Çiftet që i thonë vërtet lamtumirë njëri-tjetrit pësojnë një traumë të thellë, e cila nuk shërohet edhe nëse njëri prej ish-partnerëve vendos të krijojë një lidhje të re
Trauma e një divorci nuk harrohet lehtë: një ndarje nuk lë vetëm shenjë në nivel psikologjik dhe ekonomik, por sjell me vete edhe shqetësime e probleme fizike, shpesh shumë të rëndësishme. Ky është përfundimi i një studimi amerikan i realizuar nga Universiteti i Çikagos dhe i publikuar në “Journal of health and Socual Behaviour”, nga i cili ka dalë se divorci ka një efekt shkatërrues mbi shëndetin e ish-bashkëshortëve, që nuk rifitohet as kur ia nisin nga e para me një partner të ri.
Studimi
Ashtu siç shpjegon BBC, analiza është kryer në një grup prej 8652 personash me moshë nga 51 deri në 61 vjeç dhe i ka lejuar ekspertët të zbulojnë se “subjektet” me një martesë të dështuar mbi shpinë vuanin më shumë nga sëmundjet kronike (përfshi këtu edhe kancer dhe probleme kardiake) me një mesatare rreth 20 për qind më të lartë se ata që kishin zgjedhur të mos martoheshin asnjëherë. Për më tepër, nëse mendoni se rifillimi i jetës të ndihmon të rimarrësh veten, gaboheni: nga kërkimi ka dalë se përqindja e rrezikut për ata që martohen pas një ndarjeje nuk ulet fare, por zbret në kuotën 12 për qind.
Martesa dhe shëndeti
Sipas shkencëtarëve amerikanë, e vetmja mënyrë për të mos e dëmtuar shëndetin është ajo që të kemi një lidhje të gjatë e të lumtur. Përndryshe, një eksperiencë martesore negative dhe problematike çon në mënyrë të pakthyeshme në çrregullime psikofizike. Për shembull, për shumë vite me radhë studimet kanë treguar se ata që janë beqarë kanë një rrezik më të vogël për t‘u sëmurur në mënyrë serioze dhe si ata edhe personat që kanë fatin të jetojnë për gjithë jetën në krah të njerëzve të duhur. Për gjithë të tjerët këshilla e ekspertëve është: “Të punosh shumë deri sa martesa funksionon dhe ka jetëgjatësi, me kusht që kjo të mos jetë një lidhje shkatërruese”. Christine Northan, përgjegjëse e “Relate”, organizata kryesore britanike që i dedikohet këshillimit për çifte, shpjegon se nëse njerëzit kanë një martesë të lumtur janë më të shëndetshëm. Shumë rrallë kanë probleme me shëndetin dhe vdesin më pak nga sëmundjet e zemrës, sidomos infarkti. Kush zgjedh të martohet për herë të dytë pas një divorci, është e detyrueshme ta zgjedhë me kujdes partnerin dhe t‘u qëndrojë larg njerëzve që në çfarëdolloj mënyre të kujtojnë lidhjen e vjetër. Sipas një studimi të Universitetit të Virxhinias, faktori më i rëndësishëm për “lumturinë martesore” të grave është ai që bashkëshortët të përfshihen në emocionet e tyre dhe kjo është madje edhe më e rëndësishme se sa ndarja e detyrave. Të tjerë kanë studiuar lidhjen mes nivelit hormonal dhe stabilitetit të çifteve. Në Ohajo, një grup çiftesh u studiua për 10 vjet. Te partnerët, që më pas u divorcuan, u vu re një nivel i lartë i hormoneve të lidhura me stresin, si adrenalina. Këto nivele ishin më të dukshme sidomos te gratë. Ato shfaqnin shenja të tensionit të lartë, edhe pse çiftet nuk deklaronin probleme të veçanta. Një kombinim hormonal që jep stabilitet? Sipas kërkuesve të Universitetit të Pen, kjo varet nga testosteroni. Nëse te meshkujt është më i ulët se normat mesatare dhe te femrat është më i lartë, lidhja funksionon. Dhe ajo u ofron mbështetjen e duhur.
Gratë, më të prekura
Specialistët thonë se gratë janë ato që preken më shumë nga sëmundjet e divorcit dhe kryesisht nga dhimbjet e kokës. Kjo dhimbje prek një ndër katër gra dhe një ndër 12 burra dhe për shumë njerëz në botë është një arsye e fortë për t‘u takuar shpesh me neurologun. Kulmin e arrin mes moshës 30-39 vjeç, por pas nuk ngelen edhe fëmijët. Njerëzve që u dhemb koka në mënyrë kronike, ashtu si specialistët, e dinë shumë mirë se këto dhimbje nuk largohen kollaj, nëse për një kohë të gjatë është abuzuar me ilaçe të llojeve të ndryshme për të gjetur qetësi. Aq i madh është numri i atyre që vuajnë, sa në shumë vende të botës mjaft pacientë kanë krijuar edhe shoqatat e tyre, me qëllimin e vetëm për të sensibilizuar njerëzit për një sëmundje që shpesh nënvlerësohet, ose kurohet keq. E në fakt, shifrat janë vërtet alarmante. Dhimbja e rastësishme e kokës prek rreth 8 milionë europianë çdo ditë, ku 3 milionë vuajnë nga ajo e formës kronike, që në pjesën më të madhe të rasteve e kërkojnë shpëtimin tek abuzimi me ilaçe, që ndikon drejtpërdrejt në shndërrimin kronik të problemit. Ndoshta jo rastësisht OBSH-ja e ka renditur dhimbjen e kokës në listën e sëmundjeve që janë të vështira të shërohen. Pacientët në të gjithë Europën, sipas të dhënave të publikuara në “Europian Journal of Neurology”, shpenzojnë më shumë se 27 miliardë euro çdo vit, ku përfshihen ilaçet dhe trajtimet e ndryshme të lidhura me të. Kjo sëmundje prek zakonisht njerëzit që e kanë të trashëguar gjenetikisht, por jo vetëm ata. Stresi, tensioni, mënyrat jo korrekte të të jetuarit, ndryshimet klimatike, ushqime të caktuara, janë faktorë të rrezikshëm, që ndikojnë në shfaqjen e saj. Specialistët këshillojnë se duhet trajtuar mirë që në fillim, për të evituar që krizat të bëhen periodike. Dhimbja e kokës prek 18 për qind të grave, 25 për qind të atyre në moshë pjellore dhe 6-7 për qind të burrave. Mesatarisht vuan 13 për qind e popullsisë së përgjithshme. Rezultatet tregojnë se një e katërta e personave me dhimbje koke kalojnë nga gjendja sporadike në atë kronike, për shkak të abuzimit me ilaçet, sepse terapia e gabuar e favorizon më shumë këtë gjë. “Gratë që e përjetojnë keq divorcin preken më shpesh nga kjo lloj sëmundje. Mesatarisht atyre u dhemb koka rreth 2 ose 3 herë në javë, por nuk përjashtohen rastet kur vuajnë nga dhimbja kronike dhe e përditshme e kokës. Burrat janë në të fortë në këtë aspekt. Ata preken më shumë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe përqindja e vdekjeve nga infarkti te të divorcuarit është më e lartë”, shpjegojnë specialistët. Po ashtu, një tjetër shqetësim përbën edhe tensioni i lartë i gjakut për të dyja palët. Si te burrat ashtu dhe te gratë e divorcuara vihej re një rritje e tensionit të gjakut, që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me stresin e tepërt.
Lajmëtari Shqip



Leave a Reply