapar. Ishte shumë i përkushtuar dhe ka dhënë gjithçka për ndërmarrjen. Të gjithë e kujtojnë për mirë”, tregon bashkëshortja e Eqerem Sallakut.
Ngjarja tragjike e ndërrimit të viteve 1973-1974, që u bë subjekti i një filmi artistik
Shqipe Sallaku na tregon se pasioni i të shoqit ishte gjahu, pasi bënte pjesë dhe në profesionit të tij. Ishte data 31 dhjetor 1973, ndërrimi i viteve, kur Eqerem Sallaku mori një telefonatë nga sekretari i parë i partisë, shefi i policisë së Skraparit, dhe i thanë se do të shkonin për gjah. “Është një vend në Bogovë, që shkojnë shpesh për gjah edhe tani, dhe siç ishte bërë e rrugës asokohe, shkonin të vrisnin ndonjë derr e t’ia dërgonin udhëheqjes. Vajtën në pyll, dhe u pozicionuan për gjueti. Ishte natë dimri, ftohtë dhe të tre shokët mbanin veshur xhupa të mëdhenj, nga ata ushtarakë. Gjuajnë në drejtim të tij, pasi u duk sikur lëvizi kafsha e egër”, tregon znj. Sallaku.
“Kështu ishte skena dhe pas proces verbalit, nga dega e brendshme. “E vranë”. Por e keqja ishte se shokët e tij në gjueti nuk treguan që e vranë pa dashje, por e kamufluan ngjarjen, e fshehën duke e tërhequr nga vendi dhe bashkë me shoferin e sekretarit të parë e hodhën në pyll që të fshinin gjur mët. Menjëherë, u njoftuan prindërit e mi në Berat, që është plagosur dhëndri e duhet të vini në Skrapar. Babai u nis, morri dhe një mik nga familja, por kur arriti i thanë që ka kryer vetëvrasje. Babai nuk ra dakord për ceremoninë funerale, dhe kërkoi relacionin që ka vrarë veten. Së bashku me vëllanë tim mjek në profesion, dhe një mjekoligjor nga Berati shkuan në morgun e Spitalin e Skraparit. Mjeku ligjor, Andon Koka konstatoi që ishte vrarë. Ai e pa plumbin nga mbrapa, që kishte dalë përpara në aortë. Babai menjëherë kthehu njerëzit dhe kërkoi që shokët që kishin kryer vrasjen të mbanin përgjegjësi, sepse shkatërruan një familje”.
Shqipja kujton se në orën 12 të natës dëgjon trokitjen te porta dhe zërin e babait. “E prisja si për Vit të Ri, kisha bërë të gjitha gati dhe çuditërisht pasi hapa derën u fikën dritat menjëherë. E hapa derën dhe thashë Eqerem ti je, se po prisja tim shoq, por dëgjove zërin e babit. Çfarë ka ndodhur, i thashë. -“Dasma tënde çupa ime”. Pashë shumë njerëz që i rrinin pas. Pastaj ai më mori në një dhomë dhe më tregoi për fatkeqësinë. Mbaj mend babanë të më thoshte se nëse e ka vrarë veten nuk e qajmë, pasi ishte një turp i madh asokohe, por të presim çdo thonë hetimet”. Znj. Shqipe tregon se shokët nuk u paraqitën fare, por ishte hetimi i prokurorisë (në atë kohë dega e brendshme) në vendngjarje që nxori të vërtetën e asaj dite. Shefi i policisë Sami Dulla nga Kukësi, me detyrë shefi i Policisë në Skrapar e pranoi që e vrau pa dashje të ndjerin Eqerem Sallaku.
Ngjarja e vitit 1973 inspiron shkrimtarin Neshat Tozaj
Kur e pyesim bashkëshorten e Eqerem Sallakut nëse autorët e filmit artistik “Vrasje në gjueti”, e kanë kontaktuar, ajo shprehet se shkrimtari Neshat Tozaj, skenaristi i fimit “Vrasje në Gjueti”, ka punuar në ministrinë e Brendshme. Dhe midis shumë ngjarjeve kishte parë dhe dosjen e bashkëshortit të saj. Ishte shkrimtari Tozaj që në fillim e shkroi ngjarjen e vitit 1973, vrasjen në gjueti të Eqerem Sallakut, në një përmbledhje dhe tregime dhe pastaj u bë skenari i një filmi. Në vazhdim të bisedës sonë, Shqipja tregon se ka punuar si daktilografiste për 10 vjet në komitetin e Partisë, gjithashtu dhe në gazetën lokale.
“Korrektoja dhe redaktoja dhe ende e kam ndjenjën e kujdesit, pasi kur shikoj titrat në televizor, them sa gabime bëjnë”. Prej disa kohësh ka kaluar një paralizë dhe përsëri sëmundja nuk e ka penguar të shkruajë mesazhe me një dorë. “Jam shumë e saktë, nuk lë pikë e presje dhe shoqet më thonë si mundesh. Jam krenare për shoqërinë time, i kam pasur mbi veten, shoqe mjeke, mësuese, avokate dhe më kanë qëndruar pranë, në momentet e mia më të vështira”. Mikesha e saj Nexhi Beqiri, e respekton shumë dhe thotë që është një grua shumë e rrallë. Ajo e përshkruan Shqipen, të bukur, të gjatë etj. “Mbante gjithmonë me vete, një palë çorape rezervë, që nëse i shkonte fija t’i zëvendësonte. E fisshme, punonte gjithë ditën dhe kur se mbaronte materialin e merrte në shtëpi që të mbante vendin e punës”, shprehet znj. Beqiri.
Historinë e makinës së shkrimit e kujton si një detaj të veçantë. “-Të kam gjetur punë”, më tha, kur solli në shtëpi makinën e shkrimit optika. -Tani mësoje”, tregon Shqipja. Nuk mund të mos e linte pa përmendur dhe udhëtimin në Skrapar, para tre vjetësh. “Të gjithë më pritën me respekt edhe pse ishin të rinj, pasi shokët e tij nuk jetojnë, ose kanë dalë në pension. Dërgova një buqetë me lule për ta vendosur në vendin e tij, sepse nuk e përjetoja dot të hyja në drejtorinë pyjore. Ka lënë gjurmë atje, ka punuar për 13 vjet, dhe ka bërë shumë për atë zonë, pyjet me pisha, pritat e lumenjve, janë gjërat e bukura që ai ka bërë. Kujtoj çdo ditë përkushtimin e tij në ndërmarrjen pyjore edhe jetoj me enigmën e vrasjes së tij”, shprehet Shqipe Sallaku.
Pakti i përbashkët për kamuflimin e vrasjes
Shefi i policisë, autori i ngjarjes u dënua me tre muaj burg
“Përflitej asokohe se të pranishmit në vrasjen e ndodhur kishin bërë një pakt të përbashkët që ta mbanin të fshehur vrasjen” tregon Shqipe Sallaku. Pas 40 ditëve, dëshmitarët okularë dëshmuan në gjyq dhe autorin e vrasjes e dënuan me 2 vjet heqje lirie. “Atë ditë isha e pranishme në gjyq me babain dhe njerëzit e mi. Fëmijët i kisha 8 vjeç, 6 vjeç dhe 4 vjeç. Autori i vrasjes mbajti një qëndrim shumë të ftohtë dhe nuk kërkoi falje për këtë ngjarje. Dhe kështu u dënua, as dy vjet, sepse ishte krah me Mehmet Sheun dhe thuhej se kishte kryer edhe më parë një vrasje të tillë identike dhe e kishin dënuar po njësoj. Erdhi në Tiranë bëri vetëm tre muaj burg dhe e nxorën. Kur u kthye në Skrapar, fëmijët e mi e gjuanin me gurë, sepse e dinin që i kishte vrarë të atin”.
Projekti i tij për kultivimin e kërpudhës
Znj. Shqipe Sallaku rrëfen për “ Shekullin” se nderi dhe respekt u bë nga Tirana, erdhën telegramet nga të gjitha ndërmarrjet pyjore të vendit, por vrasja e tij sot e kësaj dite mbetet enigmë. “Fajtori e pranoi, por një arsye ka qenë, sepse ishte një kuadër me perspektivë. Në atë kohë pritej të dilte me specializim jashtë Shqipërisë për kultivimin e kërpudhës. Diskutohej në atë kohë me ministrinë e Bujqësisë, pasi kishte studiuar për ta kultivuar dhe punë disa ditësh pritej ta çonin për specializim. Megjithatë, vrasjen e kanë lidhur dhe me faktin se pyjorja kishte shumë koshere bletësh, duke hedhur hipoteza se Eqeremi ka abuzuar me pozicionin e drejtorit.
Në relacionin që u lëshua fillimisht, u tha nga Ministria e Brendshme se ka kryer vetëvrasje dhe autori nuk morri dënimin që meritoi, vetëm tre muaj dhe për më tepër nuk kërkoi falje familjarëve. Unë sot e kam enigmë vrasjen e tij, sepse nuk më intereson vetja ime, pasi unë bëra detyrën si nënë. Nëna do t’i rrisë fëmijët patjetër, por jetoj me enigmën pse e vranë”. Znj. Shqipe Sallaku tregon se ato vite u bënë shumë të vështira dhe mund të kishin krijuar dhe një gjakmarrje brenda familjeve. Fëmijët e saj e vuanin shumë humbjen tragjike të të atit.
Ajo gjithashtu, hedh dyshimet se kishte motiv për të vrarë Eqeremin, pasi ishte në pozicion të lartë drejtuesi dhe për më tepër natën e Vitit të Ri nuk del njeri për gjah. “Ajo ngjarje e vitit 1973 ka qenë e organizuar. Asnjëherë nuk u morr vesh se nga cili pozicion erdhi e shtëna dhe nuk u bë balistika kriminalistike. Atëherë s’kishte mjete komunikimi që të regjistroja fjalët, por mbaj mend që i kam thënë, Eqerem ku vete se do të hajë kokën gjahu, ditën e Vitit të Ri dhe vërtet ashtu ndodhi. Mua më vjen keq për të se iku 34 vjeç, ndërsa unë i rrita dhe i gëzova fëmijët”, rrëfen për “Shekulli-n” Shqipe Sallaku.
Subjekti
Filmi “Vrasje në gjueti” është prodhim i Kinostudios Shqipëria e Re, vitit 1987 me regji nga Kujtim Çashku dhe skenar nga Neshat Tozaj dhe kolonë muzikore Hajg Zaharjan. Filmi ka si subjekt historinë e tre shokëve Fredi, Aleko dhe Pertefi, që shkojnë për gjueti. Dikush qëllon gabimisht Pertefin dhe e vret. Megjithatë asnjë nuk është i sigurt kush është vrasësi i vërtetë. Aleko që e ka qëlluar vërtet Pertefin pa dashje nuk ka kurajë ta pranojë fajin. Ai përpiqet të përdorë dyshimet dhe ndjenjat e fajit. Në rolet kryesore luajnë Roza Anagnosti, Rajmonda Bulku,Timo Flloko, Gëzim Kame,Bujar Lako, Ema Ndoja, Robert Ndrenika, Nefail Piraniqi, Guljelm Radoja, Violeta Dede, Mario Ashiku.
Shekulli


Leave a Reply