Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi të premten në mbrëmje marrëveshjen trevjeçare të bashkëpunimit me Shqipërinë, e cila shoqërohet me një kredi deri në 300 milionë euro, duke i hapur dritën jeshile investimeve të reja nga kompani private, vendase dhe të huaja.
Burimet nga Ministria e Financave bënë të ditur se pas këtij vendimi, pritet të disbursohen 100 milionë euro për vitin e parë, të cilat do të shkojnë kryesisht për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit.
Pas diskutimeve në Bordin Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, Zv/drejtori Administrativ David Lipton, tha se “Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në vitin 2014, nxitur nga reduktimi i planifikuar i rreziqeve në fushën fiskale, shlyerja e borxheve, trajtimi i kredive me probleme, si dhe me nisjen e reformave strukturore.
Megjithatë rreziqet janë domethënëse dhe nevojat për financim janë të mëdha. Shqipëria ka nevojë për mbështetje financiare për të stimuluar përmirësimin e gjendjes fiskale dhe për të mbajtur borxhin në nivele të qëndrueshme”.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, me miratimin në Uashington të marrëveshjes, kësti i parë prej 100 milionë eurosh ndaj biznesit mund të nisë të ndahet në mars. Ministria e Financave ka programuar fillimisht të kryejë shlyerjen ndaj punëve publike të papaguara ndaj bizneseve. Miratimi i kësaj kredie i hap rrugën edhe kompanive private dhe të huaja për investime të reja në Shqipëri.
/Shekulli Online/ATA/E.D./


Leave a Reply