
Nga Gilman Bakalli
E kam bërë zakon që, kur dëgjoj politikanët shqiptarë tek flasin nëpër konferenca shtypi, t’ia ul zërin televizorit. I kam mësuar përmendsh frazat e tyre boshe dhe fokusohem tek aspekti joverbal i mesazhit. Çfarë thonë duart që lëvizin jo përherë në sintoni me fjalët, çfarë shprehin sytë që lëvizin me shpejtësi apo fiksohen në boshllëk? Ndërsa një ditë, nuk pashë as duart e as sytë, vështrimi im u ngul tek barku. Barku? Po, po, barku! Harrojini fjalët, harrojini duart, sytë dhe kokën, lini gjithçka tjetër në fjalimet e disa politikanëve shqiptarë, por mos anashkaloni barkun e tyre impozant, i cili flet me një gjuhë më të qartë dhe të patjetërsueshme. Para barkut të këtyre politikanëve, fjalët zvetënohen, janë memece dhe të pavlera! Fjalët mund t’i manipulosh, por jo barkun elokuent që flet me gjuhën e vet të pathyeshme.

Çfarë na thotë, pra, barku i pamanipulueshëm?
Elias Canetti, teksa shkruan në librin e tij “Masa dhe pushteti” për hamësit e mëdhenj (Meistesser), shprehet se ka grupe njerëzish, të cilët tek këto hamës shohin prijësin e tyre. Barku i tyre i mbushur cep më cep, u jep atyre garancinë se rreziku për të vuajtur apo vdekur nga uria ka kaluar. I gëzohen aq fort barkut të madh e të mbushur të prijësit, a thua se ky e ka mbushur barkun edhe për ta. Këtu shfaqet qartë raporti midis pushtetit dhe procesit të tretjes.
Në bibliografinë e po këtij libri, Canetti përmend një etnolog me emrin H.A. Junod. Junod, duke iu referuar fisit Bantu, përshkruan aktivitetin e prijësit të këtij fisi, aktivitet që konsiston kryesisht në konsumimin e sasive kolosale ushqimore. E njëjta fjalë “fouma” në gjuhën e këtij fisi shenjon dy folje: “sundoj” dhe “ha”. Detyrimet e anëtarëve të fisit Bantu ndaj prijësit shlyhen përmes ushqimesh, që mbreti i konsumon me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Rituali i të ushqyerit të prijësit forcon identitetin dhe bashkon anëtarët e fisit.
Ashtu si në rrathët e trungut të një peme mund të lexosh jo vetëm moshën e pemës, por edhe cilësinë e viteve të kaluara nga vetë pema, ashtu edhe palat e dhjamit në barkun në rritje të prijësit informojnë banorët e fisit në lidhje me mirëqenien aktuale dhe të ardhshme të bashkësisë së tyre. Barku i dhjamosur i kryetarit u transmeton atyre siguri në një botë, ku burimet ushqimore rrallohen gjithnjë e më tepër; anasjelltas humbja e peshës, rënia e barkut të kryetarit do t’u sinjalizonte banorëve krizë dhe rrezik. Për këtë arsye, mbretit i duhet të rrasë në barkun e tij sasi kolosale ushqimesh. Në këtë ritual ai përfaqëson gjithë anëtarët e fisit. Po të mos hante, mbreti do të kryente mëkatin më të madh kundër moralit të fisit.
Në realitetin transparent të fisit Bantu, foljeve “sundoj” dhe “ha” u qëndrojnë përballë të kundërtat e tyre, foljet “sundohem” dhe “paguaj detyrimin”. Edhe për këtë, gjuha bantu ka një fjalë të vetme: “louba”, që shpreh njëkohësisht vasalin dhe taksapaguesin. Asnjëherë nuk bën vaki që mbreti ta kollofisë të gjithë detyrimin që i dorëzojnë vasalët. Taksën në formë ushqimore, prijësi nuk e konsumon asnjëherë i vetëm dhe nuk e ndan asnjëherë vetëm me shpurën e tij besnike, njerëzit e aparatit shtetëror, si me thënë. Një pjesë e madhe e ushqimeve i kthehet edhe një herë mbrapsht taksapaguesve, tek mbështetja e të cilëve mbreti bazon ekzistencën e tij. Bujaria, zemërgjerësia e prijësit është premisa për ta ruajtur pushtetin. Procesi i marrjes, grumbullimit, ruajtjes dhe shpërndarjes është një proces kryesisht politik dhe me kosto të lartë.

Shihni politikanët shqiptarë dhe mos ia vini veshin fjalëve që thonë. Përqendrohuni ekskluzivisht tek barku i tyre. Një bark që flet vetë. Flet për mirëqenie. Një mirëqenie thjesht personale. Flet ekskluzivisht për marrje. Jo për shpërndarje. Na vjen keq, zotërinj politikanë, por ky bark nuk ka vend në politikën ku qytetari është i pari. Në fisin Bantu jo që jo!
Shije.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply