Festa Kombëtare e Kinës
Me propozimin e Konferencës Konsultative Politike, më 2 dhjetor të vitit 1949 qeveria qendrore miratoi një rezolutë në mbledhjen e 4-të, në të cilën 1 tetori u përcaktua si Dita Kombëtare e Republikës Popullore të Kinës, d.m.th. dita e shënuar kur u shpall Kina e Re u bë festa kombëtare e vendit.
Pas shpalljes së Republikës më 1 tetor të vitit 1949, mënyra e kremtimit të kësaj feste ka ndryshuar disa herë.
Gjatë periudhës fillestare pas krijimit të Kinës së Re (1950-1959), zhvilloheshin çdo vit veprimtari festive madhështore, si dhe parada ushtarake për të festuar Ditën Kombëtare. Por në shtatorin e vitit 1960 Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit morën vendimin të ndryshonin sistemin e festimeve përkatëse për të kursyer burimet ekonomike e materiale, të cilat duheshin për zhvillimin e vendit. Që nga kjo kohë deri në vitin 1970, me rastin e kësaj dite para tribunës së sheshit “Tiananmen” organizoheshin vetëm mitingu dhe parakalimi i masave popullore, por nuk u zhvillua asnjëherë ndonjë paradë ushtarake.
Nga viti 1971 deri në vitin 1983, më 1 tetor në kryeqytetin Pekin zhvilloheshin kremtime të ndryshme në parqe, si dhe veprimtari të tjera për të festuar Ditën Kombëtare, por nuk organizohej parakalimi i masave popullore. Në vitin 1984, me rastin e 35-vjetorit të shpalljes së Republikës, filluan përsëri parada ushtarake dhe parakalimi popullor. Pas kësaj, gjatë mbi dhjetë vjetëve të mëvonshëm, parada dhe parakalimi u ndërprenë vetëm një herë. Ndërsa në vitin 1999, në ditëlindjen e 50-të së Republikës, parada e forcave të armatosura ushtarake, si dhe parakalimi festiv popullor, u organizuan për herë të fundit në shekullin e 20-të.
Pas shpalljes së Kinës së Re, në ceremonitë e kremtimeve të Festës Kombëtare parada ushtarake është organizuar 14 herë: 11 herë nga viti 1949 deri në vitin 1959, në vitin 1984 (35-vjetori), në vitin 1999 (50- vjetori) dhe në vitin 2009 (60-vjetori).
Festa kombëtare është një tipar i krijimit të një shteti-komb modern. Ajo lind dhe bëhet e rëndësishme me shfaqjen e shteteve moderne dhe është simbol i një vendi të pavarur, duke mishëruar sistemin politik dhe formën e qeverisjes së tij.
Kur bëhet një formë e re festimesh me pjesëmarrjen e tërë popullit, dita kombëtare merr funksionin e pasqyrimit të unitetit të vendit dhe kombit. Përveç kësaj, veprimtaritë madhështore në ceremoninë festive tregojnë edhe aftësinë e qeverisë për mobilizimin e popullit. Shfaqja e fuqisë, forcimi i besimit të qytetarëve, pasqyrimi i bashkimit dhe shtimi i aftësisë së ngritjes së popullit në këmbë janë karakteristika të festës kombëtare.
Gjeografia e Kinës

Para disa miliona vjetësh rrafshnalta Qinghai-Tibet u lartësua dhe kjo lëvizje e madhe e kores së rruzullit tokësor formoi relievin e Kinës. Po ta shikosh nga ajri territorin e Kinës, relievi i saj ngjan me shkallët, duke zbritur gradualisht nga perëndimi në lindje.
Me përplasjen e pllakës indiane dhe asaj euroaziatike, ngritja e rrafshnaltës Qinghai-Tibet vazhdoi pandërprerë me një lartësi mesatare mbi 4000 metra mbi nivelin e detit. Kjo rrafshnaltë, që quhet ndryshe edhe “çatia e botës”, përbën shkallën e parë.
Me një lartësi 8844.43 metra mbi nivelin e detit, maja Xhomolungma (Everesti) e vargmaleve të Himalajave në rrafshnaltën Qinghai-Tibet është pika më e lartë e botës.
Ndërsa shkalla e dytë përbëhet nga rrafshnalta e Mongolisë së Brendshme, rrafshnalta e Dheut të Verdhë dhe ajo Yunnan-Guizhou, si edhe ultësirat e Tarimit, Zhungeer-it dhe Sichuan-it, me një lartësi mesatare prej 1000-2000 metrash mbi nivelin e detit.
Zonat e shkallës së tretë, si Daxinanling, Taihangshan, Wushan dhe Xuefengshan, ndodhen në lindje të vargmaleve të shkallës së dytë. Me një lartësi mesatare prej 500-1000 metrash mbi nivelin e detit, nga veriu deri në jug këtu shtrihen fusha verilindore e ajo veriore, fushat e rrjedhës së poshtme e të mesme të lumit Jance etj. Skajet e këtyre fushave pikëzohen nga male të ulëta dhe kodra.
Ndërsa në lindje të këtyre fushave gjenden zonat bregdetare afër shelfit kontinental të Kinës, që përbëjnë edhe shkallën e katërt. Thellësia e ujit këtu është më pak se 200 metra.
Vargmalet Huangshan

Vargmalet Huangshan, në jug të provincës Anhui, përbëhen nga 72 male. Maja më e lartë, Lian Huafeng, ndodhet në një lartësi prej 1873 metrash mbi nivelin e detit. Këto vargmale janë të njohura në botë për “pesë mrekullitë”, që janë përkatësisht pishat dhe gurët në forma të çuditshme, deti i reve, shatërvani i nxehtë dhe dëbora në dimër. Në syrin e kinezëve, vargmalet Huangshan, duke grumbulluar të mirat e maleve të tjera, vlerësohen si malet më të pëlqyera dhe “malet me bukurinë më të çuditshme”.
Në dhjetorin e vitit 1990 vargmalet Huangshan u përfshinë në listën e UNESCO-s si trashëgimi kulturore-natyrore botërore.
albanian.chinese.cn
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply