Dosja
Prokuroria zbardh vrasjen e Iglend dhe Nikola Haxhialiut. I akuzuar Eduart Kurti
Sokol Çobo
Sokol Haxhialiu
Iglend Haxhialiu
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur vrasjen e dy vëllezërve Haxhialiu, duke marrë të pandehur një person. Sipas aktakuzës, procedimi penal është regjistruar në datë 1 dhjetor 2012. Nga hetimet rezultoi se, i pandehuri Eduart Kurti është me banim në qytetin e Tiranës. Gjithashtu dhe viktimat, Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu janë me banim në qytetin e Tiranës dhe janë vëllezër me njëri-tjetrin. Kurti kishte pasur njohje të mëparshme me dy vëllezërit.
Hetimet
Më datë 31 gusht 2009, ndërmjet shtetasve Nikola Haxhialiu dhe Eduart Kurtit është përpiluar një deklaratë noteriale nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Nikola i ka marrë shumën prej 60 000 eurosh shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 31 dhjetor 2009. Gjithashtu, me datë 27 dhjetor 2011, ndërmjet shtetasve Iglend Haxhialiu dhe Eduart Kurti është përpiluar një deklaratë noteriale nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Iglend i ka marrë shumën prej 150 000 dollarësh amerikanë, si dhe 6000 euro shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 25.03.2012.
“Duke qenë se nga ana e shtetasve Nikola dhe Iglend Haxhialiu nuk u zbatuan kushtet e përshkruara në dy deklaratat noteriale, ndërmjet tyre dhe të pandehurit Eduart Kurti kanë lindur mosmarrëveshje. Në lidhje me këto mosmarrëveshje janë vënë në dijeni dhe familjarët e shtetasve Iglend Haxhialiu, Nikola Haxhialiu dhe Eduart Kurti. Më datë 01 dhjetor 2012, pasi të tre shtetasit janë takuar me njëri-tjetrin, kanë hipur në automjetin e shtetasit Nikola Haxhialiu dhe kanë qenë duke qarkulluar në bulevardin “Bajram Curri”. Në një moment, i pandehuri Eduart Kurti, me anë të një armë tip pistoletë të cilën e mbante pa leje të organeve kompetente, ka qëlluar mbi shtetasit Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu. Si pasojë e këtyre të shtënave, shtetasit Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu kanë mbetur të vdekur. Pas kryerjes së veprave penale, i pandehuri Eduart Kurti është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit, duke iu fshehur hetimeve”, thuhet në dosjen e akuzës.
Telefonata
Sipas dosjes së akuzës, M.Haxhialiu, i cili është i vëllai i shtetasve Iglend Haxhialiu, Nikola Haxhialiu, jeton si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar. Më datë 1 dhjetor 2012, rreth orës 18:50, ai është telefonuar në numrin telefonik celular të tij nga numri telefonik i shtetasit Iglend Haxhialiu. Gjatë bisedës telefonike, shtetasi Iglend i ka thënë Mirvjenit se ndodhej së bashku me shtetasin Eduart dhe duhet të komunikonte me këtë të fundit në telefon. Ndërmjet tyre ka lindur një debat me fjalë në lidhje me kthimin e vlerës monetare të sipërpërmendur. Më pas, biseda telefonike është ndërprerë. Pas ndërprerjes së bisedës telefonike, shtetasi M.Haxhaliu ka realizuar thirrje të tjera drejt numrit telefonik celular të shtetasit Iglend, por nuk është përgjigjur asnjeri.
Provat
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjendur e sekuestruar 4 copë gëzhoja luftarake të kalibrit 7.65 mm. Gjatë këqyrjes së automjetit, u gjendën katër gëzhoja ngjyrë bronzi, të kalibrit 7.65 mm. Gjatë këqyrjes së trupit të shtetasit Iglend Haxhialiu janë gjendur tri predha metalike. Ndërsa, gjatë këqyrjes së trupit të shtetasit Nikola Haxhialiu është gjendur një predhë metalike.
Në bazë të akt ekspertimit mjekoligjor, datë 10.12.2012, ka rezultuar se mbi dy shtetasit Haxhialiu është qëlluar tri herë me armë zjarri, të cilat kanë sjellë vdekjen e menjëhershme. Bazuar në aktin e ekspertimit balistik dhe tekniko-balistik, ka rezultuar se gëzhojat e gjetura brenda automjetit dhe predhat në trupin e dy viktimave janë qëlluar nga e njëjta armë.
“Në këto kushte, i pandehuri Eduart Kurti, me veprime aktive, me dashje, me anë të armës luftarake, që mbante pa leje të organeve kompetente, ka qëlluar mbi shtetasit Iglend Haxhialiu dhe Nikola Haxhialiu, duke sjellë për pasojë vdekjen e tyre. Për sa më sipër, i pandehuri Eduart Kurti ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale të ‘vrasjes në rrethana të tjera cilësuese’ dhe ‘mbajtje pa leje të armës luftarake’”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.
Gazeta Shqip



Leave a Reply