Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule si punë të fundit do të ketë hartimin e raportit për Shqipërinë. Javën e ardhshme, me 3 qershor KE do të publikojë raportin që do t’i dorëzojë Këshillit të BE-së.
Pas kësaj, Fule do të udhëtojë për në Tiranë. Më pas më 23 qershor, Këshilli i BE-së, këshill i cili vitin e kaluar kërkoi shtyrjen e dhënies së statusit, do të marrë një vendim.
Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka ishin vendet që kërkuan shtyrjen. Por, çfarë do të ndodhë më 23 qershor?
Kërkesa e këtyre vendeve për shtyrje nga analistë të ndryshëm u konsiderua si një lëvizje elektorale.
Por pavarësisht kësaj, zyrtarët e lartë shqiptarë do të zhvillojnë këtë javë vizita në këto vende skeptike për t’i bindur për një votë pro.
Kryeministri, Edi Rama po zhvillon sot një vizitë në vendin që është një nga më kritikët për dhënien e statusit për Shqipërinë. Rama ka marrë sinjale pozitive nga ministri i Jashtëm, Frans Timmermans, i cili e ka përgëzuar kreun e qeverisë shqiptare “për qeverisjen bindëse të këtyre muajve”.
Shqipëria ka aplikuar për marrjen e statusit kandidat në prill të vitit 2009. Kërkesa e Berishës u cilësua e parakohshme dhe lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Vendi ynë është i pari në historinë e zgjerimit të BE-së, të cili i refuzohet statusi kandidat për katër vite me radhë.
Dhënia e statusit kandidat për një vend potencialisht kandidat për anëtarësimin në BE është një vendim politik, pa ndonjë efekt. Pas këtij hapi vjen hapja e negociatave për anëtarësim.
Shekulli


Leave a Reply