Skulptori Kosovar Butrint Morina nga Rixheva e Klinës ka arritur që të futet në mesin e 8-të skulptorëve, prej 342 sa kishin konkuruar për të marrë pjesë në simpoziumin ndërkombëtarë “Drejtë lumturisë”, që po mbahet në Izmir të Turqisë.
Qyteti i Izmirit me krenari do të mbajë në njërin nga sheshet e tij edhe skulpturën e artistit kosovar Butrint Morina, me temën “Drejtë lumturisë”e cila do të ketë përmasa prej 1.5 metra lartësi dhe gjërësi 2.5 metra.
Skulptori Morina në këtë simpozium do t’i drejtohet audiencës së gjërë më një fjalim ku paraqet biografinë e tij dhe hapat e parë të tij si artist. Përmes kësaj biografie skulptori Morina paraqet edhe vuajtjet dhe një pjesë të historisë më të re të Kosovës. Ai potencon se fillet e tij prej skulptori i kishte filluar në male në një “piknik” dhjetë mujorë siç e quan ai egzotin e tij, familjes dhe tërë Kosovës në vitin 1998-të.
Duhet theksuar se Skulptori Butrint Morina ka një fond të jashtëzakonshëm veprash arti duke filluar nga stolitë e gëdhendura prej guri e deri të skulpturat e ndryshme.
Sipas familjarëve të tij Butrinti ka trasheguar mjeshtërinë nga i ati Muharremi, kurse durimin nga gjyshi Shabani i cili tërë jetën e tij është marrë me gëdhendjen dhe përpunimin e gurit me një durim të pakrahasueshëm.
Ky talent i ri duhet përkrahur edhe mbështetur, sepse është përfaqësimi dhe afirmimi më i mirë që mund t’i bëhet artit, kulturës dhe vetë Kosovës.
Morina është i vetmi skulptor që merret me gëdhendjen e gurit duke e bërëë edhe më të veçantë atë si skulptorë dhe artist me talent të jashtëzakonshëm.
Ja edhe lista e tetë artistëve që po marrin pjesë në këtë eveniment kulturorë në Izmir të Turqisë:
Badri Goguadze, Georgia

Butrint Morina, Kosovo

Fernando Pinto, Colombia

Güler Güçlü, Turkey

Lee Zih-Cing, Taiwan

Mykola Lampeka, Ukraine

Okan Sabuncular, Turkey

Yu-Cin Ciou, Taiwan

Në vazhdim po e japim të plotë fjalimin e Skulptorit Butrint Morina që do ta mbajë në simpoziumin “Drejtë lumturisë që do të mbahet në Izmir të Turqisë.
“Çdo artist e ka një histori se si është bërë artist, edhe unë e kam historinë time për të cilën do të flas, e cila tregon edhe historinë e popullit tim në përgjithësi.
Isha në klasën e katërt në vitin 1998-të, kur një ditë u ndërpre mësimi dhe të gjithë ikën nëpër shtëpitë e tyre. Të nesërmen herët në mëngjes ishin zgjuar të gjithë fqinjët, i gjithë fshati, bile edhe disa fshatra përrreth dhe të gjithë duke marrë çka kishin mundësi shpejt e shpejt me vete, ikëm thellë në malet më të afërta. A ishte ky një piknik?
Mua ashtu më dukej. Atje ishin të gjithë moshatarët e mi të lagjes e të fshatit, luanim së bashku tërë ditën dhe prindërit nuk na e ndalnin lojën për asnjë moment, kjo ishte vërtetë e quditshme. Kjo periudhë që unë po e quaj piknik zgjati afër 10-të muaj dhe shpesh na mungonte ushqimi, po loja e zëvendësonte atë.
Atje në male në mes të natyrës argëtimi im kryesor filloi të bëhej gëdhendja e drurit, babi më pati dhënë një brisk dhe atje fillova ta ndjej gëdhendjen për herë të parë dhe ajo ndjenjë nisi të bëhej shumë e veçantë për mua dhe më bënte të mos ndalem duke gëdhendur.


Kjo periudhë aq e “lumtur” për mua dhe moshatarët e mi në fakt ishte periudha më e vështirë në historiëe e popullit shqiptarë. Nuk kishim shkuar në një piknik, por kishim ikur nga sulmet e ushtrisë serbe, kjo ishte lufta në Kosovë. Vetëm pas lufte unë e kam kuptuar nga vinte ushqimi që ne hanim atje në male, prindërit tanë natën plaqkitnin shtepitë tona që kishin mbetur pa u djegur, duke marrë miell e gjëra tjera çka gjenin.




Megjithatë me rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves dhe me ndihmen e miqëve ndërkombetarë e kaluam atë periudhë të vështirë.
Me 1999-të pas luftës gjithçka nisi nga zeroja. Familja ime prap vazhdoi zanatin që kishin, punën me gurëgdhendjen, murosjen dhe shitjen e gurëve. Pra unë vijë nga një familje që e kishin zanatë gëdhendjen e gurit. Mua nuk më mjaftonte ajo që bënin ata dhe si i ri që isha kisha mundësi të provoja gjithçka që doja, bëja forma të ndryshme në gurë pa ndonjë kuptim, pastaj fillova të punoja stoli prej guri.
Ishte periudha kur unë fillova shkollën e mesme, atje u njoha me profesorin e artit i cili më këshillonte e më frymëzonte shumë që unë të merrem profesionalisht me skulpturën, sepse isha i talentuar. Në këtë kohë unë punova skulpturat e para.


Ne vitin 2007-të u pranova në Universitetin e Prishtines në Fakultetin e Artit. Atje isha student i dalluar dhe u shpërbleva disa herë. Pas përfundimit të studimeve unë vazhdova të merrem me krijimtari dhe isha pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive, vendore, ndërkombëtare, e personale, ku isha pjesëmarrës në Festivalin e Skulpturës “Skulpfest” në dy edicione etj.






Arti në Kosovë
Edhe Kosova si vendi i fundit që u shkëput nga ish Jugosllavia, ishte e pasur me skulptura e monumente të asaj kohe, të cilat simbolizonin marrëdhënjet e mira të komuniteteve të ndryshme, që ishin pjesë e ish Jugosllavisë, por pas vdekjes së udhëheqësit të saj Josip Broz Tito, u vërtetua që këto marrëdhënje të mira ishin te rrejshme, këtë më së miri e tregon lufta e Serbisë me Kroacinë, Sllovenin, Bosnje e Hercegovinen, shkeputja e Malit të zi , dhe së fundmi ndarja e përgjakshme e Kosoves. Disa nga këto monumente egzistojnë edhe sot, por tash shihen si monumente të një të kaluare të vështirë ,disa monumenteve iu është ndërruar kuptimi.


Disa të tjera populli i ka transformuar si përshembull ky monument i dy heronjëve të luftës antifashiste këtu ishin dy portrete njëri ishte Boro (serb) tjetri Ramizi(shqiptar) të vrarë në 1943-shin. Këtu pas luftës shqiptarët e frustruar pas gjithë atyre vrasjeve që kishin përjetuar e kishin dëmtuar portretin e serbit, edhe sot ky monument qëndron kështu duke treguar një realitet të hidhur.
Pas luftës ka dominuar skulptura monumentale dhe përkujtimore. Populli kishte nevojë t’i përkujtonte ushtarët të cilët ishin vrarë gjatë luftës dhe u ngriten shumë monumente, shtarore të heronjëve të luftës në nderim të tyre.

Poashtu u përkujtuan miq të popullit shqipëtar të cilët na kan ndihmuar në momente të vështira si ish Presidenti i SH.B.A.-ve Bill Clinton .. Monument për NATO-n në Prizren, Kosovë, 2010-të. Monument në nder të fushatës ushtarake të NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë në vitin 1999.

Dhe në vitin 2008-të në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u ngrit monumenti Newborn e që është monumenti më i vizituar në Kosove, ky monument është planifikuar që të freskohet herë pas here dhe këtë vit ka marrë ketë pamjeështë veshur me flamujt e të gjitha shteteve që e kan njohur Kosovën si shtet të pavarur në shenjë falenderimi.

Historia po tregon që për skulpturën moderne dhe atë të parkut, këto 5 vite shtet nuk kishte aq shumë hapsirë, megjithatë Arti Modern Kosovarë është në hap me kohën. Artistët kosovarë janë mjaft të suksesshëm nëpër botë.

Dhe në fund javen e kaluar unë jam martuar dhe kam ardhur këtu bashkë me gruan time dhe për mua ky muaj është një muaj i dyfishtë i mjaltit, sepse këtu kam ardhur ta bëjë punën që unë e dashuroj dhe kam ardhur me gruan që e dashuroj, që do të thotë unë vërtetë kam ardhur drejt lumturisë, e që është edhe tema e këtij simpoziumi”.
Kush është Butrint Morina?
Butrint Morina ka lindur në Rixhevë të Klinës në vitin 1988-të, dhe rrjedh nga një familje me traditë në gurëgdhendje, por me një kontribut të madh në shërbim të çështjes kombëtare. Qysh në vitin 1981 kjo familje u persekutua dhe u bastis me dhjetëra herë nga pushteti i atëhershëm pushtues. Edhe në luftën e fundit kjo familje nuk kurseu asgjë për çlirimin e vendit. Skulptori Butrint Morina tash ka vendosur që luftën për vendin ta orientoi në avancimin e kulturës dhe artit në arenën ndërkombëtare, duke e vazhduar traditën familjare në shërbim të kombit dhe avancimit të tij. /Islam MORINA/Infokusi/
infokusi.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply