
Merreni detin të tërë thashë, jua fal,
po mos më kërkoni kusure e qindarka,
ato që pata, sonte të gjitha i dhashë,
astari u gris e dertet i rrëmbeu nata.
Në shkëmbim po lyp një gotë verë
dhe pak raki në dysheme të derdhur,
një fije shkrepse e të vallëzoj si erë,
mbi flakë të dehet kjo zemër e mardhur.
E di, në këtë çast po qeshni me mua,
oh, po bëjeni, të qesh edhe unë me pahir,
hej maestro, sonte qeras unë kë dua,
veç bjeri violinës çoma shpirtin në delir…
Deri sa të zbardhë është imja tavolina,
paguaj me qefin tim melodinë tuaj,
kamarier, mbushe gotën me petale trëndafilash,
të pi gllënjkën e fundit, që më të mos vuaj…


Leave a Reply