Reportazh/ kishat, kalaja, kultura dhe mikpritja gjirokastrite
Afërdita Elezi
Gjirokastra, qyteti i gurtë me shtëpitë karakteristike që ngjasojnë me kështjella të vogla dhe që përqafohen me njëra tjetrën rreth një kalaje madhështore. “Ky është një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në Botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pjerrtësisë së madhe, ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës…..” – Këto janë fjalët e shkrimtarit të madh “Ismail Kadare” në romanin “Kronikë në Gur”, i cili e përshkruan. Gjirokastrën si një mirazh arkitekturor…
UDHËTIMI
Gjirokastra gjendet në Jug të Shqipërisë 200 km larg kryeqytetit Tirana. Për të shkuar ne zgjodhëm rrugën që kalon përmes Rivierës Shqiptare, dhe kështu udhëtimi ynë u shoqërua nga pamjet spektakolare qe na ndoqën sapo lamë pas Parkun Kombëtar të Llogorasë. Pasi përshkruam për rreth 5 orë itinerarin Tiranë-Sarandë, rruga vazhdoi përmes disa gjarpërimeve e kthesave derisa mbërritëm në Gjirokastër. Është mjaft mbresëlënëse pamja që të shfaqet, sapo hyn në qytetin e hirtë. Ndalesën e parë e bëmë në një nga hotelet më të mëdha të qytetit “Çajupi” i cili ndodhet në qendër në vendin e quajtur “Sheshi i Çerçizit”. Mikpritja dhe shërbimi në këtë hotel na krijoi një ndjenjë ngrohtësie, që na shoqëroi gjatë gjithë udhëtimit tonë.
PAK HISTORI
Gjirokastra sipas historianëve i përket shekullit IV-të para erës sonë kur në shpatet e Malit të Gjerë u ngrit qyteti dhe kalaja. Ndërtuesit e qytetit mendohet të kenë qënë Argjyrinët, një fis i njohur qysh në antikitet në Luginën e Drinos, të cilët jetonin në territorin ku u ngrit kalaja rreth shekujve IV-III.
-Kalaja konsiderohet si zanafilla e qytetit, por më vonë qyteti mori formën e saj përfundimtare rreth shekullit të XII të erës sonë.
-Gjatë periudhës otomane kështjella ka njohur një rindërtim në pjesën më të dukshme të qytetit mbi disa shkëmbinj të pjerrët me një perimetër prej 1300 m.
-Kalaja që ndodhet në lartësinë 360 m mbi nivelin e detit e që dominon edhe sot tërë kodrën ku është vendosur, gjatë shekullit të XVI afro 200 shtëpi u ngritën brenda territorit të kështjellës dhe banorët aty zhvillonin një jetë normale, me tregun, shërbimet, rezervuarët e ujit, furrat e pjekjes së bukës, shtëpitë e ushtarakëve dhe parisë civile, tempujt, kazermat, burgun, etj.
BRENDA QYTETIT
Udhëtimin brenda qytetit e nisëm me rrugën e veçantë që zë fill nga hoteli ku u akomoduam. Katër rrugë të gurta bashkohen me njëra tjetrën në Qafën e Pazarit-Monument Kulture. Në çdo cep të tyre do të shikosh dyqane të cilat tregëtojnë suvenire, antikuare, punime me dorë e vegjë, duke krijuar një pazar të vogël e të larmishëm. Më pas vizita jonë vijoi në Kalanë e Argjirosë.
KALAJA E ARGJIROSË
Kalaja me formën e një kryqëzori (e cilësuar si një prej kështjellave më madhështore në Shqipëri), ngrihet në qendër të qytetit dhe e ndan atë në mes. E pajisur me tre porta ajo përbëhet nga muret, burgu mesjetar, galeritë, kulla e sahatit, muzeu i armëve dhe skena ku zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar. Më tej vizita jonë në kala vazhdoi në një tunel që kohët e fundit është bërë i vizitueshëm. Tuneli është një strehim luftarak i ndërtuar rreth viteve 70-të, i cili ka shërbyer si vend i mundshëm strehimi për ish udhëheqjen komuniste në rast sulmi jo vetëm të armatosur por deri në atë bërthamor. Për vetëm 2 Euro (260 Lekë) aty mund të merret një ciceron i mirë në hyrje të kalasë, për të mësuar për historinë dhe legjendën e saj që nga ndërtimi në shek e X-të e deri tek marrja e saj nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1813, i cili ishte i fundit që ndërmori punime rindërtuese.
