
E FOLMJA E DEVOLLIT
(Sprovë etnosociolinguistike)
TEZË PËR PUNIM DOKTORATURE
CREDE MIHI, SACRA POPULI LINGUA EST (MË BESO, GJUHA E POPULLIT ËSHTË E SHENJTË)-SENEKA
Krahina e Devollit
PARATHËNIE
Qëllimi dhe objektivat e studimit
Zhvillimi i studimeve etnosociolinguistike në shkencën gjuhësore shqiptare nuk janë as të vonshme, as të pakta. Pavarësisht se në vitet e fundit ato kanë marrë një fytyrë të përcaktuar mirë, duke u përqëndruar mirëfilli në studimin e gjuhës si mjet komunikimi në gji të bashkësisë shoqërore, ato janë paraprirë nga një shumësi studimesh të pjesshme a të plota në fushën e dialektologjisë. Në këto punime gjejmë trajtimin e veçorive fonetiko-gramatikore të të folmeve, por, njëkohësisht, vihen re dhe shtjellime të veçanta që lidhen me përdorimin e të folmeve në varësi të ndryshorëve sociolinguistikë.
Në panoramën e përgjithshme të hartës të të folmeve të shqipes, e folmja e Devollit ka tipare të veçanta fonetike, gramatikore e leksiko-frazeologjike. Si e tillë, ajo ka ngjallur prej kohësh interesin e gjuhëtarëve. Kështu, mund të përmendim punimin e V. Xhaçkës «Një shikim mbi të folmen e krahinës së Devollit» të vitit 1958 dhe atë të J. Gjinarit «Mbi të folmen e Devollit» të vitit 1960, të pasuara nga një sërë punimesh të mëvonshme mbi leksikun, frazeologjinë dhe toponiminë e kësaj krahine, të botuara në periodikë të ndryshëm. Pavarësisht nga të arriturat e deritanishme, mund të vihet re se e folmja e Devollit nuk është studiuar ende në të gjithë elementët dhe veçoritë e saj, për më tepër, për të nuk ka pasur studime të mirëfillta etnosociolinguistike.
Duke u nisur nga rëndësia e studimeve të sotme në fushën e etnosociolinuististikës, në punimin që po paraqesim në kërkim të gradës «Doktor», janë bërë përpjekje për një studim të plotë e të thelluar të të folmes së Devollit, si një e folme me karakteristika të caktuara, të shqyrtuara në tri boshtet kryesore: në hapësirë, në kohë dhe në shoqëri.
Qëllimi kryesor i këtij punimi është shqyrtimi i kësaj të folmeje anësore, e cila ka ruajtur mjaft karakteristika të gjendjes së hershme të shqipes në tërësi, por, gjithashtu, edhe si një e folme që ka dhënë e ka marrë me të folme të tjera të krahinave përreth. Kjo krahinë, si pikë etnografike e veçantë, si krahinë kufitare me dy shtete ballkanike, me histori të trazuar pushtimesh, me lëvizje të mëdha të popullsisë në periudha të ndryshme historike (lëvizje që vazhdojnë dhe sot), me një mendësi të caktuar shoqërore, me një kulturë të veçantë shpirtërore e materiale, ka lënë gjurmët e veta dhe në të folmen e saj.
Disa nga synimet që e kanë paraprirë këtë punim janë: cilat janë këto gjurmë, sa dhe si janë bërë pjesë e etnikumit shpirtëror të bashkësisë që përdor këtë të folme, cilat janë përbashkësitë me mbarë shqipen në tërësi, cilat janë veçoritë që mund të bëhen shumë lehtë pjesë e gjuhës në komunikim etj.
Punimi përqendrohet në dy drejtime kryesore:
së pari, në një analizë të thelluar të të folmes së Devollit që i përket një mjedisi të kufizuar nga pikëpamja territoriale dhe shoqërore, duke vënë në dukje veçoritë fonetiko-gramatikore e fjalëformuese të saj në gji të toskërishtes veriore dhe në marrëdhënie me të folme të veçanta që i përkasin gegërishtes; së dyti, në një analizë sociolinguistike të të folmes mbi bazën e faktorëve gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë që kanë ndikuar dhe ndikojnë në aspektin funksional të përdorimit të saj. Nga kjo pikëpamje, në të folmen e Devollit hasen elementë të veçantë gjuhësorë, që lidhen me situatat dhe përdoruesit e kësaj të folmeje në bashkësinë shoqërore përkatëse. Për të arritur këto qëllime u përcaktuan disa objektiva:
1. E folmja e Devollit të shqyrtohet si pjesë përbërëse e toskërishtes veriore me karakteristika të dallueshme të grupit lindor të saj.
2. E folmja e Devollit të analizohet në vështrim diakronik e sinkronik në veçoritë e saj fonetiko-gramatikore mbi bazën e përqasjeve të dukurive të veçanta gjuhësore.
3. Të klasifikojë nga kriteri i «formës së brendshme» frazeologjinë e të folmes, duke krijuar një fond frazeologjik si burim i përdorimit të saj në mbarë shqipen dhe për hartimin e një fjalori frazeologjik krahinor.
4. Të analizohet e folmja e Devollit mbi bazën e ndryshorëve sociolinguistikë si një e folme që pasqyron mendësinë, kulturën, historinë dhe zhvillimin e krahinës.
5. Të plotësojë të dhënat e onomastikës shqiptare të shqyrtuara deri më sot me të dhëna të toponimisë dhe antroponimisë së krahinës së Devollit për t‟u përdorur si burime për shpjegime, shqyrtime dhe argumentime rreth historisë së gjuhës shqipe dhe si burim për hartimin e një fjalori onomastik të krahinës së Devollit.
Metodologjia e kërkimit
Duke u nisur nga qëllimi i punimit, metodologjia e kërkimit u mbështet në shqyrtimin sinkronik dhe diakronik të të folmes së Devollit, në përdorimin situativ të saj në kontekste të përcaktuara nga pjesëmarrësit në komunikim në vende dhe kohë të ndryshme duke ndjekur dy drejtime:së pari, mbledhja e materialit gjuhësor të të folmes në terren duke hulumtuar konkretisht përdorimin e saj në bashkësinë shoqërore përkatëse. Për këtë u mbështetëm në pyetësorët e hartuar për mbledhjen e materialit leksiko-frazeologjik, onomastik dhe për veçoritë fonetike dhe morfologjike të të folmes.së dyti, shqyrtimi i materialit faktik mbi bazën e literaturës teorike për të të dhënë një pamje të plotë fonetiko-gramatikore, leksiko-frazeologjike dhe etnolinguistike të të folmes.
Fazat e kërkimit
Faza përgatitore
1. Studimi i literaturës.
2. Hartimi i pyetësorëve.
3. Formulimi i platformës studimore «E folmja e Devollit si një e folme me tipare të veçanta fonetiko-gramatikore dhe etnosociolinguistike në gji të toskërishtes veriore dhe në bashkëmarrëdhënie me të folme të tjera jashtë dialektit».
Faza e mbledhjes të të dhënave
1. Pyetësorët me studentët, ekspeditat gjuhësore.
2. Intervistat e drejtpërdrejta.
3. Materialet leksiko-frazeologjike e folklorike në periodikë të kohës.
Shqyrtimi i të dhënave dhe analiza e tyre
1. Përqasja me studime të mëparshme, duke plotësuar analizën për një territor më të gjerë që përfshin mbi 20 pika të grumbullimit të të dhënave.
2. Analiza e veçorive fonetiko-gramatikore dhe shqyrtimi sociolinguistik i frazeologjisë, duke e parë në vështrim përqasës me punime të mëparshme në këtë fushë.
3. Shqyrtime të thelluara dhe mbështetëse për etnografinë e të folurit në të folmen e Devollit.
4. Përgjithësime dhe përfundime.
Pozita gjeografike
Krahina e Devollit, si njësi administrative, shtrihet përgjatë brigjeve lindore dhe perëndimore të lumit me të njëjtin emër, në skajin më juglindor të Shqipërisë. Në pikën më lindore të Shqipërisë, në fshatin Vërnik, shtrihet në gjatësinë gjeografike 210 40‟1. Gjeografikisht, territoret e këtij rrethi shtrihen në nënnjësinë jugore të Krahinës Malore Qendrore, pikërisht në gropat juglindore. Në veri, veriperëndim dhe në perëndim kufizohet me rrethin e Korçës nga lartësitë që zbresin në liqenin e Prespës dhe përgjatë kurrizit të Moravës. Në jugperëndim kufizohet me rrethin e Kolonjës nga pjerrësitë verilindore të malit të Gramozit, ndërsa në juglindje, lindje dhe verilindje kufizohet me Republikën e Greqisë, përgjatë një vije kufitare prej 83 km, ku ngrihen lartësitë mbi Nikolicë, Arrëzë, Qytezë, Vidohovë, Kapshticë, Vërnik, Rakickë e deri në lartësinë e Llapishtit. Gryka e Cangonjit e lidh këtë krahinë me fushën e Korçës. Në lindje lidhet me shtetin fqinjë, Greqinë, nëpërmjet Grykës së Kapështicës.
Brenda këtyre kufijve, rrethi i Devollit ka një sipërfaqe2 prej 429 m2.Për nga madhësia Devolli grupohet në rrethet e vogla të vendit, duke u renditur i nënti në Shqipëri3. Rrethi i Devollit ka një shtrirje gjatësore horizontale meridionale veri-jug prej rreth 60 km dhe gjerësi maksimale prej 16.5 km.
Kjo krahinë rrethohet nga lartësitë e vargmalit të Moravës në Perëndim, nga malet Vojskovar, Ruki, Pllashovec në lindje, nga mali i Golinit dhe i Qafashticës në veri dhe në jug nga Paçarovi, Bidoja dhe Kruki. Si pjesë përbërëse e Gropave Juglindore, krahina e Devollit përfshihet tek albanidet e brendshme, ku mbizotërojnë shkëmbinjtë sedimentarë (terigjenë në vargun lindor të Moravës, gëlqerorë në lindje, në malësinë e Rakickës dhe të Llapishtit dhe në kontakt me magmatikët në sektorin Tren-Kokogllavë)
Ndryshime e lartësisë së shkojnë nga 850 m mbi nivelin e detit në veri e deri në 1050 te Maja e Lartë në vargmalin e Moravës.
Në pjesën qendrore të kësaj njësie administrative ndodhet lugina e Devollit të Sipërm6, me gjatësi prej 21 km dhe gjerësi prej 7 km. Degët e lumit Devoll kanë marrë emrat e fshatrave ku kalojnë; lumi i Qytezës, i Ziçishtit, i Vidohovës (Shagut), i Hoçishtit, i Pilurit, i Gjyresit, i Babanit, i Llofkës etj. Në pjesën qendrore shtrihet fusha e Bilishtit, e gjatë 10 km dhe e gjerë 7 km, e ndjekur prej fushës së Kurrilës.
Pjesa më e ulët e luginës së Devollit të Sipërm mendohet se ka qenë e mbuluar nga uji në formën e një liqeni që lidhej me liqenin e Korçës nëpërmjet grykës së Cangonjit. Më pas ai është tharë nga lumi i Devollit, i cili bënte shkarkimin e ujërave në Fushëgropën e Korçës dhe ka ndikuar në formimin e Grykës së Cangonjit. Kjo krahinë laget nga ujërat e liqenit të Prespës së Vogël.
Klima e rrethit të Devollit është mesdhetare paramalore juglindore, me nuanca të theksuara kontinentale, për shkak të pozicionit lindor dhe ndikimit më të madh të brendësisë së Gadishullit Ballkanik. Gjatë vitit mbizotërojnë rreshjet e shiut, ndërsa në dimër janë të zakonshme rreshjet e borës.
Hidrografia e rrethit të Devollit mbizotërohet prej lumit Devoll, që e ka burimin e tij pikërisht në malet e kësaj krahine dhe kalon mespërmes hapësirës gjeografike të këtij rrethi. Një element mjaft i rëndësishëm hidrografik i këtij rrethi është prania e liqenit të Prespës së Vogël, i cili po zhduket për shkak të derdhjeve të lumit Devoll, duke u kthyer më tepër në një kënetë.
Përsa i përket bimësisë dhe tokave, Devolli dallohet si një krahinë e pasur me pyje në brezin e dushkut, ahut dhe haloreve, ndërsa në lartësitë mbi 1000 m ka kullota alpine me shumëllojshmëri barishtesh dhe lulesh. Në pjesën perëndimore të kreshtës së Moravës, që njëherazi shërben dhe si kufi administrativ me rrethin e Korçës, ngrihet monumenti natyror i Gurit të Capit (shkëmb në formën e gamiles i formuar si rrjedhim i veprimtarisë eolitike mbi shkëmbinjtë ranorë). Po ashtu, në territorin e kësaj krahine shtrihet rezervati natyror i Cangonjit, ndërsa në Nikolicë gjendet një peizazh i mbrojtur natyror me një bukuri të rrallë.
Kjo krahinë përbën njësinë administrative të rrethit të Devollit, me qendër qytetin e Bilishtit. Si rreth më vete është ndarë në vitin 1992 dhe përmbledh bashkinë e Bilishtit, komunat e Mirasit, Progrit, Bilishtit Qendër dhe atë të Hoçishtit. Në këto komuna përfshihen rreth 45 fshatra, të vendosur përgjatë brigjeve të lumit Devoll, në krahun e majtë dhe të djathtë të tij (duke nisur nga burimet e tij në malet e fshatit Nikolicë). Kjo krahinë, në varësi të relievit të fshatrave dhe vendndodhjes së tyre, ndahet në dy pjesë: në Devollin e Sipërm dhe në Devollin e Poshtëm, të cilat, duke shkuar drejt jugut të krahinës, si ndarje gjeografike lidhen më tepër me faktin e terrenit të thyer malor që vjen duke u ngritur.
Rrethi i Devollit ka një popoullsi prej 42567 banorësh7, me dendësi të ulët, 99. 2 banorë/ km2. Kjo dendësi është nën mesataren e dendësisë së popullsisë në Republikën e Shqipërisë8, çka ka ardhur për shkaqe që lidhen me pozicionin gjeografik të kësaj krahine, me mundësitë natyrore për të siguruar jetesën, me kushtet historike të zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të krahinës, si dhe me tradita të hershme të zonës që janë mjaft të gjalla dhe sot (p. sh. emigrimi). Nga ana tjetër, kjo krahinë dallohet për nivel të lartë lindshmërie: rreth 12.2%, më e lartë se mesatarja e gjithë qarkut9.
Popullsia e Devollit i ka pasur traditë lëvizjet migratore, si sezonale ashtu dhe të përhershme. Kryesisht migrimi është drejtuar në Greqi, por dhe në Rumani e Bullgari, ndërsa një pjesë e madhe kanë emigruar në SHBA dhe Kanada. Prirje e sotme është dhe lëvizja drejt qendrave kryesore qytetëse të vendit, si në Korçë, Durrës e Tiranë. Megjithatë, duhet theksuar se prirja për emigrim ka qenë kryesisht e banorëve të fshatrave të Devollit të Sipërm (Dardhë, Sinicë, Qytezë, Ziçisht, Bradvicë etj.), për shkak të mundësive të kufizuara për të jetuar në këto zona të thella malore. Ka pasur fshatra, si: Dardha, Grapshi, Ziçishti, Hoçishti etj., të cilat në pjesën më të madhe të vitit mbeteshin pothuaj pa meshkuj të rritur, pasi këta shkonin në kurbet stinor e më vonë në kurbet të gjatë.10 Disa fshatra janë zbrazur pothuajse plotësisht që në vitet „60 të shekullit të kaluar, për shkak të terrenit të thyer malor (Bradvicë, Nilkolicë). Për më tepër, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar u kufizuan plotësisht dhe rrugët tregtare dhe mundësitë e banorëve për të punuar me punë stinore në Greqi.
Pas viteve „90 të shekullit XX, si në gjithë vendin, edhe në Devoll u përhap gjerësisht emigracioni, si nga zonat malore drejt atyre fushore e sidomos drejt qendrave të mëdha qytetëse, por, mbi të gjitha, u përhap gjerësisht emigracioni në Greqi e SHBA. Vitet e fundit vihet re një prirje e rindërtimit të shtëpive të vjetra ose ripopullimi stinor i disa fshatrave të kësaj krahine nga emigrantët ose nga banorë të tjerë me lidhje të vjetra me fshatrat e tyre. Kjo ndodh për shkak të kushteve klimatike që kanë këto fshatra (sidomos Devolli i Sipërm), si dhe nga një përmirësim i kushteve ekonomike të këtyre banorëve të rinj. Në një farë mënyre, ata po rigjallërojnë jo vetëm jetën ekonomike të fshatit të tyre, por, njëkohësisht, mbajnë gjallë dhe ripërtërijnë traditat dhe kulturën e hershme të krahinës.
Nga pikëpamja ekonomike, në këtë rreth peshën specifike ekonomike më të madhe e mban bujqësia, blegtoria, bletaria e pylltaria. Pjesën tjetër e zë tregtia, transporti, turizmi e shërbime të tjera dhe shumë pak industria. Kuptohet që, faktori natyror, prania e fushave pjellore dhe kullotave të shumta, sidomos në pjesën qendrore dhe veriore të rrethit, në të dy anët e rrjedhës së lumit, por dhe mendësia e theksuar e punës te devollinjtë ka bërë që të mbizotërojnë bujqësia dhe blegtoria. Në këtë krahinë ka prodhimtari të lartë të kulturave bujqësore dhe të frutikulturës. Është një nga krahinat që, si në shekullin e kalur dhe sot, furnizon me prodhime bujqësore dhe blegtorale me cilësi të lartë një pjesë të mirë të tregut vendës dhe eksporton dhe në vendet fqinjë.
HYRJE
CREDE MIHI, SACRA POPULI LINGUA EST,
(MË BESO, GJUHA E POPULLIT ËSHTË E SHENJTË)-SENEKA
1.1.2 Lashtësia e krahinës dhe e banorëve të saj
1.1.3 Të dhëna etnofolklorike për krahinën
1.2 Rreth prejardhjes së emrit “Devoll”
2. E FOLMJA E DEVOLLIT BRENDA NDARJES DIALEKTORE TË SHQIPES
2.1 E folmja e Devollit si pjesë e toskërishtes veriore
2.2 E folmja e Devollit në grupin lindor të toskërishtes veriore
2.3 Bashkëpërkimet me gegërishten jugore
3. TIPARE DHE DUKURI FONETIKE TË TË FOLMES SË DEVOLLIT
3.1 Vështrim i përgjithshëm për sistemin tingullor të të folmes së Devollit
3.2 Sistemi zanor
3.2.1 Zanoret e theksuara
3.3 Sistemi bashkëtingëllor
3.3.1 Bashkëtingëllore të veçanta
3.4 Modifikime të tingujve dhe ndërrime fonemore
E folmja e Devollit karakterizohet nga një sërë procesesh fonetike dhe ndërrimesh fonemore, të cilat e bëjnë të dallueshme këtë variant brenda të folmeve të toskërishtes veriore.
3.4.1 Modifikimet e tingujve161
3.5 Theksi i fjalës në të folmen e Devollit
Faq 78 ketu VAZHDON—:


Leave a Reply