
Nga Kozeta Zylo
Kemi lindur për të jetuar mbi tokë apo dhe nën tokë për disa kohë, kjo varet nga profesioni, por ka dhe raste gjatë jetës për ne të zakonshmit kur mund të kalosh disa ditë dhe net duke fjetur mbi oqean, atëhere ndjen një rizgjim dhe i shpëton letargjisë. Në këtë rast thjesht shpreh ndjesine time, dhe jo vetëm kaq. Dëshira e bashkëshortit tim për një udhëtim me anijen norvegjeze meqënse ushtron profesionin e tij për vite pranë një kompanie me të njejtin emër dhe është i apasionuar pas kulturës së tyre, të cilët janë dalluar qysh në lashtësi për udhëtimet e tyre dhe eksplorimin nëpërmjet deteve dhe oqeaneve që i kanë bërë botës na e bëri dhe më të këndshëm pushimin gjatë verës. Anija ose Cruise të bën të ndihesh pak si në komunitet edhe pse shumicën përfshirëse të pushuesve s’mund t’i kesh takuar kurrë, janë aktivitetet ato që e gjallërojnë jetën atje dhe të duket si një bashkësi. E meqënse jemi tek anija norvegjeze, medoemos më vjen ndërmend thënia e Henrik Ibsen dramaturgu i shquar norvegjez i cili thotë se: “Një komunitet është si një anije; gjithëkush duhet të jetë i përgatitur per të marrë timonin.” Në thënien e tij përjetova vetëm pjesën e parë, komunitetin, se timonin e kishin të tjerët. Këto lloj pushimesh sidomos kur shkel vende të panjohura më parë, më zgjojnë një kërshëri të çuditshme për historinë e tyre, sidomos kur popujt e kanë ndërtuar me aq mund e sakrifica, apo kur e kanë ruajtur me gjak gjuhën e lashtë, si psh vendi ynë i shtrenjtë Shqipëria. Popujt afrohen shumë me njeri tjetrin sidomos nga mikpritja, dashuria që të falin dhe gjithçka që ata mund të kenë në dorë për të ndihmuar, krejt e kundërta ndodh me qeveritë. Duke udhëtuar mbi oqean, të krijohet ndjesia se je shumë pranë qiellit, diellit, nga se qielli, dielli dhe uji vjen një moment dhe përqafohen fort së bashku, dhe ti si pushuese befasohesh ose shtrin krahët dhe prek bukurinë e tyre mahnitëse, në një qetësi perfekte. Dhe mund të bisedosh, të këndosh deri në kupë të qiellit dhe t’i shikon se të tre janë ulur këmbëkryq me ty duke të dëgjuar me vëmendje, ndërkohë ndjen se ke gjetur medicinën e shpirtit dhe Dielli të ka ndryshuar ngjyrën.

Hijet i ke lënë mbrapa nga shkëlqimi i Diellit dhe siç thotë Walt Whitman: “Mbaje fytyrën përballë shkëlqimit të Diellit dhe Hijet do të rrëzohen pas jush”.
Mbrëmjet ishin me aktivitete nga me të larmishmet, por ne preferonim shfaqjet në Teatrin “Star Dust”, më shumë e përmend këtë se nuk ka skena ku ngjiten artistë të ndryshëm nga bota ku të mos mendosh dhe për artistët shqiptarë, të cilët kanë bërë emër në shumë vende të botës. Sidoqoftë në një nga shfafqjet me shumë sukses ishte dhe interpretimi i valleve greke nga një grup amerikanë të rinjsh të talentuar, ku salla shpërtheu në duartrokitje. Menjëherë bashkëshorti im më shtyu me bërryl dhe më tha ngadalë: “në se salla po duartroket për ta, për shqiptarët do të ishin çuar në këmbë për harmoninë e lëvizjeve, ngjyrat e larmishme të kostumeve, jehonën e zërit të tyre, mirpo ku janë”? Qeveritë shqiptare, drejtoritë e artit dhe të kulturës, shoqatat e ndryshme në Diasporë duhet të kenë një bashkërendim dhe strategji në perspektivë, pasi në këto vende të dukshme publike vijnë mbi 1200 pushues për çdo javë dhe zëri i Shqipërisë, kultura e saj e lashtë mësohet dhe më shumë. Gjatë ditëve ne u takuam me drejtuesit e administratës, ku ajo që na befasoi më shumë ishte se pas Kapitenit të Anijes, drejtuesi kryesor dhe i parë i saj në atë administratë, njeriu i dytë në drejtim ishte një ish ushtarak nga Kroacia. Kur ne e pyetëm në se kishte të punësuar ndonjë shqiptar, ai na tha se kishte 20 vjet që po punonte, por nuk kishte takuar ndonjë shqiptar deri tani. Kroati e njihte mirë historinë e Shqipërisë, por mbi të gjitha ishte i mrekulluar me bregdetin shqiptar. U ndjemë mirë që e takuam, pasi na dukej shumë më afër Shqipërisë sonë. Një shfaqje tepër e suksesshme ishte dhe me xhonglerin e famshëm botëror z.Charles Peachock, për të cilin salla nuk pushonte nga duatrokitjet, jo vetëm nga itnerpretimi i tij, por dhe nga komunikimi me publikun plot humor. Në vidion një dokumentar i shkurtër që u dha pas shfaqjes së tij, një moment interesant ishte kur ai kishte konkuruar në nga shfaqjet më popullore që shikohet nga miliona shikues, “America got talent”, ish gjyqtari Piers Morgan sot gazetari i shquar i CNN it i mahnitur tha se nuk kishte parë djalë më të talentuar në këtë fushë sa Charlsi. Ndërsa salla ushtonte nga duartrokitjet, lëkundjet e anijes mbi oqean bëheshin dhe më pak të ndjeshme.
Pas shfaqjes na ftoi për ta takuar. Sa thjesht dhe bukur përshëndeti para kamerave nga TV Alba Life për shqiptarët kudo ku janë, çka tregon cilësinë e kësaj rrace.
Cocoa Beach dhe Great Stirrup Cay
Para se të shkonim në Bahamas një pushim i bukur ishte dhe në plazhin Cocoa në Florida , një qytet me 12 mijë e 631 banorë. Në këtë qytet tepër të vizituar ndalojnë turistë përreth 2.4 milionë në vit. Eshtë i populluar më së shumti nga pensionistë të punësuar dikur në hapësirën e anijes kozmike që ndodhet shumë pranë këtij qyteti.
Eshtë midis oqeanit Atlantik dhe lumit Banana. Cocoa Beach vazhdon të ndërlidhë epokën e vjetër të hapësirës me epokën moderne.
Pemët plot fruta me cocoa e bënin dhe më interesante qytetin nga kishte marrë dhe emrin.
Një ndalim tjetër ishte dhe në ishullin e vogël Great Stirrup Cay, i cili është pjesë e ishujve Berry në Bahamas . Pronarët e anijes norvegjeze kanë rënë në marrëveshje me kompaninë Belcher të naftës në vitin 1972 dhe e përdorin privatisht për pasagjeret e anijes së vet. Ishulli pothuajse ishte i rrethuar me shkëmbinj dhe gurë të vegjël dhe në pjesën jugore ndodheshin mbetjet e një helikopteri ku lexohej International Airport . Pranë dukej një Llamapadar, i cili ishte ndërtuar fillimisht në vitin 1863. Ndonëse këto ishuj i viziton shumë rralle në jetë, ato të ngelen në kujtesë dhe të ftojnë përsëri e përsëri për t’u rikthyer atje, në Cocoa Beach dhe Great Stirrup Cay.
Parajsa që të fal dashuri, diell dhe det blu
Pasi ndalojmë në vendin e shumëpritur Bahamas , pikërisht në Nassau në kryeqytetin e tij, siç bëhet zakonisht nga turistët u nisëm për të parë këtë vend plot histori dhe kulturë. Sa zbrisje në tokë ndjeje ngrohtësinë dhe mirësjelljen e njerëzve që të rrethonin, bashkë me flladin dhe erën e jodit. Ciceronja një grua simpatike amerikane me ngjyrë na tregonte gjatë rrugës për të gjitha vendet ku na çonte makina që e drejtonte ajo. Ja tha ajo po të shikoni majtas është pallati madhështor “Atlantis” ndërtuar nga bilionieri Trump, ku inagurimin e parë në hotel e ka bërë legjenda e rrokut Michael Xhekson dhe më vonë Oprah Winfrey, ndër gratë më të pasura në botë. Vetëm një natë kushton 25 mijë dollarë, është hoteli më i shtrenjtë në botë vazhdoi ajo. Në punë sekondash në mendje të vijnë gjithëfarë formash, figurash dhe aspak nuk të pëlqen ky lluks i shfrenuar që për mua përbënte një lajm tepër të trishtë. Emrin Atlantis është përmendur më parë nga Platoni shkruar në vitin 360 para Krishtit. Atlantida ishte një fuqi detare e shtrirë në të gjitha shtyllat e Herkulit dhe ishte bërë legjendë për shumë studjues, shkrimtarë, etj. Është një mister, akoma nuk janë gjendur rrënojat e qytetit Atlantis për të cilën thonë se është mbytur krejtësisht në det. Ndërtesat e Hotelit Atlantis janë të lidhura me urë dhe kanë një arkitekturë të përsosur. Në hyrje të njerës prej tyre përballesh me skulpturën e qelqtë, ose porta e qelqtë para se të hysh në kazino, ku për të luajtur s’jemi aspak të interesuar. Skulptura është e ndërtuar nga Dala Chihuly. Duke hyrë në brendësi shikoje një skulpturë në tavan që quhej Tempulli i Diellit.
