
Christiano Ronaldo është fitues i trofeut ‘Topi i Artë 2013’. Portugezi la pas në votim Franc Ribery dhe Lionel Messi.
Ylli i Realit të Madridit bëhet në këtë mënyrë fitues për herë të dytë i trofeut të Topit të Artë, ndërkohë që Lionel Messi e ka fituar 4 herë këtë trofe të rëndësishëm që jepet nga FIFA.
Portugezi e mori trofeun gjatë mbrëmjes gala të ndarjes së çmimeve të organizuar në Zyrih me pjesëmarrjen e personaliteteve të shumta të sportit.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar këtë moment”, tha Ronaldo, pas fitoi Topin e Artë për herë të dytë në karrierën e tij.
“Dua të falenderoj të gjithë shokët e mi tek Realii Madridit, tek përfaqësuesja, familjen time këtu të pranishme. Është një nder i pakrahasueshëm. Falenderoj presidentin, shumë prej personave që më kanë ndihmuar që të mbërrij këtu, të fejuarën time, djalin tim dhe Eusebion që nuk jeton më, por që më ka frymëzuar që në hapat e mi të parë si futbollist. Është një moment shumë emocionues për mua, nuk mund të flas më shumë”, shtoi portugezi.
Në bazë të votave në vend të dytë u rendit Franc Ribery, ndërsa ylli i Barcelonës, Leonel Messi zbret në vend të tretë.
Heynckes, trajneri më i mirë i 2013-s
Jupp Heynckes, njeriu që udhëhoqi Bajernin drejt një triplete historike në sezonin e shkuar, u shpall Trajneri më i Mirë i 2013-s nga FIFA, në një ceremoni të zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Zyrih, Zvicër.
Ndonëse drejtoi Bajernin vetëm në gjysmën e parë të sezonit, për të dalë më pas në pension, udhëheqja e suksesshme e 68-vjeçarit në Champions League, Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë, e lejoi atë që të lërë pas dy rivalët kryesore, trajnerin e Borussias së mposhtur në finalen e “Wembley”, Jurgen Klopp dhe ish-trajnerin e Manchester United, Sir Alex Ferguson.
Në fjalën e tij, Heynckes falenderoi të gjithë stafin që dha kontributin e tij në arritjen e tripletës historike. “Ndihem shumë krenar dhe i prekur nga fakti që ndodhem këtu për të marrë këtë çmim, që do të thotë jashtëzakonisht shumë në fundin e karrierës sime. Megjithatë, ky është një çmim edhe për të gjithë ata persona që punojnë në mënyrë të përditshme për Bajernin, për lojtarët dhe drejtuesit e klubit”, tha Heynckes.
(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply