
Nga Pëllumb Gorica / Rreth vëllimit me poezi “Zjarr në duart e mia” të poetit Remzi Basha
Një metaforë e guximshme, që i jep krahë një simbolike të fluturojë mbi zjarre dashurie e prushe malli. Kjo është brendia e vëllimit poetik “Zjarr në duart e mia”,të poetit nga Theranda e Kosovës me banim në Suedi, Remzi Basha. A thua se ky poet i talentuar është një Promete i vogël, që ka marrë në duart e tij zjarrin e vjedhur nga perëndia, dhe me të kërkon të ngrohë zemrat e çdo bashkëatdhetari e mërgimtari kudo edhe në Suedinë e largët, që janë lagur e ftohur nga erërat e largimit nga atdheu. Ky zjarr, që poeti mban në duar, nuk është deklaratë për të treguar rezistencën e tij ndaj mallit e arsyes njerëzore, por është flaka që ndez ëndrrat e shpresës e flakadan që ndriçon honet e errëta dhe udhët që duhet të bashkojnë njerëzit. Poeti Remzi Basha ka specifikën e vet në trajtimin poetik të realitetit. Vëllimi me poezi “Zjarr në duart e mia” ka një tematikë të larmishme që rrok gjithçka, e që pulson jetë, por ama malli për atdhe dhe dashuria për githçka njerëzore e tokësore, është fjongoja e kuqe që lidh me finesë e elegancë, si një buqetë lulesh plot aromë të 86 poezitë. Për të dashuria pikon mall e malli ndez dashuri. Ai që në fillim shfaqet pa asnjë ekuivok, duke ngritur në krahë ëngjëjsh dashurinë:
“Ata që nuk dashurojnë
hej, ato janë kriminelë
ata janë fatkëqinj.”
Kjo dashuri për poetin ka dimensione madhore, që përfshin brenda mallin për gurët e këngën e zogut, respektin për babain që “në një sy mban një bjeshkë” dhe intimitetin për vajzën që e do sa “hëna e kaltërsive”, dhe është në këtë dashuri malli për Sllapuzhanin, vendlindjen e tij, Therandën(Suhareka) dhe Kosovën martire të rilindur mrekullish me gjak të derdhur trimërisht e që për të është “nëna dhe historia”. Dhe mallin poeti e mban ndezur në plisin e bardhë:
“Pranë fotografisë së plakur
rri varur këmisha e fëmijërisë
dhe plisi i bardhë
që e solla në Suedi.”
dhe pastaj vargun e “gremis në disa kujtime fëmijërie, që bëjnë të mos u rezistojë dot dhe të nxjerr lot të zjarrtë malli mbi qerpikët:
“Gjunjët e mij,
përherë të gërvishtur
duke vrapuar fushave të Therandës
dhe maleve të fëmijërisë.”
Dashuria për atdheun ngërthen në vetvete të gjitha dashuritë, por ndonëse gjithë të tjerat poeti i përballon me ato cilësi që e ka gatuar perendia e shoqëria dhe këndon:
“Të vdes një mijë herë
e të lind sërish
prapë: të dua!”
Për poetin plaga e largimit nga atdheu rri gjithmonë e hapur dhe pikon gjak e dhembshuri, ndaj as trupin dhe as mendjen sikur nuk i ka më të vetat ndaj i pezmatuar deri në plogështinë e plagëve të hapura shkruan:
“Se plasa i vetmuar
këputur vetmie
as trup,trupi im
në diell s’më bën hije.”
Në poezinë e Remzi Bashës, mungon urrejta. Dhe e qenësishme është se poeti nuk shprehet kundra kësaj vetie të pështirë e të dënueshme të shoqërisë, por e shmang atë, duke plotësuar çdo bashllëk të ndjenjave njerzore me dashuri njerzore. Aty ku ka dashuri me bollëk nuk ka vënd urrejtja. Poezitë e këtij vëllimi, krijojnë relacione të sinqerta me dhimbjen dhe intimitetet njerëzore,me plagët e rënda të Atdheut dhe kujtimet e fëmijërisë i ruan me fanatizëm në shpirtin e tij, ndaj u mungon deklamimi pompoz dhe hipokrit. Malli dhe dashuria, janë dy ndjenja në funksion të lajtmotivit kryesor, Atdheut i cili për poetin herë është ëndërr e zgjuar dhe herë gur i zhuritur me lot, herë është traditë e herë gjithë dritë shkëlqyese, herë plagë dhe herë ngushëllim, e mbi të gjitha e ingranon si përkushtim për të bërë gjithçka për të i plagosur shpirtërisht permes një vello trishtimi.
“Se si digjem
duke vuajtur si gurët
e duke vdekur çdo ditë.”
dhe përfundon:
“Ti më dhe gjuhën e brezave
më dhe sytë e historisë.”
Në mjaft poezi simbolika është aq e fuqishme, aq konçize sa që po të rrish e meditosh mbi të, mund të shkruash faqe të tëra. Autori në vargje i ka gërshetuar të gjitha, fëmijërinë, pleqërinë, mallin e largimit, kujtimet e dikurshme dhe duke i lidhur kujtimet intime me të shkuarën dhe të ardhmen e atdheut dhe popullit që e do shumë ndaj poeti shkruan simbolikisht:
“Se populli im
është krejt i bardhë
përveç gjurmëve të kuqe të gjakut
e plagëve të zeza”
Tek poezitë e Remzi Bashës jetojnë të tria kohët, e kaluara e tashmja dhe e ardhmja. Duke qenë shumë nostalgjik për çdo gjë njerzore që vjen nga e kaluara, ai e jeton poetikisht të tashmen dhe përgatitet shpirtërisht për të ardhmen. Poeti kuvendon shtruar me vendlindjen e tij, me Kosovën dhe ata që ëndërrojnë për të ardhmen. Ai ecën me prushin e ndezur në dorë dhe në zemër, ndjen gjithçka njerzore buzërrugëve, buzëplagëve, buzëvdekjeve, por s’lodhet kurë se pret agimet e shpresës. Poeti dhe jeta janë të lidhur pazgjidhshmërisht, dhe pavdekshmëria i përket njerëzimit, sado që ka ndërprerje të pakëndshme jete, sado që ka vdekje. Të gjitha zymtive poeti u vë kapak dhe epilogu i ëndrrave të tij është ardhshmëria plot dritë, optimizmi jetëdhënës dhe jo pesimizmi vdekjeprurës, ndaj ai shkruan:
“ Prap lindin agimet
plot diell”
Burime : bulevardionline.com/?p=7495


Leave a Reply