Ndërtesat Atlantis zyrtarisht janë hapur në vitin 1998.
Sidoqoftë vazhdojmë më tej dhe ndalojmë për një pije freskuese, në një vend të bukur pranë ishujve dhe plazheve tepër joshëse. Një pije karakteristike ishte qumështi i frutit coconat, ku me të drejtë e quanin mbretin e pijes së qiellit. Bahammas ka qenë vendi ku ka zbarkuar Kolombos në Botën e re në vitin 1492. Ndërsa këta ishuj kanë qenë ndën fuqinë e Spanjës për gati dy shekuj nga viti 1400 deri në vitin 1600.
Bahamas rrethohet nga 700 ishuj të vegjël dhe ka qenë e kolonizuar nga Anglia . Pas fitores së pavarësisë amerikane mijëra amerikanë skllavëruan afrikanët dhe u vendosën në Bahamas . Skllavëria në Bahamas u shfuqizua në vitin 1834. Pas shumë përpjekjesh, vështirësish dhe mundimesh të gjata Bahamas fitoi Pavarësinë në vitin 1973 dhe këtë vit feston 40 vjetorin e Pavarësisë së saj. Ajo ishte nën kolonizimin anglez që prej vitit 1783.
Bahamas rrjedh nga spanjisht: Baja ujë i cekët ose det i cekët. Një vend që di të zhvillojë turizmin në mënyrë të përkryer dhe siguron fuqinë punëtore me të ardhura. Qeveria vazhdoi ciceronja ka ndërmarrë një sërë reformash, stimujsh rreth zhvillimit të turizmit dhe është nga më konkurrueset në botë. Nuk ka taksa. Policët që shikoni në rrugë janë të paarmatosur, gazi i makinave është i shtrenjtë, ndërsa rum, një pije karakteristike alkoholike e dashur është e lirë, ku dhe mund të ketë shumë të pirë për shkak të çmimit të lirë të rumit. Në Bahamas shumë banka botërore bëjnë transferime parash dhe kudo shikoje banka me emra nga shtete të ndryshme të botës.
Shumica e popullsise janë afrikano-bahamas 90 përqind dhe 5 përqind janë të bardhë. Afrikanët e parë erdhën nga Bermuda si skllevër për të kërkuar një jete më të mirë. Por edhe pse ka 40 vjet që ka fituar Pavarësinë akoma ndihet ndikimi i të bardhëve anglezë në vendet kyçe të saj.
Në këtë udhëtim si në shfaqjet e ndryshme në teatër dhe brenda kryeqytetit të Bahamas nuk na u ndanë grekët. Në rrugën karakteristike kryesore ku ishin plot dyqane të vjetra tregtare me mallra dhe firma nga më të shtrenjtat deri më të lirat u përballëm dhe me dyqanin me emrin “Kafe greke. Kurioziteti më shtyu për të parë më shumë rreth tyre, por njëkohësisht pse jo dhe duhet të kuptojmë se sa me fanatizëm e ruajnë kulturën dhe traditën e tyre. Edhe pse kanë ardhur në Bahamas në vitin 1900 ata vazhdojnë po me të njejtin temp dhe krenari për vendin e të parëve të tyre. Ata janë në minorancë, shumë shumë pak, por zëri i tyre ndihet thellë atje.
Në këtë shtet veprojne disa banda të famshme artistike, por më e njohura në botë është Junkanoo, që merr pjesë në parada të ndryshme nacionale dhe në të gjitha festat tradicionale deri në Ditën e Emancipimit.
Mjaft shkrimtarë si Susan Wallace, Percival Miller etj janë frymëzuar nga bukuritë magjike që të afron natyra e mrekullueshme e Bahamas me tema të ndryshme, si nostalgjia për rrugët e vjetra, identiteti, kuptimi i ndryshimit etj.
Në vitin 2009 është zhvilluar Miss Universi dhe një sërë aktivitetesh të tjera botërore.
