Në këtë kohë krize ekonomike duhet të bëni kujdes me memorien tuaj! Një studim i publikuar së fundmi tregon se përjetimi i problemeve ekonomike ka efekte negative në aftësitë njohëse të njerëzve…
Të jetosh një periudhë recesioni si kjo që po kalojmë mund ta bëjë trurin të funksionojë më me ngadaltë dhe mund të provokojë, sidomos te meshkujt, humbje kujtese. Sipas disa studiuesve anglezë, të pushohesh nga puna ose të jesh i/e detyruar të pranosh një punë me rrogë të ulët apo të punosh me kohë të pjesshme rreth moshës 40-vjeçare, do të provokonte rënie të aftësisë së kujtesës në pleqëri. Studimi është publikuar në “Journal of Epidemiology e Community Health”.
Problemet me kujtesën, fjalët dhe aftësitë logjike
Efektet e krizës ekonomike janë të lidhura me rritjen e rrezikut të rënies njohëse që godet kujtesën, rrjedhshmërinë verbale dhe aftësinë matematike. Një studim i disa viteve më parë ka sugjeruar se kushtet e punës mund të ndikojnë në rezervën njohëse të një individi, duke ndikuar në fuqinë e kujtesës në moshë më të avancuar apo në jetën e mëvonshme.
Kërkimi: U ekzaminuan 12.000 persona nga 11 vende të Europës
Studimi ka ekzaminuar faktorë të tillë si shëndeti, punësimi dhe kushtet sociale të 12.000 personave mbi moshën 50 vjeç nga 11 vende të Europës. Rezultatet u lidhën me historitë e detajuara të punës, të mbledhura në vitet 2008-2009, si dhe me të dhënat e luhatjeve të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të njëmbëdhjetë vendeve nga viti 1959 deri më 2003, për të matur thellësinë e krizës ekonomike. Më pas hulumtuesit shqyrtuan ndikimin e mundshëm të recesionit në grupet e moshave 25-34, 35-44 dhe 44-49 vjeç dhe funksionin konjitiv në grupmoshën 50-74 vjeç.
Ndikim negativ edhe te gratë 20-30 vjeç
Analizat treguan se burrat që nuk kishin jetuar momente krize rreth moshës 40-vjeçare dhe që kishin kaluar moshën 50 vjeç rezultonin si më të mirë në aspektin e aftësive njohëse në krahasim me ata të cilët kishin përjetuar faza recesioni apo krize ekonomike. Por ndërkohë, ky impakt negativ tek gratë duket se ndodh më herët, qysh rreth moshës 20-30 vjeç.
Puna ndikon te truri
Mjeku Simon Ridlej (Simon Ridley), drejtori i kërkimeve të “l’Alzheimer Research UK”, ka thënë: “Ky studim sugjeron se puna që bëjnë njerëzit gjatë jetës së tyre mund të ndikojë në aftësinë e tyre njohëse në moshën e tretë. Por është e rëndësishme të theksohet se ky hulumtim nuk na tregoi se recesionet mund të shkaktojnë probleme në kujtesë. Këto rezultate vërtetojnë teorinë se aktiviteti mendor mund t’i ndihmojë njerëzit të ruajnë aftësitë njohëse edhe kur të plaken. Nëse rritet numri i njerëzve, të cilët vuajnë nga çrregullime mendore, investimet në këtë hulumtim janë thelbësore në qoftë se ne duam të gjejmë strategji të reja për të ndihmuar në parandalimin e kësaj sëmundjeje.
Shenjat para të humbjes së kujtesës tek një individ
1-Memoria humbet çdo ditë e më shumë
2-Personi ka probleme gjuhësore (harron fjalët përkatëse dhe përdor të tjera në vend të fjalës së duhur)
3-Pjesën më të madhe të kohës është konfuz
4-Gjërat e reja i mban mend me shumë vështirësi
5-Mund të ketë konfiguracione (nuk di të bëjë llogaritë)
6-Nuk arrin të shkruajë në mënyrë normale
7-Mezi lexon
8-Ka vështirësi në veshjen e rrobave
9-Me kalimin e kohës, pacienti humb interesin në gjërat që e rrethojnë dhe bëhet tërësisht konfuz
10-Mund të ketë dhe halucinacione, probleme me urinimin dhe jashtëqitjen
11-Në fund fare pacienti humb edhe kontrollin e trupit të vet thuajse në çdo aspekt
Gazeta Shqip
Leave a Reply