Udhëtimin në qytet e vazhduam nëpër lagjet e rrugët karakteristike, ku bie në sy bukuria e dritareve dhe çatitë e mbuluara me pllaka guri. Ndër shekuj këtu mjeshtrat e punimit të gurit e drurit kanë krijuar objekte e ndërtesa që sot janë të përfshira në listën e monumenteve të kulturës dhe mbrohen nga shteti; Shtëpia e Zekatëve dhe ajo e Antigoneve janë dy prej tyre.
Shtëpia e Zekatëve, daton rreth 300 vjet më parë. Ajo ka shërbyer si vend strehimi dhe mbrojtje. Nga ballkoni i saj qyteti të ofrohet i tëri. Kulla është reastauruar së fundmi por vazhdon të ruajë të njëjtën infrastrukture e mënyrë mobilimi. Bie në sy dhoma e miqve me tavane të gdhendur e piktura murale.
Shtëpia e Antigonëve është një tjetër banesë tipike Gjirokastrite, ajo duket qartë që nga Sheshi i Çerçiz Topullit. Një tjetër objekt interesant që vlen për t`u vizituar është edhe Muzeu Etnografik (Shtëpia e udhëheqësit Komunist Enver Hoxha), e pasur për nga arkitektura dhe ornamentet dekorative, është kthyer në një muze. Në të gjenden mjaft punime prej druri, guri, punime dore dhe veshje karakteristike të zonës. Disa prej këtyre punimeve të imituara tregëtohen në muze të cilat prezantohen në një kënd të posaçëm.
KUZHINA
Në qytet dhe jashtë tij gjenden disa restorante që ofrojnë kuzhinë tradicionale dhe të larmishme. Cilësia e mishrave të rritur në zonën e Zagorisë këtu është e pakrahasueshme, djathi i gjirokastrës, kosi i deles, apo dhe pjatat karakteristike gjirokastrite: pashaqofte (këtë emër e ka marrë sepse ishtë një prej gatimeve që bëhej për Ali Pashë Tepelënën), qifqite, shapkat, etj. Një prej restoranteve që ne provuam ishte restorant Çajupi në qendër të qytetit. E natyrisht këtu na ofruan edhe një ëmbëlsirë krejt të veçantë: Oshafi (e përgatitur me qumësht deleje e fiq të thatë), nga një pastiçiere me eksperincë dhjetëra vjeçare, Marianthi Karaulli. “Ëmbëlsirat tona janë me shije të veçantë,- tha Marianthi,- sepse prodhohen në mënyrë artizanale e lëndë të parë extra bio.” Një tjetër alternativë janë edhe restorantet që ndodhen në zonën e Dropullit.
AKOMODIMI
Në Gjirokastër mundësitë e akomodimit dhe të qëndrimit janë të shumta brenda dhe jashtë qytetit në pika të njohura turistike siç është Pika e Viroit që ndodhet vetëm disa minuta larg. Brenda në qytet gjenden disa hotele, ku padyshim do të veçonim hotelet e përshtatura në ndërtesa tipike 200 vjeçare. Ajo çka e bën të veçantë këtë strukturë pritëse është arkitektura dhe mobilimi i dhomave ku ambientet e pritjes, tavanet dhe portat me shumë se njëqind vjeçare ruhen origjinale.
JASHTË QYTETIT
Të nesërmen udhëtimi ynë vazhdoi në disa prej siteve (parqet) dhe objektet më të njohura jashtë Gjirokastrës; Adrianopuli; Parku Arkeologjik i Antigonesë; Kalaja e Libohovës dhe Kisha e Labovës së Kryqit.
Adrianopuli, 14 km larg Gjirokastrës është një tjetër destinacion interesant që nuk duhet humbur për këdo që se ka parë. Një prej objekteve që pamë ishte teatri i Sofratikës me një kapacitet prej 4 mijë spektatorësh, 27 shkallë, 4 hyrje dhe një skenë dykatëshe. Monumente të tjera janë edhe tembujt, godina banimi etj, që ndodhen nën sipërfaqen aluvionale të fushës së Drinos.
Pas Adrianopulit destinacioni ynë i radhës ishte Parku Arkeologjik i Antigonesë, i vendosur në mes të dy kodrave, në vendin e quajtur Jerma, në fshatin Saraqinishta. Largësia nga qyteti i Gjriokastrës është vetëm 18 km. Aty mund të shkohet me makinë private pasi infrastruktura rrugore është e mirë.
Antigonea u ndërtua nga Mbreti i Mollosëve, Pirro-ja në nderim të gruas së tij të parë Antigona. Qyteti antik në shtrirjen e tij ka pamjen e një delfini, pasi ndodhet midis dy kreshtave që lidhen përmes një qafe të ngushtë. Ajo çka e dallon Antigonenë nga qytetet e tjera të Antikitetit është planimetria kuadratike dhe mjaft e rregullt urbane. Muret rrethuese të saj janë katër kilometra të gjatë. Nga gërmimet arkeologjike janë zbuluar materiale metalike dhe mjete që përdoreshin nga banorët e asaj kohe, por edhe 500 monedha të Koinonit, Epirot, Maqedonisë, Apollonisë, Dyrrahut, Korinthit, të cilat dëshmojnë marrëdhëniet e ngushta tregtare mes Antigonesë dhe qyteteve të tjera helenistike.
Libohova
Një tjetër qytet në rrethin e Gjirokastrës është edhe Libohova e vogël por e bukur. Ndodhet në rrëzë të malit Bureto, konsiderohet një vend klimaterik, plot gjelbërim dhe e pasur me burime të freskëta. Libohova mbart në vetvete një histori të lashtë. Dëshmi e vjetërsisë dhe e lashtësisë së saj ëshët kalaja e Libohovës, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. Bashkë me kalanë u ndërtuan edhe Sarajet e motrës së tij Shanishase. Arkitekti petro Korçari e projektoi atë në formën e një drejtkëndëshi. Ajo u ndërtua me idenë e madhështisë dhe të pushtetit të Ali Pashës në këto vise. Rilindasi i shquar shqiptar Sami Frashëri në gjeografinë e tij të famshme “Dhe shkronja”, shkruan: “Libohova është një fshat i madh rrëzë një mali përkundrejt Gjirokastrës me 3500 njerëz me mësime të shumta për Kadinj.”
Kisha e Labovës së Kryqit
Ekziston një vend në Luginën e Drinos, që qysh nga kohët e lashta, qysh kur nuk mbahet mend, është quajtur dhe vazhdon të quhet edhe sot Labova e Kryqit. Udhëtimi ynë u mbyll pikërisht me vizitën në fshatin Labovë e vjetër, ku ndodhet edhe një prej kishave më të vjetra në Shqipëri, Kisha e Labovës së Kryqit. Mjafton të kujtojmë se deri në vitin 1990 këtu ruhej me një fanatizëm të pashembullt një Kryq i rrallë prej floriri, i cili sipas disa banorëve brenda veshjes së tij të florinjtë ruante një copë ashkël orgjinale nga druri në të cilin u kryqëzua Jezus Krishti në Jeruzalem, nga ky kryq mendohet se vjen edhe emri i fshatit. Brenda afro 9 shtresave të suvave të mureve të kishës koha ka konservuar dhjetra afreske të pikturuara në periudha të ndryshme të historisë njerëzore. Krahas kishës bizantine, Labova njihet si një vendbanim i hershëm me një kala të vjetër që vendasit e quajnë sot Paleokastër. Edhe pse mjaft interesante për t`u vizituar, infrastruktura është jo fort e përshtashme për të shkuar në Paleokasër.
-Kjo është ajo çka mbart Gjirokastra dhe rrethinat e saj, një qytet që për vlerat historike dhe arkitektonike është renditur në listën e siteve më të rekomaduar nga shumë agjenci prestigjoze.
Gjirokastra mbrohet nga UNESCO dhe është shpallur: “Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore Botërore”.
Kjo na bëri që ta rekomandojmë Gjirokastrën në këtë periudhë të Vjeshtës dhe që bëhet akoma më i veçantë kur mendon se, përveç historisë e vendeve tërheqëse, ai iu dhuron arkitekturën dhe atmosferën unike duke e shndërruar në një destinacion të papërsëritshëm.
gazetametropol.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply