Njerëzit e filmit, debatet intelektuale që ndihmuan të rrëzohej diktatura komuniste në Shqipëri
Robert Qafzezi
Ishte fundi i vitit 1990 dhe fillimi i ’91-t, viti i ëndrrave të mëdha, i ndryshimeve, viti ku pritej një oksigjen i ri demokratik në të gjithë sensin e fjalës. Në sektorin e filmit vizatimor të Kinostudios “Shqipëria e Re”, sektori me efikas dhe i suksesshëm si brenda vendit ashtu edhe jashtë, punohej akoma me vrull me synimin e arritjeve të reja nëpër festivalet më në zë të botës.
Pasioni
Punohej ditën dhe natën, pa orare, ne jetonim me pasionin tonë, jetonim për pasionin tonë. Në studiot punoheshin me qindra dekore, diskutoheshin skenarë dhe bëheshin me qindra kroki për personazhet, me mijëra vizatime të animuara, të cilat diskutoheshin me pasion e nervozizëm krijues. Ishte krijuar një atmosferë pune e pa imagjinuar në ndonjë sektor tjetër artistik të vendit.
Iniciativat
Nga filmat me kartonë të prerë dhe me teknikën klasike të celofanit ishin hapur të gjitha teknikat e vizatimit të lirë grafik, dhe temat dhe skenarët e filmit ishin pjekur e sofistikuar me një nivel profesional ndërkombëtar, me një tërheqje jo vetëm për fëmijët por edhe atë ideore e filozofik, të cilët nuk dukeshin në ekranet e filmit artistik ku censura ideologjike ishte shume herë më e rënde dhe frymëmarrëse. Nën mbështetjen e drejtuesve të Kinostudios, si Viktor Gjika, drejtorit, dhe Kristaq Dhamo-s, që ishte edhe shefi i redaksisë së filmit artistik dhe skenarëve horizontet tona krijues dhe iniciativat nga me te “çmendurat” gjenin përkrahjen e plotë. Regjisorët që ishin shkolluar jashtë vendit, si Viktor Gjika, Piro Milkani, Gëzim Erebara, Kujtim Çashku apo të tjerë regjisorë të pasionuar si Muharrem Fejzo, Saimir Kumbaro, operatorë të eksperimentuar si Faruk Basha diskutonin me pasion me orë të tëra realizimet tona, hidhnin idera të reja, dhe na përkrahnin me të gjitha energjitë e tyre.
Talentet
Në këtë kohë me iniciativën e Vlash Drubonikut, regjisorit të parë të filmit vizatimor shqiptar ishte hapur edhe një sektor i ri ai i filmave me kukulla, ku piktor e realizues kukullash si Andoni Konomi hodhën hapat e para të suksesshme të këtij filmi të cilat u pasuan nga krijues si Jani Zhonga dhe nga individualitete të talentuara si Stefan Taçi që hapen me guxim dhe talent rrugë të reja shprehëse si ajo e plastelinës së animuar. Fillimi i xhirimit të një filmi të ri ishte një ditë e “shenjtë”, plot tension. Më kujtohet se si transformohej në “vetëtima” humori grotesk spontan i regjisorit të talentuar Bujar Kapexhiu në ditën e parë të xhirimit të filmit të tij dhe figura e stresuar e operatorit Beqir Vaqarri që ishte figura më e dashur, me një qetësi qiellore dhe babaxhane në sektorin tonë. Ishte një kohë tepër eksituese ku ndihej shkatërrimi i një modeli të shoqërisë sonë të asfiksuar dhe pritej një e ardhme ndryshe me një kualitet oksigjeni tjetër por modeli i shoqërisë së re ishte akoma i pa përcaktuar, “flu” si edhe e ardhmja jonë si profesionale ashtu edhe fizike.
Përplasja
E paharruar do të mbetet në kujtesën time edhe mbledhja e famshme bërë në këtë kohë në Kinostudio kur ne kishim kërkuar me insistim ardhjen e Ramiz Alisë për t’u përballur me të për vrasjet që ishin bërë në jug të vendit si edhe protestën që ne i bënim dhunës së qeverisë së kohës që ishte në përpëlitjet e fundit po mund të të merrte akoma jetën.
Ideologu i partisë
I deleguari i Ramiz Alisë, “ideologu” i partisë Foto Çami u surprizua nga pritja që ju bë nga kolektivi krijues, dhe me djerset që i rridhnin çurg humbi edhe kontrollin duke shfryrë: “Ku ta dinte roja e kufirit që ata që po kalonin kufirin nuk ishin armiq, ata nuk e kishin të shkruar në ballë”… E tërë salla uturinte nga britmat e protestës dhe së pari ishin vetë drejtuesit si Kristaq Dhamo që ishte nga të paret komunist që ju vu kundra Foto Çamit, me një guxim surprizues… më pas pasuan Theodor Laço, Kujtim Çashku e plot e plot të tjerë… “Epo prisni sa t’ju bëjmë pasaportat dhe të shkoni të thyeni qafën mbrapa diellit!!!” Ky ishte “urimi” i partisë së punës në atë kohë dalë nga goja e” ideologut” te saj Foto Çami. Paradoksi ishte që unë në atë kohë po realizoja një film që titullohej “Ëndrra që nuk vriten”, e që më pas do të seleksionohesh në shumë festivale të botës dhe në atë më të rëndësishmin e Annecy-së në Francë.
Kasapi i intelektualëve
Dy ditë pas mbledhjes së famshme ku për herë të parë kolektivi krijues i Kinostudios ja përplasi në fytyrë “ideologut” të lartë të Partisë, partia na dërgoi një “rreshter” të partisë po që në atë vit kishte arritur majën si anëtar i Byrosë së PPSH (me biografi “të mirë” me krushqi me familjen e Hysni Kapos), që njihej si “kasapi i intelektualëve”, Xhelil Gjoni, por këtë herë ai kishte ardhur “për të na marrë me të “mirë” dhe me një strategji të “re”. Mbledhja nuk u organizua në sallën e madhe si ajo me Foto Çamin ku nuk mund ta kontrolloje, përballoje dot revoltën, strategjia kishte ndryshuar, duke vendosur mbledhje nëpër salla të vogla, së pari me regjisorët e pastaj me të tjerët.
Debati me Piro Milkanin e Rikard Ljarjen
Xhelil Gjoni hyri në sallën e vogël intime me buzën në gaz, me xhaketën në dorë dhe shumë i “lirshëm” e i dekontraktuar hodhi xhaketën në mbështetësen e karriges së podiumit të mirë ndriçuar, dhe e filloi me të qeshur “ç’farë i bëte shokut Foto ashtu hahahahah…! E vutë përpara hahahahah!!!” Në fakt e qeshura e tij ishte tepër e shtirur, dhe” loja” e tij ishte prej një “aktori” të dobët të cilit i kishin dhënë një rol tepër të vështirë. Sytë e tij shkëlqenin nën refleksin e ndriçuesve të podiumit dhe shprehja e fytyrës kishte marrë pamjen e një “tigri vegjetarian”. -Hë mo Rikard ku je ? (ishte fjala për aktorin Rikard Larja) duke drejtuar gishtin nga salla e vogël e ndriçuar dobët. -Hë mo Piro?! Po flisni mo… (ishte fjala për regjisorin Piro Milkanin) Rikard Larja ishte zhytur i tëri në ndenjësen dhe pothuaj nuk dukej fare. Më në fund Rikardi ngriti një gisht të dorës duke thënë “këtu jam shoku Xhelil, po nuk kam çfarë të them më… ja thamë Fotos ato që kishim për të thënë…” (Diktatura të “kafshonte” akoma, ajo nuk kishte humbur, ishte bërë më agresive, si një bishë e plagosur). Po hë mo Piro fol… (gjithmonë duke mbajtur buzëqeshjen e parë të sforcuar) – Po shoku Xhelil;.. tha Piro Milkani duke u çuar me përtesë… – çfarë të them… ato që kishin për t’u thënë u thanë në mbledhjen me shokun Foto…” -Po ato të Fotos i dimë që e vutë përpara hahaha (me ton shumë shoqëror) -Po ja ju me çfarë keni ardhur sot këtu shoku Xhelil, apo më mirë të themi që keni ardhur me një makinë luksoze… ne kemi ardhur me autobusin urban… Fytyra e “rreshterit” Xhelil ngriu, nuk e priste nga Piro Milkani këtë fillim diskutimi, këtë formë hendeku… ai e dinte krushqinë e Milkanit që shkonte deri në “derën e lartë” të Ramiz Alisë… – Jeta jone vazhdon e “pjerrtë”… vazhdoi Piro, – ndërsa e juaja qëndron drejt… (Piro Milkani shquhej për një formë të holle të ironisë, po që në rastin konkret ishte me shumë rrezik). Mbledhja u mbyll ftohtë me gjithë shikimet “vegjetariane” të Xhelilit që shumë “shoqërisht” u shoqërua nga disa deri tek dera e veturës së errët që qëndronte e ndezur tek dera kryesore e Kinostudios. Në errësirën e korridoreve të Kinostudios atë natë ndiheshin pëshpërima që Ramizi do ta “zbusë”, do të bëhet më mirë… në një kuptim tjetër “tigri” kishte vendosur të dukej “vegjetarian” si pas një skenari tepër të studiuar.
