Përgjatë shumë shekujve, fëmijët e vegjël dërgoheshin larg shtëpisë që të shërbenin si çirakë në familje apo dyqane të të tjerëve. Kjo qe një marrëdhënie kontraktuale servituti që zgjaste me raste deri në një dekadë
William Kremer, BBC
Sot është i shpeshtë perceptimi se fëmijëve në Azi u jepet një jetë e vështirë nga prindërit e tyre. Por disa qindra vjet më parë në Europën Veriore kishte gjithashtu një praktikë veçanërisht të egër, dërgimin e fëmijëve në shtëpitë e të tjerëve për të punuar dhe jetuar. Nuk është surprizë që fëmijët jo gjithmonë e pëlqyen këtë.
Rreth vitit 1500, një ndihmës i ambasadorit të Venecias në Angli u trondit nga praktika e çuditshme prindërore që hasi gjatë udhëtimeve të tij. Ai u shkroi padronëve në vet në Venecia se anglezët i mbanin fëmijët e tyre në shtëpi derisa mbushnin shtatë apo nëntë vjeç”, por pastaj “i përzinin, djem apo vajza, i çonin në shërbimin e rëndë në shtëpitë e të tjerëve, duke i detyruar në përgjithësi të punonin pa pagesë për shtatë deri në nëntë vjet të tjera”.
Fëmijët e pafat përziheshin pavarësisht klasës shoqërore që i përkisnin “për çdokënd, sado i pasur mund të jetë, është praktika që të dërgojë fëmijët e vet në shtëpitë e të tjerëve, ndërsa ai, në këmbim, merr fëmijët e të tjerëve në shtëpinë e vet.”
Atij iu tha se kjo praktikë qe për të mirë të fëmijëve, por ai dyshonte se anglezët parapëlqenin fëmijët e të tjerëve në shtëpi për shkak se ato mund të ushqeheshin më pak dhe të punonin më shumë.
Komentet e tij i hedhin dritë një sistemi rritjeje fëmijësh që funksioni nëpër Europën Veriore në Mesjetë dhe në fillim të periudhës Moderne. Shumë prindër të të gjitha klasave i dërgonin fëmijët larg shtëpisë për të punuar si shërbyes apo çirakë – vetëm një minoritet shkonte në kishë apo në universitet. Ata nuk qenë aq të vegjël sa sugjeron shkrimtari venecian, gjithsesi. Sipas Barbara Hanauollt (Hanawalt) në Universitetin Shtetëror të Ohajos, aristokracia me raste i dërgonte fëmijët e tyre në moshën shtatë vjeç, por shumica u jepte lamtumirën rreth moshës 14 vjeç.
Letrat, ditarët dhe librat shkollorë të mesjetës sugjerojnë se kjo praktikë qe traumatike. “Gjithçka që mund të konsiderohet kënaqësi për mua si fëmijë qe kur isha 3 deri në 10 vjeç… ndërsa isha nën përkujdesjen e babait dhe nënës time. Tashmë kjo është kthyer në torturë dhe dhimbje”, ankohet njëri nga djemtë në një letër që u dha nxënësve të vet për ta përkthyer në latinisht.
Shërbyesit analfabetë nuk kishin mjete komunikimi me prindërit e tyre dhe vështirësitë për të udhëtuar bënin që edhe nëse fëmijët dërgoheshin 30 kilometra larg, ata ndiheshin tërësisht të braktisur. Por pse u zhvillua ky sistem që duket si i pamëshirshëm? Për të varfrit, natyrisht kishte një incentivë për të hequr nga familja një gojë për t’u ushqyer. Por prindërit besonin se po i ndihmonin fëmijët e tyre duke i dërguar larg dhe me raste, do t’u jepnin atyre një profesion përmes sistemit të çirakëve. Praktika e çirakut zgjaste zakonisht shtatë vjet, por mund të vijonte edhe për një dekadë. Sa më i gjatë të qe shërbimi, aq më e lirë qe pagesa – një shenjë që tregon se vizitori venecian qe i saktë kur tha se adoleshentët qenë një burim i mirë pune të lirë për padronët e tyre. Më 1350, Vdekja e Zezë reduktoi popullatën e Europës në gati përgjysmë, kështu që puna me pagesë qe e shtrenjtë. Rënia e popullsisë, nga ana tjetër, nënkuptonte që ushqimi qe i lirë – kështu që punëtori përkundrejt bukës qe me leverdi.
“Kishte një mendim se prindërit mund të të mësojnë disa gjëra, por ti mund të mësosh gjëra të tjera dhe të ndryshme dhe mund të fitosh eksperiencë duke u trajnuar nga dikush tjetër”, thotë Xheremi (Jeremy) Goldberg nga Universiteti i Jorkut.
