![]()
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti vitin që po lëmë pas e cilësoi si mjaft të suksesshëm për partinë e tij. Ahmeti tha se BDI arriti fitore rekorde në zgjedhjet lokale ndërkaq si të frytshëm e vlerësoi edhe angazhimin e partisë në politikën e jashtme, i cili siç theksoi ka kontribuar në forcimin akoma më shumë të lidhjeve me aleatët e Maqedonisë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se viti që vjen do të jetë me shumë ngjarje të rëndësishme dhe se ai pret shumë aktivitete me miqtë ndërkombëtar për të ndërmarrë hapa vendimtar që Maqedonia të mos humbasë mundësinë e integrimit në NATO dhe BE.
Ahmeti shprehu faleminderime për qytetarët, sidomos për mërgimtarët që dhanë kontributin e tyre në zgjedhjet e fundit lokale, për fitoren në komunën e Kërçovës të kandidatit shqiptar. Sipas tij, këto zgjedhje për Kërçovën janë historike për shqiptarët. “Ne jemi një subjekt që do të mbijetojë me shekuj dhe se parasegjithash ne kemi miq të mirë me autoritet. Pika kryesore e politikës sonë është ndihma për procesin e evrointegrimeve. Ne nuk bëjmë politika konspirative, por angazhohemi për të arritur qëllimin për të qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së”, deklaroi kryetari i BDI-së.
Ai tha se pa ekonomi dhe vende të reja të punës nuk ka liri dhe paqe dhe politikë stabile.
Ahmeti foli edhe për presidentin koncensual, duke bërë thirrje sërish për një kandidat koncensual për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. (INA)


Leave a Reply