Demokracia mbetej një pikëpyetje e madhe … një ëndërr…
Në Paris kur mbërrita të gjitha metrotë ishin mbushur me fotografitë “gjigante” të “Benetton-it” në të cilat ishin fiksuar momentet tragjike ku bashkë-atdhetarët e mi, shokët, miqtë vareshin nëpër direket e anijeve për të lënë vendin drejt Italisë, imazhet tragjike prej “skllevërish mesjetar “më bënin t’i mbaja sytë poshtë dhe të shtrëngoja nofullat fort për të penguar lotët. E gjithë ajo gjendje emocionale e errët që kisha nga brenda, më shërbeu, bëri të hidhja në letër skenarin e filmit “Dielli i zi” në të cilin shtjellohej ideja e lirisë gjatë diktaturës e dhënë në raportin e xhelatit me viktimën, ku viktima i kërkon ndihme xhelatit për t’i këputur prangat, si përgjigje ai nuk i këput prangat po i pret të dyja duart e prangosua viktimës, duke e lënë të lirë me duart të prera… Në tarracën e një restoranti të vogël afër një dyqani lulesh pranë pjacës “Chatelet “ku po hanim dreke me Jean Luc Xiberras-in, i cili ndiqte me plot kureshtje profesionale rrëfimin tim të “Diellit te zi”… –“Bëje sonte story- boordin” më tha me sytë që i shkëlqenin, se nesër duhet dorëzuar dosja në konkursin internacional të organizuar nga TV La Sept (ARTE) në Paris”. E gdhiva atë natë në dhomën mikroskopike të Hotel Dupleix-it të rrugës Lourmel, duke punuar me materialet qe me kishte blerë miku Xiberras, isha në një gjendje të mjeruar financiare, po me moral të çeliktë. Filmi fitoi një financim tepër të madh dhe punova për ta realizuar në studion me tradita të animacionit ideor francez “AAA”, me producentë Marcelle Ponti, ku u bëra mik me dy regjisorët me famë internacionale të filmit të animuar filozofik si Jacques Rouxel dhe Pioter Kamler, me të cilët ndanim jo vetëm kënaqësitë profesionale po edhe ato të diskutimeve filozofike e sociale për rëndësinë primordiale që zë liria në ekzistencën e individit, ku liria nuk mund të jetë veçse e gjitha.
Përpjekjet e fundit
Filmi “Dielli i zi” u shfaq si premiere në sallën prestigjioze të Cinematekes Eustache në Paris les Halles,u seleksionua në festivalin e Annecy-se te vitit 93, në Festivalin Internacinal te Clemont – Ferran-it në Francë të ‘93, në Festivalin Internacional të Hiroshimës në Japoni në 1994 si edhe në USA. Jean Luc Xiberras, u kthye disa herë të tjera në Tiranë, për të gjetur mundësinë që sektori i filmit vizatimor shqiptar të mos “vdiste”dhe u mundua për të bërë “ura” me studiot franceze, por ishte së pari e pa mundur nga hemorragjia e kuadrove që ishte shtuar, si dhe morali që shkonte drejt zeros, nga destabilizimi politik, mungesa e vizioneve te reja te prodhimit te filmit, si edhe nga egoizmi, grykësia, moskuptimi i disa individëve mediokër qe kishin mbetur në vend në ato kohë të zymta. Jean Luc Xiberras kjo figure mitike e filmit të animuar botëror, u përzije me fatin tonë, na vlerësoji, na hapi rrugët e festivaleve botërore, na kuptoji e përkrahu në punën tonë por fatkeqësisht nuk arriti ta shpëtoji filmin vizatimor shqiptar që në kulmin e suksesit ra në agoninë e vdekjes. Ai është ndare nga jeta prej vitesh, dhe sot emri i tij është shndërruar në “palmares JEAN LUC XIBERRAS” të Festivalit Internacional të Filmit të animuar të Annecy-se ne France, festival që ai e krijoi me shumë pasion dhe e ngriti në majën e profesionit…
Shekulli


Leave a Reply