Me iniciativën dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës, SH.T. Z. Bujar Nishani dhe Zonjës së Parë, Odeta Nishani, u zhvillua në Pallatin e Kongreseve Mbrëmja Gala “Ballo Shqiptare”.
Presidenti Nishani në përshëndetjen e tij me këtë rast u shpreh:
Mirëmbrëma, Zonja dhe Zotërinj,
Faleminderit për prezencën në “Ballon Shqiptare” të fundvitit!
Kjo është e para Ballo e kësaj natyre. Do ta organizojmë çdo fundvit, derisa me kalimin e kohës ta shndërrojmë në traditë.
Pa merak. Nuk do t’ju mbaj fjalim. Fjalimet, edhe ato duhen. Por sonte jemi mbledhur për të kaluar një mbrëmje të këndshme dhe për të bërë dekorimet e vitit, jo për të mbajtur fjalime.
Megjithatë, s’ka pse të mos këmbejmë dy fjalë.
Se Balloja vërtet është relaks, por është edhe kohë reflektimi.
Për gjithçka. Për këmbime idesh nga më të ndryshmet.
Pse jo edhe lidhur me një çështje të veçantë që besoj është në mendjet e të gjithëve dhe për të cilën lus vëmendjen Tuaj.
Ne shqiptarët e sotëm, mes halleve, problemeve dhe punëve të shumta që na i kërkon përditshmëria, sa i përket punëve të mëdha dhe të rëndësishme që kemi përpara, a po bëjmë ato punë që duhen bërë dhe ashtu si duhen bërë, a po bëjmë pra punë të vlefshme, në fund të fundit, a po prodhojmë “Vlera” ?
Komunitetet dhe vendet më të prosperuara, shoqëritë më të zhvilluara, janë ato që bëjnë më tepër punë që mbeten se punë, që edhe pse duhen, megjithatë harrohen, pra ato që prodhojnë më tepër “Vlera”.
Vendet dhe popujt e ndryshëm dallohen nga njëri-tjetri pikërisht nga sasia dhe cilësia e “Vlerave”, si të trashëguara nga e kaluara, dhe të prodhuara në të tashmen.
Sa më tepër “Vlera” të ketë prodhuar një komunitet, një vend apo një popull, aq më tepër ka punuar dhe sakrifikuar në të kaluarën, aq më të shëndetshme e ka të tashmen, aq më i sigurt është për të ardhmen.
Të thuash se; “Vlerë” është gjithçka e bërë në kohën e duhur për një qëllim të mirë, ngaqë në përditshmërinë njerëzore të tilla ka shumë, do ishte pak, do ishte e përciptë, e ndoshta nuk do bënte sens.
Në një gjykim më të thellë, por që megjithatë nuk pretendon të jetë shterues, “Vlerë” mund të konsiderohet çfarëdolloj produkti i cilësdo fushë, nga mendimi tek veprimi, nga perceptimi tek fakti, nga Arti tek Ekonomia, nga industria tek teknologjia, pra një produkt që për ta realizuar është dashur shumë punë, shumë dituri, shumë njohuri, shumë lodhje, dhe që është i tillë që plotëson një nevojë fondamentale njerëzore, që ndihmon thelbësisht në përmirësimin e jetës së njerëzve të komunitetit.
Me fjalë të tjera, “Vlerë” është çdo veprim që u shton njerëzve Lirinë, diçka që, meqenëse duhet dhe shërben, bëhet dhe mbetet.
E vërteta është se, përtej përsiatjeve skeptike, të cilat në rrugën e mundimshme të përparimit edhe ato kanë vendin e vet, ne shqiptarët kemi ditur t’i ruajmë, t’i trashëgojmë dhe zhvillojmë Vlerat që na kanë lënë të parët.
Dhe sigurisht edhe sot prodhojmë vlera njerëzore, morale, qytetare, profesionale, intelektuale, artistike.
Ndërtimi i veprave infrastrukturore me rëndësi utilitare dhe strategjike të vlefshme për të tashmen dhe të ardhmen.
Përmirësimi i sistemit arsimor.
Rritja e nivelit kulturor.
Zhvillimi, mbështetja dhe promovimi i Artit.
Lufta kundër korrupsionit.
Ndëshkimi i veprave kriminale.
Përballimi i sfidave ndërkombëtare.
Përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët.
Janë disa “Vlera”, pra disa punë të qëndrueshme, që po t’i kryejmë edhe me mire akoma, nderohemi dhe përparojmë, po të mos i kryejmë, ose po t’i kryejmë keq, turpërohemi dhe mbetemi në vend, ose ecim mbrapsht.
Vlerat nuk krijohen lehtë.
Vlerat duan mundim të madh për tu krijuar dhe akumuluar.
Vlerat nuk i krijon çdo njeri.
Vlerat i krijojnë njerëzit mendjendezur, llërëpërveshur, fjalëpakë dhe punëshumë.
Njerëz që nuk pyesin për fat të mirë apo fat të keq, por fatin e tyre e bëjnë vetë.
Njerëz që me punën e tyre përbëjnë shembuj për tu ndjekur, ashtu si aq saktë dhe aq bukur e ka sintetizuar Bill Klinton;
“Njerëzit impresionohen më tepër nga forca e shembullit tonë sesa nga shembulli i forcës tone”.
Të tillë njerëz janë edhe ata që do dekorojmë sonte.
Të tillë njerëz do jenë të tjerë që do dekorojmë në të ardhmen. Nga ata që me përkushtimin e tyre, punën e tyre, vetëmohimin e tyre, bëjnë një gjë sa të thjeshtë dhe madhështore, sa të tanishme dhe të pavdekshme; prodhojnë “Vlera”.
Faleminderit!”
Gjatë kësaj veprimtarie Presidenti i Republikës nderoi; zotin Kreshnik Tartari, zotin Fadil Berisha dhe Kolë Idromenon (Pas vdekjes) me dekoratën “Nderi i Kombit”; Panajot Kanaçin (Pas vdekjes), Llazar Morckën (Pas vdekjes), Skënder Jarecin (Pas vdekjes) me titullin “Mjeshtër i Madh”; zotin Reshat Kripa me titullin “Naim Frashëri”.






Leave a Reply