Ndoshta kjo qe edhe një mënyrë për prindërit për të hequr qafe adoleshentët e pabindur. Sipas Shulamith Shahar, mendohej se qe më e lehtë për të huajit të rrisnin fëmijë – një besim që kishte rol edhe në disa pjesë të Italisë. Tregtari fiorentin i shekullit të 14 Paolo di Certaldo këshilloi: “Nëse ke një djalë që nuk bën asgjë të mirë… çoje atë në duart e një tregtari i cili do ta dërgojë në një vend tjetër. Ose çoje personalisht se një nga miqtë e tu më të ngushtë… Asgjë tjetër nuk mund të bësh. Nëse ai qëndron me ty, nuk do të korrektojë sjelljen e vet”.
Shumë adoleshentë kishin detyrim kontraktor për t’u sjellë mirë. Më 1396, një kontratë mes një çiraku të ri të quajtur Thomas dhe një rremëtari të quajtur, Xhon Hindle (John Hyndlee) u bë nën dëshminë e kryebashkiakut të Northemptinit. Hindle mori rolin formal të përgjegjësit dhe premtoi se do t’i jepte Thomasit bukë, t’i mësonte një profesion dhe të mos e ndëshkonte atë tepër ashpër për gabimet. Nga ana e tij, Thomas premtoi se nuk do të largohej pa leje, të vidhte, të luante bixhoz, të vizitonte prostituta apo të martohej. Nëse ai thyente kontratën, detyrimi i tij si çirak do të dyfishohej nga shtatë në katërmbëdhjetë vjet.
Një dekadë beqari qe tepër për shumë burra të rinj dhe çirakët fituan reputacion si njerëz që shkonin nëpër pijetore apo kishin sjellje të pabindur. Perkin, protagonist i Përrallës së Kuzhinierit Shocer është një çirak që përzihet pasi ka vjedhur nga padroni i vet – ai shkon të banojë me një mikeshën e vet dhe një prostitutë. Më 1517 esnafi i tregtarëve u ankua se kaq shumë çirakë “janë të pasjellshëm”, duke shpenzuar paratë e mjeshtërve të tyre në “prostituta… zare, letra dhe lojëra të tjera të pahijshme”.
Në disa pjesë të Gjermanisë, Zvicrës dhe Skandinavisë, një nivel kontakti seksual mes burrave dhe grave rreth të njëzetave u lejua. Megjithëse këto tradita, – të njohura si “lidhje” dhe “shoqërim natën” – i përshkruan vetëm në shekullin e 19, historianët besojnë se e kanë origjinën që nga Mesjeta. “Vajzat qëndrojnë në shtëpi dhe mashkulli i moshës së saj shkon ta takojë”, thotë Kollin Hejud (Colin Heywood) nga Universiteti i Notingamit. “Ai lejohet të kalojë natën me të. Ai madje mund të shkojë edhe në krevat me të. Por asnjëri prej tyre nuk lejohet të heqë rrobat – ata nuk lejohet të shkojnë përtej përkëdheljeve”. Variante të kësaj tradite kërkonin që burrat të flinin mbi mbulesat e krevatit apo në anën tjetër të një ndarëseje prej druri që vendosej mes tij dhe vajzës. Nuk pritej që këto marrëdhënie të sillnin domosdoshmërisht fejesë apo martesë.
Në një farë mase, të rinjtë kontrollonin seksualitetin e vet. “Nëse një vajzë merr reputacion se është relativisht e lehtë, atëherë ajo do të gjejë diçka të pakëndshme shëtitjen jashtë shtëpisë për shkak se i gjithë fshati e di se ajo ka reputacion të keq”, thotë Hejud.
Të rinjtë shprehnin opinionin e tyre mbi sjelljen morale të të moshuarve, në tradita të njohura si “charivari” apo “muzikë e ashpër”. Nëse ata nuk miratonin një martesë – ndoshta për shkak të hendekut moshor – çiftet mund të turpëroheshin publikisht.
Një bandë mund të qarkullonte nëpër rrugët e fshatit me //////////efigjitë e viktimave të tyre, duke u rënë tiganëve e tenxhereve, duke u rënë trompave.
Në Francë, Gjermani dhe Zvicër, të rinjtë krijonin banda së bashku, të njohura si abbayes de jeunesse – “Kishat e keqbërësve” – zgjidhnin një “mbret të të rinjve” çdo vit. Ata dilnin në pah në raste të tilla si karnavalet, kur e gjithë bota kthehej përmbys”, thotë Hejud. Nuk është surprizë që punët herë pas here dilnin jashtë kontrolli.
Filip (Philipe) Aries përshkruan se si në Avinjon të rinjtë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës kërkonin haraç nga qyteti në ditën e karnavaleve, për shkak se ata “kishin privilegjin e dhunimit të hebrenjve apo prostitutave derisa t’u paguhej gjoba”.
Në Londër, esnafet e ndryshme ndaheshin në fise dhe hynin shpesh në mosmarrëveshje të dhunshme. Më 1339, tregtarët e peshkut u përfshinë në një seri betejash masive në rrugë me argjendarët. Por ironikisht, çirakët me reputacionin më të keq për dhunë u përkisnin profesioneve të ligjshme. Këta djem kishin mjete të pavarura dhe nuk jetonin nën kontrollin e mjeshtërve të vet. Në shekujt e 15 dhe 16, përleshjet e çirakëve në Londër u bënë më të zakonshme, ku turmat shënjestronin të huajt, përfshirë popullatën flemish apo lombarde.
Më 1 maj 1517, thirrja për dhunë u dha – “Çirakë dhe dajak!” – dhe një natë vjedhjesh e dhune pasoi aq sa tronditi Anglinë e Tudorëve.
Në këtë kohë, qyteti qe përplot me çirakë dhe popullata e rritur po e gjente më të vështirë kontrollin mbi ta, thotë Barbara Hanauollt. Për shkak se vdekjet mes të rinjve nga sëmundjet infektive u bënë më të rralla, çirakët u përballën me pritje të gjatë për të marrë lejen për profesion nga mjeshtrit e tyre.
“Ke një numër goxha të madh të rinjsh që janë duke kryer shërbimin e çirakut, por nuk kanë shumë shpresa për të kapur një punishte dhe një biznes të vetin”, thotë Xheremi Goldberg. “Ke një numër njerëzish disi të zhgënjyer dhe të përjashtuar, të cilët mund të jenë të predispozuar të sfidojnë autoritetin, për shkak se nuk kanë asnjë interes tjetër”.
Sa të ndryshëm qenë të rinjtë dhe të rejat e Mesjetës nga adoleshentët e sotëm? Është e vështirë të gjykohet nga informacioni i disponueshëm, thotë Goldberg.
Por shumë prindër të adoleshentëve të shekullit të 21 do të pranojnë konkluzionet e një vëzhguesi të shekullit të 18, i cili tha se të rinjtë e kohës së tij qenë “të dobët” (edhe pse hanë me zëmër) këmbëshpejtë, gjaknxehtë, që irritohen lehtë dhe aktivë”.
Ata ndoshta mund të derdhin lot nga një numër letrash nga shekulli i 16, shkruar nga anëtarët e familjes Begaim në Nuremberg dhe të dokumentuara nga Stefen (Stephen) Ozment. Mikael (Michael) Behaim u dërgua si çirak te një tregtar në Milano në shekullin e 12. Në vitet 1520, ai i shkroi nënës së tij duke u ankuar se nuk po i mësohej asgjë mbi tregtinë apo tregjet, por detyrohej të flinte në dysheme. Ndoshta më shqetësuese për prindërit e tij qe fakti se ai u tregonte se kishte frikë se mos sëmurej nga murtaja.
Një djalë tjetër i familjes Behaim nga fundi i shekullit të 16 shkroi nga shkolla për prindërit e tij. Katërmbëdhjetëvjeçari Friedrish u ankua për ushqimin, kërkoi plaçka që t’i dërgoheshin për të ruajtur pamjen e jashtme të të njëjtit nivel me bashkëmoshatarët e tij dhe kishte shqetësimin se kush do t’ia lante rrobat. Nëna e tij i dërgoi tri këmisha në një thes, me paralajmërimin se “ato mund të duken sërish disi të zhubrosura pra duhet t’i varësh në dritare për një copë herë”. Përplot me këshilla, njësoj si nënat sot, ajo shtoi: “Përdor thesin për rrobat e tua të palara”.
Marrëdhënia
Mjeshtër dhe çirakë
Çirakët në disa raste abuzoheshin nga mjeshtërit e tyre. Mes rasteve të regjistruara nga esnafët në Francë, qe ai i një djali që u rrah me një palë çelësa nga një argjendar derisa ai pësoi plagë në kokë dhe një vajzë u rrah aq keq sa vdiq.
Ka shumë gjasa që vajzat çirake në disa raste përdhunoheshin apo shfrytëzoheshin si prostituta, thotë Barbara Hanauollt.
Por fakti që mjeshtërit u përndoqën për këto raste abuzimi sugjeron se prindërit reagonin ndaj keqtrajtimeve dhe që nuk i braktisnin tërësisht fëmijët e tyre.
Në disa raste ka trashëgimi të lëna nga mjeshtërit për çirakët e tyre, gjë që sugjeron që marrëdhënia e tyre shpesh qe shumë e afërt.
Rasti i suksesit
Çiraku Dik Uhajtington
Heroi popullor i Londrës, Riçard Uhajtington (Richard Whittington) erdhi në Londër si çirak te një tregtar – eksportues tekstilesh dhe fitoi statusin e mjeshtrit në vitet 1370.
Ai erdhi nga një familje e pasur dhe nuk ka prova që ai parapëlqente macet, megjithëse në emblemën e tij paraqitet me mace.
U bë shumë i pasur dhe u emërua kryebashkiak i Londrës katër herë.
http://gazeta-shqip.com
Leave a Reply