37-vjeçari Luigi Abatantuono ndërroi jetë si pasojë e një infarkti që pësoi teksa po bëhej gati për të vjedhur bankën
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje pasdite në Bari të Italisë. Një shtetas italian tentoi të vidhte një bankë, por nuk arriti ta finalizonte qëllimin e tij, pasi gjeti vdekjen sapo hyri në bankë. 37-vjeçari italian ndërroi jetë, si pasojë e një infarkti që pësoi teksa po bëhej gati për të vjedhur bankën.
Sipas policisë italiane dhe pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë, grabitësi i veshur me një kapele në kokë dhe një palë syze të errëta për të mos u identifikuar, ka hyrë në bankë me një kaçavidë në dorë dhe një objekt tjetër, të cilin ua prezantoi punonjësve dhe klientëve të bankës si bombë.
Në momentin që grabitësi, Luigi Abatantuono, është drejtuar drejt arkës ku ndodheshin paratë, punonjësja e arkës së bashku me një klient që ndodhej aty e kanë shtyrë, duke e hedhur në tokë. Pikërisht në këtë moment ai ka pësuar edhe goditjen në zemër, dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
/Shekulli Online/ E.B./


Leave a Reply