•Ngjarja ndodhi pranë Kopshtit Zoologjik pa Shkaktuar të lënduar. Policia: Poshtë mjetit ishin vendosur 200 gr C4
Një shpërthim eksplozivi tronditi ditën e sotme zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Mësohet se një automjet, i cili ishte parkuar pranë Kopshtit Zoologjik, shpërtheu rreth orës 22:00, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë të lënduar.
Nga shpërthimi u raportuan vetëm dëme materiale. Sipas policisë, mësohet se automjeti ishte tip “Opel” me targë italiane, GR 31 97 94.
Policia tha se targat e automjetit nuk figurojnë të regjistruara pranë autoriteteve shqiptare. Nga hetimet paraprake, dyshohet se automjetit i ishte vendosur një sasi prej 200 gr eksploziv të llojit C4. Eksplozivi ishte vendosur në pjesën e përparme të automjetit.
Po kështu, policia mori në pyetje pronarin e mjetit, i cili mendohet se është shtetas italian. Sipas dëshmive, mësohet se automjeti kishte muaj që gjendej i parkuar në atë vend.
Policia rrethoi zonën dhe nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Po kështu, një grup prokurorësh mbërritën në vendngjarje, për t’u njohur me përmasat e shpërthimit.
Policia sekuestroi edhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurive të bizneseve përreth, të cilat do të vendosen në shërbim të prokurorisë për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje.
Gjithsesi, nisur nga këqyrja e vendngjarjes dhe duke qenë se automjeti gjendej i parkuar prej kohësh në atë vend, policia dyshon se vendosja e eksplozivit nuk kishte për qëllim eliminimin fizik të pronarit të tij, por vetëm ta trembte atë. Policia u vu menjëherë në kërkim të autorëve duke ngritur postblloqe në disa rrugë kryesore të kryeqytetit.
/Shekulli Online/E.D./


Leave a Reply