Ish-oligarku “falet” nga Putin, dikur ishte njeriu më i pasur i Rusisë falë naftës dhe gazit
Rusia amnistoi shumë të dënuar për shkaqe politike, përfshirë aktivistët e “Green Peace”, dy anëtare të bandës muzikore “Pussy Riot” dhe një ish-oligark.
Ish-oligarku i naftës ruse, Mikhail Khodorkovski, fluturoi dje drejt Gjermanisë, pak orë pasi u lirua përmes amnistisë nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri të ditur media e Rusisë.
Khodorkovski kërkoi dokumente udhëtimi për të parë nënën e tij të sëmurë që po mjekohet atje, bëri të ditur një agjenci shtetërore ruse e lajmeve, duke cituar zyrtarë të sistemit të burgjeve. Putin firmosi një dekret pak më herët, duke i dhënë amnisti Khodorkovskit në bazë të “parimeve të humanitetit”. Khodorkovski, 50 vjeç, ka qenë në burg që prej një dekade.
Ai dikur drejtonte kompaninë “Yukos”, një gjigant nafte tashmë i falimentuar dhe ishte njeriu më i pasur i Rusisë, por ra shpejt nga pushteti dhe u burgos për evazion fiskal e vjedhje, pasi u kap nga Putin duke financuar partitë e opozitës.
Khodorkosvki la koloninë penale ku po mbahej në Rajonin Karelia në Rusinë veriperëndimore mëngjesin e djeshëm. Agjencia e Shërbimit Penal Federal të Rusisë deklaroi: “Gjatë lirimit, Khodorkovski kërkoi për një pasaportë për udhëtim jashtë vendit. Kërkesa e tij u plotësua. Sapo u lirua nga burgu, ai u largua për në Gjermani, ku nëna e tij po mjekohet. Ne theksojmë se udhëtimi ndodhi me kërkesë të tij dhe se dokumentet e udhëtimit u dhanë me kërkesë të tij personale.”
Ndërkohë, zëdhënësja e Khodorkovskit tha se nuk kishte dijeni mbi vendndodhjen e tij. Falja presidenciale erdhi pasi Parlamenti i Rusisë miratoi një ligj amnistie për së paku 20 mijë të burgosur. Analistët thonë se Putini mund të jetë duke u përpjekur të zbusë kritikat ndërkombëtare në prag të Lojërave Olimpike dimërore në Soki. Lojërat do të zhvillohen në shkurt, por shumë presidentë e kryeministra të huaj kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë, për shkak të një ligji kundër propagandës homoseksuale të vendosur nga Rusia.
Dënimi i tij mbaronte në gusht, por mbështetësit e tij patën frikë se mund të dënohej sërish, siç ka ndodhur edhe më parë. Gazetarët që pritën jashtë Kolonisë Penale nr. 7 në Segezha, pranë kufirit me Finlandën dhe vetë, 300 kilometra në jug të Rrethit Arktik, nuk e panë atë të largohej. Ai pati kaluar vitet e fundit duke punuar në kamp, në një zonë që dikur ishte pjesë e sistemit stalinist të kampeve të punës.
Në sytë e kritikëve në shtëpi dhe jashtë vendit, burgosja e tij ishte një shenjë e keqe për pushtetin e Putinit, 60 vjeç, i cili u zgjodh fillimisht si President më 2000 dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë se mund të kërkojë një mandat të ri gjashtëvjeçar më 2018-n.
Khodorkovski përbën rastin e keqpërdorimit të sistemit gjyqësor nga Kremlini, gjë që ka shkatërruar konceptin e sundimit të ligjit dhe ka shënjuar refuzimin e Putinit për të lejuar disidencën.
Autoritetet thonë se gjykatat janë të pavarura dhe se Putini nuk i ka shtypur kritikët. Lirimi i tij tregon gjithashtu besimin e Putinit se e ka Rusinë nën kontroll të plotë të vendit. Putini nuk do ta lejonte lirimin e Khodorkovskit nëse e shihte atë si kërcënim, komentoi politologu Gleb Pavlovski në Moskë. “Khodorkovski është i burgosur i Putinit”, tha ai. Dhe dy anëtaret e grupit muzikor “Pussy Riot” do të lirohen sipas amnistisë së miratuar nga Parlamenti.
Khodorkovki ka qenë në burg që nga arrestimi i tij në tetor 2003. Kritikët thonë se arrestimi u krye si pjesë e fushatës së Kremlinit për të rimarrë kontrollin e aseteve të naftës dhe gazit të vendit dhe për të paralajmëruar oligarkët e tjerë të mos guxojnë të sfidojnë Presidentin.
Gazeta Shqip



Leave a Reply