Jeta moderne shpeshherë i pengon familjet që të ulen të gjithë së bashku në një tryezë në darkë! Nëse nuk hiqni dorë nga kjo lloj jete, keni për të humbur shumë momente lumturie e kënaqësie që vetëm një “tavolinë e shtruar” mund t’i japë…
Çifti që ha bashkë, qëndron bashkë! Kjo mund të duket një frazë e rëndomtë, por në të vërtetë jeta e sotme, me ritmet e saj të çmendura, na bën të izolohemi e të gjejmë pak kohë madje edhe për partnerin/en përveç familjes dhe miqve. Të gjendesh përballë tavolinës së drekave dhe darkave me të gjithë së bashku, të bisedosh, të njohësh ditën e tjetrit është më se normale, por shpesh nuk ndodh kështu. Qëndrimi bashkë për një pjatë me makarona, mish ose me diçka tjetër ndihmon më shumë në forcimin e bashkimit të një çifti dhe të një familjeje! Le të shohim bashkë arsyet:
Ndihmon për t’u “lidhur” më shumë me të tjerët
Është e vështirë për të qenë në harmoni të plotë me partnerin/en nëse nuk takoheni shpesh në tryezë. Një mënyrë e të thëni është: “Një person nuk njihet vërtet, nëse me të nuk konsumoni qoftë edhe një vakt të vetëm, të dy bashkë”. Pra për të qenë sa më pranë njëri-tjetrit, këshilla është që të frekuentoni të njëjtën tavolinë sa më shumë të jetë e mundur, qoftë edhe për ndonjë vakt shumë të shpejtë.
Të bën që të praktikosh mirënjohjen
“Të praktikosh mirënjohjen” sot nuk është më në modë. Por ndërkohë, çdo herë, përpara ngrënies, do të ishte e përshtatshme të thënët faleminderit për diçka. Kjo gjë do t’ju bëjë më pozitiv, ndërsa fëmijët tuaj do të marrin një shembull të mirë! Të qenët bashkë do të thotë të ndani diçka të bukur, qoftë edhe me më pak rëndësi. Së bashku është më mirë se sa vetëm. Pra praktika e të ngrënit së bashku na detyron për të mos harruar zakonin e mirë të shprehjes së mirënjohjes për atë që e siguron ushqimin. (Zakoni i lutjes ndaj Perëndisë përpara fillimit të të ngrënit).
Kontribuon për t’u relaksuar
Pas një dite të gjatë në zyrë, mund të merrni kënaqësinë e thjeshtë që ju fal përgatitja dhe shijimi i një vakti së bashku në mbrëmje. Madje kjo ju ndihmon jo vetëm për t’u relaksuar, por edhe për të fjetur mirë.
Inkurajon konsumin e vetëdijshëm
Një darkë e ngrënë së bashku shërben edhe për të këmbyer opinione rreth cilësisë së ushqimit, gjë e cila ndihmon më pas në përfitime të tjera që lidhen si me vete procesin e tretjes, por edhe përmirësimin e cilësisë.
Tregon dashuri
E ngrëna së bashku, veç të tjerave është edhe një shenjë dashurie. Zakonisht nëse do të gatuajmë vetëm për vete, kjo nuk do të na shtynte për të përgatitur gjëra sa më të mira, ndërsa e ngrëna së bashku është një motiv për më shumë vëmendje dhe kujdes në drejtim të përgatitjes së ushqimit. Dashuria në këtë mënyrë bëhet më evidente.
Është argëtuese, të kënaq
Një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës është ndarja dhe konsumimi i ushqimit të mirë me personin e zemrës. Jeta është tepër e shkurtër për ta humbur këtë kënaqësi! Asnjeri nuk duhet qe t’ia mohojë vetes lumturinë që jep tavolina e ndarë me njeriun apo njerëzit më të afërt.
Gazeta Shqip
Leave a Reply