Presidenti Barak Obama ka anuluar udhëtimin në Azi si rezultat i mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane. Shtëpia e Bardhë njoftoi mbrëmë se presidenti mori vendimin për të anuluar vizitën në Indonezi dhe Brunai, si rezultat i problemeve që lindin me udhëtimet jashtë vendit në një kohë kur vazhdon mbyllja e qeverisë. Presidenti synon të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar presionin ndaj republikanëve që të lejojnë hedhjen në votë të projekt-ligjit për financimin e qeverisë.
Shtëpia e Bardhë tha se Sekretari i Shtetit John Kerry do të udhëheqë delegacionet në të dy vendet, si dhe në Malejzi dhe në Filipine.
Më parë dje Presidenti tha se i kishte kërkuar kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner të ndalë atë që e cilësoi si farsë dhe të lejojë hedhjen në votë të projekt-ligjit për shpenzimet në mënyrë që të rihapet qeveria amerikane.
Ndërkohë që mbyllja e pjesshme hyn sot në ditën e katërt, zoti Obama akuzoi kryetarin Boehner se po përpiqet të përmbushë kërkesat e një grupi të vogël republikanësh të ekstremit konservator, që duan anulimin e programit për kujdesin shëndetësor.
Ai tha se ligjvënësit nuk mund të kërkojnë shpërblim në shkëmbim të miratimit të ligjit për funksionimin e qeverisë dhe se populli amerikan nuk është gur shahu në një lojë politike.
Presidenti tha se një ligj i pastër për financimin e qeverisë, pa projekt-ligje të tjera të bashkangjitura, do të merrte votën e miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Por i takon zotit John Boehner si kryetar i Dhomës të vendosë se çfarë do të hedhë në votë.
Zoti Boehner tha se Presidenti Obama nuk pranon të negociojë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve tha se e vetmja gjë që ka kërkuar është një diskutim lidhur me programin mbi kujdesin shëndetësor si dhe drejtësi për popullin amerikan.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply