
Drejtori ishte ahere rreth të tridhjetë e pesave, kishte
mbaruar Universitetin për gjuhë letërsi dhe, si komunist që
ishte, e kishin emëruar drejtor Gjimnazi, gjë që nuk e meritoi
asnjëherë, se aty kishte profesorë të niveleve të larta të
mësimdhënies dhe shumë herë më të përgatitur se ai.
Drejtori ishte një njeri antipatik,tip që nuk vinte era njeri,
tabijatsëz dhe do të thosha me plot gojën, intrigant, ose
keqdashës, shkurt, nuk binte era as si intelektual, jo e jo, por
edhe as si njeri.
Karrierist i fëlliqur dhe kapadai, ose më mirë të themi, një
njeri kot, i pëlqente vetia, megjithëse ishte gjë e shëmtuar, si
në “fasadë”, por edhe në “konstruksion”, një këmbë shtrembër
dhe një trup i deformuar si çitak.
Gjimnazi ynë ishte ndërtuar mbi një kodër përballë detit dhe
preferohej edhe nga nxënës të rretheve të tjera të vogla, ashtu
siç ishte edhe qyteti ynë, i vogël, por plot histori dhe bukuri.
Drejtori ishte beqar dhe hante shpesh drekë në restorantin
e vogël të qytetit, ku rastiste të shkonim më të rrallë edhe
ne,mbasi gjimnazi nuk kishte konvikt dhe ne, fëmijë të ardhur
nga fshatrat përreth, zinim nga një dhomë me qira ku bujtnim
e banonim me një fukarallëk të madh gjatë gjithë vitit, larg
familjes.
Ndodhte, pra, që kur qaseshim tek restoranti i vogël për të
ngrënë nga një fasule me vaj ulliri 9 lekëshe, të ishin edhe
profesorët brenda, gjë që herë pas here na kushtonte shumë,
jo nga ata, por problem e kishim kur ndodhej brenda ai,
tabijatsëzi dhe syfetsëzi, drejtori. Ai nxihej kur na shikonte,e
quante shkelje të rendë të disiplinës e të sjelljes dhe bëhej më
bishë se ç’qe.!. Gjithsesi unë dhe dy shokë të mi të ngushtë, që
ishim nga i njëjti fshat dhe nuk ndaheshim nga njëri tjetri,
përgjonim dhe prisnim me pa durim që kur të shkonte drejtori
aty, të ishim edhe ne; këtë e bënim për inat ose për kapriço
ndaj tij, se ai na nxinte jetën çdo ditë të javës.
Ai nuk donte që nxënësit e ardhur nga fshatrat për rreth të
hanin aty,bile as që donte t’i shikonte në kohën e lirë në pazarin
e vogël, ose në kinemanë e qytetit, që ishte i vetmi argëtim për
ne . Fëmijët e kishin tmerr, se të nesërmen ai, shpirt katil i
nxirrte para shkollës, i tallte, i ironizonte, i ndiqte disa ditë
nga shkolla dhe në shumë raste u thyente notën në sjellje, ose
u sillte prindërit me vend e pa vend në drejtori…!
Më problematiku dhe më harrakati isha unë, bile në shumë
raste përplasesha me të para të gjithë gjimnazit; sa e
kundërshtoja, më thoshte “ largohu,sill prindërit, në të kundërt
je i përjashtuar nga shkolla”
Më kishte gjetur vërtet belaja me të. Nuk them se isha
engjëll, por qullac e qurrash nuk mund të isha. Unë vija nga
shkollat e kryeqytetit dhe, si i tillë, shihesha me një sy jo të
mirë, jo vetëm nga drejtori por edhe nga shumë të tjerë, qofshin
këta mësues, kujdestarë, llogaritarë, pastrues ,apo prindër
fëmijësh, që mendonin se po shkatërroja fëmijët e tyre, duke i
tërhequr për sport, për det, për aventura rinie, apo për të
vjedhur fruta,se atje kishte te dymbëdhjetë muajt e viti fruta.
Ca isha nga natyra i hedhur, ca krekosjet e kuptueshme të
moshës, më kishin krijuar një lloj “nami”, por në rastin konkret,
doja dhe përpiqesha vetë të krijoja situata që të sillja shqetësime
në drejtori, mbasi e kisha shumë inat drejtorin zemërzi e kapadai.
Në lëndën e tij unë përpiqesha të mësoja dhe të isha në
rregull, pavarësisht se ai mua do të më errësonte gjithçka.
Shpesh ndodhte që, kur më ngrinte në mësim, të bëja ndonjë
numër me shokët, kur ai nuk e kishte mendjen dhe shikimin
tek unë.Klasa njëherësh ja plaste të qeshurës, dhe ai nuk vononte të
egërsohej dhe të merrte në pyetje një nga një që të gjithë: “pse
qeshët…pse qeshët ? Nuk do të dilni jashtë, po nuk më thatë
të vërtetën….!
Unë heshtja dhe serioz kërcënoja me sy ndonjë gocë që
mendoja se mund të fliste,.ose mund të më “tradhtonte” në
yneret e mia rinore. Drejtori çakërrente sytë ,duke kuptuar
hilenë time dhe rrotullonte kokën sa majtas djathtas, duke u
bërë më qesharak dhe më i papërmbajtshëm. I shkreti
drejtor,me gjithë kërcënimet e tij prej arroganti bosh, kurrë
nuk merrte vesh të vërtetën.
Nxënësit ishin fshatarë që të gjithë dhe nuk e tradhtonin
kurrë shokun e mikun,kishin besnikërinë dhe burrërinë, ca më
tepër që nuk bënim ndonjë thagmë kushedi se çfarë,thjesht
ato çapkënllëqe që i bëjnë tërë gjimnazistët. Natyrisht që
drejtori më pas, kur delte i humbur, më lëshohej mua me
inat, ”…ta rregulloj unë ty, ti je strumbullari…Shko sill prindërit
dhe pastaj do të shikojmë !”
Ishte mëngjes dhjetori. Atë ditë dolëm shpejt nga shtëpia
ku bujtnim, një ditë më parë na kishte sjellur kot, pa arsye e
përgjegjësi ,prindërit nga fshati në drejtori dhe na kishin bërë
për një lek, duke na kritikuar. Bile aty shpirtkatrani kishte
thirrur edhe sekretaren e partisë të shkollës si edhe të
plotfuqishmin e zonës , një mut muti që të na trembnin e të na
gjunjëzonin.
Ata bënë proçes-verbale duke na akuzuar se sillnim
shqetësime ne qytet, bënim zhurmë në kinema gjatë shfaqjes
së filmit, ose në ambientet e shkollës, por edhe të restorantit
kur hanim drekë,se, sa e sa herë grindeshim me kamarjerët,
kur nuk na përgjigjeshin në kohë, e të tjera gjepura si këto. Na
akuzuan se u hipnim forcërisht makinave dhe mjeteve të
linjave kur shkojmë në fshat, se ngacmonim gratë e
rrobaqepësisë dhe infermieret e spitalit, bënim zallamahia
nëpër qytet, gjëra përgjithësisht të pa qëna, të pa vërtetuara
dhe tepër qesharake.
Prindërit e shkretë dëgjuan pa bërë zë, na qortuan rëndë
dhe ikën me merak në zëmër dhe me frikë se ndoshta një ditë
mund ta paguanim dhe të bëheshim pre e policisë, si njerëz
problematikë dhe të pa edukuar.
Nuk na qeshte buza, gjithë atë natë mendonim që të tre si
t’ia bënim drejtorit, mbasi e dinim që atje ishte e keqja. Disa
mësues që na donin, na këshillonin të bënim kujdes me të, të
mos i kundërshtonim, të mos i dinim përpara, t’i kërkonim të
falur, po koka jonë ishte kokë fshatari, dhe ç’fshat se,…fshat
kapedanesh !
…Në kohën që shkolla kish filluar të rreshtohej dhe drejtori
kishte zënë vend në një si podium i përhershëm, njëri nga
nxënësit kishte kthyer kokën nga deti dhe shikon se dikush
notonte. Ai bërtiti sa kishte në kokë: “ shifni, shifni !Janë
qeparotasit që po lahen…në det,në këta të ftohtë…”
Të gjithë dolën nga rreshti dhe u turrën rreth podiumit që
të shihnin më mirë. U bë një rrëmujë e madhe dhe u prish
rreshti,disa qeshnin, disa mendonin se sot ishte fundi për ne…!
Që të tre dalim nga deti, vishemi shpejt e shpejt, marrim
librat dhe pas disa minutash gjendemi për rreshtim në shkollë,
pikërisht në orën e saktë, sikur të mos kishte ndodhur gjë, u
futëm në rreshtin e prishur.
Fundi i fundit ç’kishim bërë ?! Të laheshe, nuk ishte e
ndaluar.
Drejtori na pa tërë inat dhe i drejtohet shokut tim, që ishte
edhe nja dy klasa më lart se unë :
– Dilni nga rreshti që të tre dhe prisni aty !
Shoku im serioz, qetë-qetë, pa ju dridhur qerpiku, i thotë:
– Shoku drejtor, ç’ka ndodhur, a mos vallë duhen sjellur
prindërit edhe sot ? Po na bini më qafë me të pa drejtë…
Ai u egërsua dhe tha duke uluritur:
-Jooooo, sot është fundi! Këtë ta dini mirë, o ju, ose unë
këtu.
– Mund të jetë fundi juaj- i thotë plot kurajë shoku im, – Për
këto që bëni, vetë shoku Enver do ta marri vesh. E keni kthyer shkollën si çifligun tuaj, na kërcënoni çdo ditë me polici dhe
sajoni e shpifni gjëra të pa qena. Ne do të lahemi në det sa herë
të na dojë qejfi dhe sa herë që të mos kemi ujë në dhomë. Ju e
dini që çezmat ishin ndërprerë qysh dje.
Ne nuk mund të rrimë pa larë se doni ju, ne nuk i kemi
nënat tona këtu dhe, siç jeni në dijeni, e përballojmë shkollën
me shumë të keq dhe me shumë vështirësi, qoftë për të larë,
qoftë për ushqim. !
Hapi sytë drejtori, u pordh që ç’ke me të,u shfry si
tullumbace,urdhëroi që të gjithë klasat, edhe ne bashkë me ta,
të futemi në mësim.
Profesorët që nuk e duronin dot tangërllëkun dhe autoritetin
artificial te drejtorit, morën zëmër dhe na shikonin ne si
heronj,duke qeshur nënë buzë..!
Sa mbaroi mësimi, mbas orës së gjashtë, na thërret drejtori :
– Unë u kam dashur dhe u dua -e nisi bisedën,- Unë kërkoj
nga ju që të jeni model, shkolla jonë është më e mira në rreth.
Ndoshta unë edhe u kam folur, por gjithmonë për të mirën
tuaj. Ju jeni nxënës të zgjuar dhe, si të tillë, duhet të shkëlqeni
si në mësime, ashtu edhe ne sjellje. Ja kjo është e tëra.
– Ju kuptuam, shoku drejtor, – i tha shoku im,- por gjatë
gjithë kësaj kohe jeni ju që na keni rënë më qafë dhe unë nuk
tërhiqem pa i shkruar një letër shokut Enver.! E ku e gjeni ju të
drejtën që të na sjellësh dhe të na shpiesh në polici kot së koti
dhe pa arsye sa herë të doni ?!. Ç’keni nxjerrë me keto gjëra,
pse na sulmoni, sikur të jemi bij armiqsh apo reaksionaresh ?Ja,
këto gjëra do të shkruaj në letër.
– Po jo, more djalë, pa dale, pa dale, s’është mirë kështu,
pse do të shqetësojmë udhehqjen, këto gjëra i ndreqim vetë…
Shoku im ,kur pa që ai ishte kot fare dhe po trembej, e ngriti
zërin më shumë, pa na lëne mua dhe tjetrin të flasim… !
– Do më falni shoku drejtor.. – i thashë unë më së fundi- Ne
nuk do ta bëjmë letrën dhe nuk do të dërgojmë në qeveri, në
qoftë se ju do të na jepni fjalën që herë tjatër nuk do të kemi
problem dhe, e dyta, të mos kërkoni të vijnë prindët kot së
koti, se ju do qejfi juve. Ata vijnë nga ana e dynjasë dhe s’ka
pse të mërziten me mbarëvajtjen tonë padrejtësisht..
– Po mirë, more, këto janë gjëra që i kemi vetë në dorë, u tha
u bë – tha drjtori « kompetent » !
U ndamë sikur bëmë një akt marëveshje për momentin me
njëri tjetrin në heshtje, por ai filloi të na luftojë me metoda më
të poshtra, duke nxitur disa nga prefesorët që kishte nën tutelë
të errësonin çdo rezultat tonin… !
Po vinte fundi i vitit, shokut tim i duhej matura domosdo,
shoku tjetër hidhej në maturë, ndërsa unë, ngelësi, hidhesha
në vit të tretë…Të gjithë rezultuam ngelësa për në vjeshtë.
Drejtori e kishte bërë « detyrën ». « Shihemi në vjeshtë ! » –na
tha me tangërllëk prej kapadaiu.,kur na pa në oborr, tek zienim
nga zëmërimi e padrejtësia që na qe bërë.
Behari po afrohej, shkolla donte dhe disa ditë të mbyllej,
deti ishte vaj dhe kishte ditë që aty – këtu kishte filluar plazhi.
E përgjova disa ditë rrjesht drejtorin se ku lahej dhe një ditë
,kur ai ishte në ujë në një gji të pa shkelur mes shkëmbënjve,së
bashku me një mësuese, që më pas e mori grua, unë iu
rrëmbeva teshat ,ua fshefa nëpër shkëmbenj dhe i lashë lakuriq
që të dy, me rroba plazhi duke i bërë sehir nga larg.
Kur dolën në breg e nuk panë teshat, u alarmuan të dy dhe
drejtori u bë si i lojtur mendsh .S’dinte kujt t’i hakërrehej.
Unë që nga shkëmbijtë nisa të thërrisja me të madhe
– Në vjeshtë, në vjeshtë.. !
– Ç farë vjeshtee, moreee ! Kush je ti ?!
-Takohemi në vjeshtë, në vjeshtë … !- thërrisja duke u
hedhur nëpër shkëmbij e harca..Epilog
Drejtorit ajo ditë i kushtoi shumë. Ne qemë nisur vetëm për
një gallatë adoleshentësh, por në atë kohë, ashtu si dardha,
edhe gallata e kishte bishtin prapa… Dy vëllezërit dhe të
afërmit e mësueses u alaramuan që e motra nuk po kthehej
nga shkolla dhe nuk po dukej gjëkundi..
Kur u errësua, ne « fëmijët e mbarë », hapëm fjalë se e kishim
parë drejtorin nga pasditia tek po lahej ne det, andej nga
shkëmbejtë e Jaskodhës me një tjetër…,pa u thënë që ishte me
një vajzë a grua…. ! (mesuese kopshti,. komuniste dhe pa arsim
perkates)
Njerëzia u turrën për andej dhe i gjetën të dy të fshehur në
një rrëzë shkëmbi,gjysëm lakuriq duke pritur të errësohej…
Drejtori i mori aty për aty si paradhënie një a dy pëllëmba
nga vëllezërit e vajzës. Ishte bërë meit derëziu, s’i quajti gjë
pëllëmbat përballë rrëmujës dhe diskretitimt që pësoi… ! U
sollën rroba të tjera dhe i çuan po atë mbremje në polici a në
këshillin popullor…Aty me « mirëkuptim të plotë » të të dy
palëve, u bë dhe akti i « ngecjes » së martesës së tyre !
Në vjeshtë, kur ne dhamë provimet, nuk arritëm ta
shihnim,siç na pat thënë kur na nxorri mbetësa… Ishte
trasferuar në një qytet « fermë » tjeter, të kategorisë tretë, ku
së bashku me të shoqen nisën jetën e re, fillimisht jo si mësuesa,
por si bletë rritës, gjersa të shlyenin efektet e asaj dite të nëmur
plazhi… !
Prill 201
Burimi – Facebook – Faqja zyrtare e Autorit


Leave a Reply