Kryeqyteti i Bahamas Nasau edhe pse ishte djegur nga spanjollët në vitin 1684 arriti të rindërtohej dhe përsëri të përballonte një sërë betejash të ndryshme nga piratët dhe vende të ndryshme. Shumë interesante ishin dhe kështjellat, dhe një prej tyre ishte kështjella Fort Charlotte kështjellë që ishte mbikqyrur nga Dunmore i cili e kishte qeverisur nga viti 1787 deri në vitin 1796. Kështjella kishte formën e anijes dhe kontrollonte qytetin nga pushtimet e huaja.
Në këtë qytet është dhe një pllakatë në nderim të ish presidentit Kenedy i cili e kishte vizituar Bahaman në vitin 1962 dhe kishin formuar organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATOS) forcës bërthamore ku u mbyll me një traktat të perbashket me qeverinë e Londrës për t’i përdorur raketat vetëm për mbrojtjen ndërkombëtare të vendeve të NATOS.
Lulja, simboli kombëtar për ta është lulja e verdhë elder, nje lule që rrite në diell të plotë për gjithë ditën dhe me petale të gjera të bukura.
Skulptura të ndryshme plot histori e rrethonin kryeqytetin Bahamas . Ajo që më tërhoqi më shumë ishte një skulpturë vendosur në një lulishte të bukur kushtuar punës së grave dhe rritjes së fëmijëve të tyre me aq perkushtim çka flet për një civilizim të tyre. Duke vazhduar udhëtimin në të majtë të rrugës kryesore na tregoi dhe gjykatën e lartë, si dhe për rastin e shumëpërfolur të aktorit të famshëm John Travolta në lidhje me vdekjen e papritur të djalit të tij 16 vjeçar, i cili vuante nga autizmi. Në atë kohë aktorët ishin me pushime në Bahamas .
Duke bërë udhëtimin tonë rreth kryeqytetit Nasau krahas shtëpive dhe lagjeve tepër lluksose kishte dhe lagje shumë të varfëra, me shtëpi të rrënuara, të shkatërruara, njerëz të lodhur. Ciceronja na përgatiti se tani do të shikoni një lagje të varfër, ju mund të bëni fotografi tha ajo nuk ka asnjë problem për mua. Në kësi rastesh janë ca ndjesi të kundërta që nuk ke se si mos të përballohesh me dhimbjen dhe kontrastet e fuqishme pamore që rrëmben syri instiktivisht, por ndërkohë sepse të duken më të pasur se përralloret që vizituam më parë, çka të kujton Shekspirin i cili thotë se:
“Të varfërit dhe përmbajtja e tyre është e pasur, një pasuri e mjaftueshme”.
Pasi lemë lagjen e të varfërve shikojmë një sërë plazhesh tmerrësisht të bukura të krijuara nga nëna natyrë. Me të drejtë ciceronja fliste plot krenari për Bahaman duke i treguar mjeshtërisht dhe plot pasion historinë e këtij shteti. Edhe pse e lindur dhe rritur në Amerikë, ajo kishte më shumë se dy dekada që po punonte me kënaqësi aty dhe herë pas here rifreskonte liçensën në kolegjin për turizmin që ndodhej në kryeqytet.
Ajo që do të më bënte më shumë përshtypje gjate vizitës në Nassau ishte mënyra e organizimit, ekspozimi plot kulturë i gjërave të ndryshme duke filluar nga antiket deri tek modernet, plazhet me rërë ngjyrë rozë, dhe mbi të gjitha historia plot luftra deri në fitoren e Pavarësisë së saj.
Pranë ndërtesës së Parlamentit ishin varur kudo flamujt dhe një vend i veçantë ishte për patriotët që kishin luftuar dhe udhëhequr në Pavarësi. Themeluesit e tyre ishin plot 15 veta me portretet e tyre dhe përshkrimin e punës që kishin bërë. Flamujt kishin një ngjyrë trekëndshi barabrinjës me të zezë, në të cilat e zeza simbolizon forcën e një populli të bashkuar, dhe ngjyrën blu dhe të verdhë, qe paraqet ngjyrën e diellit dhe të detit, çka ata e kanë pasuri të patundshme të tyre. Ata kanë rregullat e tyre se si ta përdorin flamurin në ngjarje të caktuara. Ecnim dhe ndalonim kudo për të pare apo prekur të bukurën e Bahamas , parajsën siç dhe e quajne dhe na u duk sikur me vehte muarëm dashuri, dielli dhe ujë blu.
Shtator, 2013
Staten Island, New York
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply