Demë Topalli
PO FJALA NUK ÇILEJ, VDISTE
Një mijë sy kisha çdo natë
Tërë botën e vija në një pikë
Po fjala nuk çilej, vdiste.
Dita më merrte, tri herë më vriste
Në një pikë të vetmuar
Më vriste e hi të gjallë më linte
Aty ku çilej historia.
Një grusht zjarr Herakliti
Këtë botë të vogël le ta shërojë
Se formulë e Platonit çdo gjë rrënoi.
KJO DHOMË PLOT DRITË
Një copë zbrazëtirë sa një yjësi
Mure të shurdhëra guvë e shkretë
Kjo dhomë plot dritë.
Libri i pashkruar fat i lidhur nyjë
Më shpuri një mijë vjet larg
Te një lule e fishkur midis një pylli.
Oh, ç’mister,
Tërë natën copa humnerash
Nxora nga hiri im i gjallë.
Çudi, me një copë dhembje sa toka
Prapë hyra në Pallatin e Shtypit
Në Prishtinë.
(1990)
KU FLE PIKËLLIMI I BOTËS
A mund të kthehem prapë në Lluga
Ku fle pikëllimi i botës
Zjarri dhe uji që shëron?
Lulen që çel në drurin e tharë
Dhe frymën e mbyllur midis një pylli
A mund t’i takoj?
Ajo verë e ikur dhe ajo muzikë e shurdhër
Që vjen si vaj nga zalli i gjallë
Pse më kërkojnë?
Ajo e Kremte e Mbarë
Dhe ai fron i dheut
A do të më tradhtojnë?
(1982)
Derguar nga z. Flori Bruqi


Leave a Reply