TIRANË- News 24 zbardh detaje të reja për shqiptarin Ilia (Ilir) Kareli që u gjet i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme, pasi kishte vrarë një gardian në burgun grek të Malandrinos.
Ky i fundit, njihej në Shqipëri me emrin Kudret Kume dhe ka banuar në fshatin Zhupan të Fierit.
Nëna e tij, në një rrëfim për News 24 tregon peripecitë që ka kaluar në burgjet greke, vetëm për të takuar të birin.
“Asnjëherë nuk më kanë lejuar ta takoj. I vajti thika në eshtër që e bëri atë krim, ti jepnin dënim po jo ta masakronin, unë jam e vdekur për vete. Ai bënte kërkesa për të më takuar, asnjëherë nuk e lejuan. Arsye tjetër nuk besoj të ketë pasur, vetëm për këtë e bëri”, rrëfen nëna e tij.
Më tej Rasime Kume kërkon që trupi i pajetë i të birit të kthehet në Shqipëri, që ajo të mund ta shohë për herë të fundit, si dhe të vihet në vend drejtësia për këtë ngjarje. ”Frymë si japin dot më, s’ma sjellin dot çunin, por të vendosin drejtësi”.
BANORËT E ZHUPANIT: E NJIHNIM SI DJALË TË MIRË
Banorët e Zhupanit, fshati ku ka jetuar viktima kanë treguar për News 24 se Kudret Kumen e njihnin si djalë që nuk kishte probleme.
Sipas tyre, vrasjen e gardianit e ka kryer ngaqë nuk e lanë kurrë të takohej me nënën e tij. “Nëna kishte shkuar disa herë për ta takuar në burgun grek, por nuk e kishin lejuar”, shprehen banorët.
Ndërsa shprehin indinjatën e tyre, banorët shtojnë se, “Kume duhet të dënohej sipas ligjit për krimin, jo të masakrohej në atë mënyrë”.
Ilia Kareli i njohur si Kudret Kume ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës fizike. Rezultatet e autopsisë së trupit të 40-vjeçarit shqiptar tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Rezultatet e autopsisë konfirmojnë se Kareli kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, por me mjete te tjera.
Ndërkohë për tv SKAI mjeku ligjor ka deklaruar se veç thyerjeve e goditjeve të shumta, Kareli duhet të jetë torturuar. Në pëllëmbë kishte shenja tronditjeje, që po interpretohen në media si shenja të elektroshokut.
Mediat greke shkruajnë se i dënuari Ilia Kareli është rrahur gjatë transferimit nga burgu i Malandrinos në Nigrita.
albnews.al
Leave a Reply